Një nga ngjarjet e shumta historike që ka fshehur historiografia komuniste dhe postkomuniste është edhe bombardimi i Tiranës, në 13 tetor 1943, nga skuadriljet e Flotës Aleate të Mesdheut. Pasojat e atij bombardimi ishin më shumë se 500 qytetarë të pafajshëm të vrarë e të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.
Regjimi komunist nuk e përmendi kurrë këtë ngjarje të dhimshme, madje kur shtypi shkroi pas vitit 1990, Nexhmije Hoxha u justifikua kinse, “ qëllimi dhe interesi ynë nuk ishte të ftoheshim me aleatët. Madje edhe kur kjo erdhi vetiu, jo për shkakun tonë”.
Si mund të besohet një variant i tillë, kur Enver Hoxha nuk linte rast për të demonizuar anglo-amerikanët, madje ka shkruar edhe librin “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”. Atëherë, si është e vërteta?!
Për të mësuar të vërtetën duhet të kthehemi tre muaj pas, në korrik 1943, kur u formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Pikërisht, më 7 korrik 1943, ditën e mërkurë, u mblodh Komisioni i ngarkuar nga Shtabi, i përbërë prej Abaz Kupit, Spiro Moisiut, Enver Hoxhës, Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit për të përgatitur Projektin e kërkesave që do ti bëhej delegacionit ushtarak aleat. Komisioni paraqiti projektin si më poshtë:
2000 mina për autoblinda, 10000 bomba dore, 10 radio stacione për përdorim të brendshëm, 2 radio stacione për rajone të mëdha, 200 mitralozë të rëndë, 21 topa malorë, 1000 kuaj e mushka për transportin e mitralozave, artilerisë e materialeve të tjera, 50 motoçikleta, 300 biçikleta, 50 kamiona me goma, 200 revole njëzetëshe automatike gjermane, 10 milion fishekë, 10 mijë fishekë për çdo mitraloz, 2000 fishekë për çdo armë automatike, uniforma e mbathje ushtarake. Shtabi parashikonte të mobilizonte menjëherë 10 mijë vetë prandaj kërkonte 10 mijë pushkë, 500 mitraloza të lehtë, 1000 pushkë automatike, 100 murtaja 45, 20 murtaja 81, 500 pushkë franceze me hinka bomba hedhëse, 50 mijë bomba, 20 anti-ajrorë, 50 anti-karro, 50 flakë hedhës. Përcaktoheshin vendet në male ku do të hidheshin materialet e kërkuara, të pajisura me hartat dhe planet e rrugëve dhe urave.
Dhe, ajo që ka lidhje me tragjedinë për të cilën po shkruajmë, ishte pikërisht propozimi I Shtabit të Përgjithshëm që të bombardoheshin nga ajëri qytetet Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Pra ishte propozim i komunistëve të cilën e zbatuan me përpikmëri aleatët anglo-amerikanë.
Dhe ndërsa, në 13 tetor 1943 ata bombarduan Tiranën, më 4 dhjetor bombarduan Durrësin.
Përfundimisht duhet thënë se anglo-amerikanët kanë plotësuar të gjitha kërkesat e komunistëve dhe të gjitha propozimet e tyre.