Në emisione të ndryshme televizive dhe jo vetëm, disa historianë sidomos në Kosovë, mbrojnë tezën sikur ka qenë Perandoria Osmane që ka coptuar territoret shqiptare. Një tezë e tillë, që në thelb është tezë e historiografisë sllave, bie ndesh me të vërtetën historike, sepse nuk mbështetet në asnjë provë.
Po t’i referohemi dokumentacionit të pasur arkivor, do të vrejmë se qysh nga Kongresi i Berlinit (1878), Fuqitë e Mëdha i bënë presion të fortë Portës së Lartë duke i kërkuar të lëshonte territore shqiptare në favor të fqinjve.
Kështu, ata i kërkuan t’i jepte Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, por shqiptarët dhe Porta e Lartë kundërshtuan. Atëherë, Fuqitë vendosën që në vend të tyre ti jepeshin Hoti ose Gruda dhe nëse kundërshtohej përsëri, të lëshohej Ulqini.
Duhet përmendur me këtë rast se në prag të mbajtjes së Kongresit të Berlinit, sulltani emëroi ministër të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dinon, shqiptar nga Çamëria, që ishte njëri nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit.
Mirëpo, Britania e Madhe, Austro-Hungaria dhe fuqitë e tjera e shtuan presionin për të detyruar Portën e Lartë të lëshonte qytetin e Ulqinit, ose të zbatonte marrëveshjen e Prillit 1880, d.m.th të dorëzonte Hotin dhe Grudën. Për këtë, ato i bënë një ultimatum ku kërkonin përgjigje deri në 23 gusht 1880.
Porta e Lartë e kushtëzonte dorëzimin e Ulqinit me garancitë serioze dhe zyrtare të Fuqive të Mëdha evropiane. Për këtë qëllim, më 19 shtator 1880, Porta e Lartë iu drejtua atyre duke u paraqitur tre kërkesa për dorëzimin e Ulqinit, në të cilat thuhej shprehimisht:
• Me aktin e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha evropiane përfundimisht do të braktisin çdo plan për manovra detare për kërcënim dhe frikësim për çështjet e tanishme dhe të ardhme.
• Duhet të ruhen e të garantohen pasuritë, jeta, nderi dhe të gjitha të drejtat e banorëve, që pas dorëzimit të Ulqinit, do të donin të emigrojnë. Po ashtu duhet të ruhen pasuritë, jeta, nderi e sidomos feja, si dhe të drejtat e tjera të atyre banorëve të Ulqinit, të cilët nuk do të donin të emigrojnë.
• Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, fuqitë e mëdha evropiane duhet të pranojnë bazën status quo, që ka propozuar Porta e Lartë dhe në të ardhmen, asnjë lëshim nuk do t’i bëhet Malit të Zi, në cilëndo trajtë qoftë.
Porta e Lartë besonte se “kabinetet evropiane do të udhëhiqen nga ndjenjat e drejtësisë dhe të barazisë”.
Nëse kërkesat e parashtruara nuk pranoheshin ose injoroheshin nga Fuqitë e Mëdha, Porta e Lartë, theksonte se “nuk do t’u japë urdhër trupave të veta dhe autoriteteve të saj në Ulqin që të evakuohen që aty”.
Përkundër rezistencës së Portës së Lartë, Fuqitë e Mëdha nuk lëshuan pe.
Më 8 nëntor 1880, ambasada osmane në Bruksel, i raportonte ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll se ambasadori gjerman në Paris, i kishte shpjeguar në mënyrë tepër sekrete dhe i rekomandoi t’ia përkujtonte Kryeministrisë së Mbretërisë Osmane që: “sa më parë duhet të bëhet dorëzimi i Ulqinit”, pasi sipas tij, “që të arrihet marrëveshja në mes të shteteve, është e pamundshme nëse nuk zgjidhet çështja në fjalë”.
Ndërkohë, flota e tyre bllokoi bregdetin e Ulqinit.
Çështja e Ulqinit ishte ashpërsuar në kulm. I detyruar nga Fuqitë e Mëdha, Sulltani largoi nga posti i ministrit të Jashtëm Abedin Pashë Dinon dhe siguroi një fetva (vendim) nga Sheh-ul-islami, që e quante të lejueshëm “në interes të shtetit” përdorimin e forcës kundër shqiptarëve myslimanëve, që ishin edhe mbojtësit më të vendosur të territoreve shqiptare.
Më 23 nëntor 1880, trupat turke, të komanduara nga Dervish Pasha, hynë në Ulqin dhe më 26 nëntor ua dorëzoi qytetin Malit të Zi. Sipas një raporti të Dervish Pashës, për këtë ngjarje, popullsia e vilajetit të Shkodrës, “është nënshtruar dhe futur në rrugën e bindjes”.
Në Konferencën e ambasadorëve, (Londër 1913) territoret shqiptare u coptuan përsëri.
Presioni që po bëhet mbi Kosovën, për ta detyruar të lëshojë territore në favor të Malit të Zi, është vazhdim i atyre projekteve të Fuqive të Mëdha që synon zvogëlimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare.
Pyetja që u duhet bërë Fuqive të Mëdha është e thjeshtë: A do të jetë ky coptimi i fundit?