KUR CAKTOHEJ PRINCI I SHQIPËRISË
Në një raport ditë të ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë Kontit Berhtold, bëhet fjalë për një takim të tij me Dukën Monpensier që pretendonte fronin e Shqipërisë. Është interesant informacioni që përcillte ministria Berchtold:
“Më 11 të këtij muaji më vizitoi Princi Philip i Saksonisë e Koburgut e i Gothas së bashku me Dukën Monpensier, për të ma paraqitur këtë për thronin e Shqipërisë dhe për të ma rekomanduar. Princi më tha se Duka po vjen fill prej së mbesës, Dukeshës së Orleanit, (të kunatës së Dukës), e cila ia rekomandon nxehtësisht, duke ia theksuar hapur se Duka ka cilësi fort të mira dhe nuk i ngjet aspak të vëllait të madh të vet, burrit të saj, Dukës së Orleanit. Asaj i duket ay fare i aftë për pozitën që dëshiron të ketë.
Pas këtyre fjalëve mu lut Duka du Monpensier që ta parkrahë kabineti i Vjenës kandidaturën e tij dhe më tha se shpresa që ta pranojë në audiencë dhe Madhëria e tij Apostolik.
Unë iu përgjigja Lartësisë së tij mbretërore, se po marr shënim për kandidaturën e vet. Veç se i thashë se për Thronin e Shqipërisë gjer më sot më janë paraqitur shumë kandidatura dhe hë për hë s’është dhënë ndonjë vendim mbi këtë punë, bile do të zgjasë edhe mjaft kohë. Me gjithë këtë, i thashë se, në tërë çeshtjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë veprojmë në marrëveshje me Italinë, me sa e di unë Qeveria italiane nuk dashka që në fronin e Shqipërisë të vihet ndonjë princ katholik, duke e motivuar me faktin se as 1/3 e popullsisë së shtetit shqiptar të nesërm nuk është kattholik dhe se prandaj po të vihet në krye të shtetit shqiptar ndonjë katholik mund t’i bëjë dëm unitetit kombëtar shqiptar.
Duka mu përgjegj se kandidaturën e vet ia paska pëlqyer dhe Selija e Shenjtë, veç kësaj qenka dhe sigur se Markezi Di Sanxhuliano do ta pranojë atë si Princ të Shqipërisë. Kur më pyeti Duka se kur mund t’i jap një përgjigje të prerë mbi këtë punë, i’u përgjigja duke i bërë bisht e duke i thënë se s’mund t’i injoroj dot dhe kandidatët e tjerë. Veç kësaj i premtova se lutjen e tij për t’u pranuar në audjencë do t’ia parashtroj Madhërisë së tij, Perandorit t’ënë, por i shtova, se besoj që Madhërija e Tij tash për tash s’e ndjen vehten fare mirë dhe prandaj hë për hë s’un e marr mendja ta presë në audjencë”.
AQSH, fondi Xhevat Korca, dosja 2/1, f. 329-331; nr. 5785; NR. 5785. Raport dite mbi një intervistë me Dukën Monpensier, 13 shkurt 1913, Nr. 725