Në një letër dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL më 27 nëntor 1943, çeta partizane e Matit informonte për një mbledhje që ishte zhvilluar në Zallherr nga forcat jokomuniste ku kishin marrë pjesë përfaqësues nga zona të ndryshme.
Sipas krerëve të çetës në fjalë, nga mbledhja do të lindte një organziatë e re me parime edemokratike, dhe se mbledhja kishte marre qëndrim kundër okupatorit.
Ishte caktuar një komision për të caktuar emrin që do të merrte organizata ose partia e cila do të përhapej së shpejti.
Ishte caktuar edhe një delegacion për të marrë kontakte me Këshillin Nacional-Clirimtar, ndër të cilët edhe Abaz Kupi, i cili i kishte dërguar një letër këshillit në fjalë ku jepte dorëheqjen si antar i KNCL.
Mbledhja e Zallherrit kishte deklaruar se ishin kundër bashkëpunimit me jugosllavët e grekët në rast se ata hynin në tokën shqiptare dhe kundër italianëve që kishin mbetur në Shqipëri, si luftëtarë.
Krerët e çetës citonin Isuf Selmanin i cili kishte thënë se një oficer i misionit anglez kishte deklaruar se:
-Komunistët nuk çajnë kokën dhe nuk pyesin ndonjëherë për punët e Shqypnis veçse shofin përsa i përket organizmit të tyre.
-Se kaq flori u janë dhënë prej nesh dhe nuk duan me dit për fjalën tonë.
Çeta partizane kërkonte udhëzime si të vepronte, pasi në rast se midis dy organizatave nuk arrihej marrëveshje, ata kishin me kërkue largimin nga Mati të çetës partizane. Çeta e Matit nuk i kapërxente 40 veta, 10 prej të cilëve ndodheshin të sëmurë.