Ka një vlerësim të përgjithshëm që letërsia e viteve 1930 ka qenë mjaft cilësore. Por harrojmë të themi se për të pasur një letërsi të mirë duhet edhe një kritikë letrare cilësore.
Një ndër kritikët më të mirë të kohës ka qenë Sotir Kolea.
Ja çfarë i shkruante një të riu, mik i tij, për poezinë që ky i fundit i kishte dërguar:
“…Që ditën e parë këndova dhe vjershën që më pate çuarë; s’më pëlqeu asfare. E lashë të flerë me shpresë se ndofta në një këndim të dytë dot’ qe ndryshuar syri, po kot, se gjykimi dhe sot ësht po ay në mos më i rëndë.
Qëllimi i gjithëmbarët i vjershës? S’i a zura dot fillin që t’i gjenja lëmshin.
Mejtimiet? Të ndrydhur e të shtrydhura mezi sa hiqen zvarrë; nuk kanë as hije krahash për të fluturuar dhe vargëzim i tyre, i shqepur fund e krye, nuk lenë as ur’ as vik për të kapërxyer nga njeri te jatëri.
Gjuha? E mbërthyer për flokësh.
Këmba? Lodhet e këputet për të mbajtur masën.
Fundi? Dhetë faqe plotë me fjalë si përrua I turbullt që sdërmon në një rrëpëtirë të ngusht e të thellë, pa parë një rreze dielli, pa parë një shosh qiell, pa një kutellë frymë.
Në fund, Kolea i jepte udhë: “E ndjej si detyrë të të shtonj një gjë, që do e kesh ditur po e ke harruar: s’fulturojnë për qielli gjithë shpezët që kanë pendë, janë dhe shumë syresh që enden për tokë, po dijnë të hedhin çapën me hije e bukuri… Ngado që të kthehesh shtigjet janë zënë; s’ka më vënd të lirë për të shitur mendje; andaj këmbe rrugë; shif në mund të blejish mendje nga të huajtë, që shitet për së liri në trek të përkthimeve…”

KESHILLAT E SOTIR KOLESE PER PASTERTINE E GJUHES
Sotir Kolea ka qenë një këshillues i mirë për të rinjtë që kishin dëshirë të shkruanin. Por, meraku i madh i tij ishte të shkruanin mirë gjuhën shqipe. Ai vlerësonte për pastërtinë e gjuhës, Musine Kokalarin, At Gjergj Fishtën, Ali Asllanin. Ja çfarë i sugjeronte një të riu:
“… Sa për gjuhën shkruaj ashtu siç flet, domethënë mejtohu shqip mu sikundër flet me shokët, me njerëzit e tu, me fshatarët; mos kërko të shkruash ashtu sic e kanë bërë zakon gazetat dhe shumica e atyre që janë vënë të nxijnë kartën e bardhë me një gjuhë të shëmtuarë, të mbytur në një pellk fjalësh të huaja, të cilave nuk ua ka nevojën shqipja, mbasi ka të vetat të bukura dhe të shuma për cdo nevojë të jetës, mos kërko të ngatërrosh toskërishten me mënyra të thëni të gegërishtes.
Kur është puna për toskërisht, fol dhe shkruaj toskërisht ashtu siç e flasin në fshatin tënd; pa kur është puna për gegërisht fol dhe shkruaj gegërisht sa më kthjellët të mundesh dhe duke u larguar si e si nga të folmet e sotme të Shkodrës që ka humbur gjithë bukurinë e dikurtë.
Për të kënduar merr vivllën, “Se ç’më thotë nënua plakë” të zonjëzës Musine Kokalari, të shkruar në të folmen e Gjirokastrës , këndoje me kujdes një herë, dy herë, tri herë se për punë gjuhe sidomos e vlen barra qiranë, ke për të gjetur në të mënyra të foluri të rrethit të fshatit tënd që ndoshta i ke harruar dhe do të kujtohen me qindra mënyra të tjera që janë bukurija dhe begatija e gjuhës.
Këndo vjersha të At Fishtës, dhe këndoji me kujdes duke mbajtur dhe shënime, se gjuha e tij është e pastër dhe e kulluarë mu siç e flasin katundarët që s’kanë pasur të bëjnë as me gazetarë as me gazeta.
Ato mënyra që përdor At Fishta gjenden dhe në Jug, andaj duke i kënduar në vjersha të tija kërko ndër mend aty për aty si i thonë në vise të Jugut dhe mba shënime.
Në qoftë se kanë dalur në dritë vjershat e Ali Asllanit këndoji edhe këto një-dy-tre herë se gjuha e tyre është e kulluar shqip… Kështu do të mësojsh të shkruash gjuhë të pastër shqip.
Mos u var sidomos trastën atyre të rinjve që janë vënë të nxijnë kartë me vjersha dhe novella (rrëfejta) dhe me përkthime romanesh të huaja, se jo vetëm s’ke për të mësuar gjë syresh po do të humbasësh dhe atë të pakë shqipe që të ka mësuar jot’ ëmë dhe yt atë.
(Leri) të flenë për një muaj, për dy muaj gjithë ato që shkron ti vehtë. Kur t’I marrësh pas kohe prapë ndër duar do të gjesh vetë gabimet dhe do të jesh I zoti t’I ndreqësh, sa herë t’i marrësh kështu ndër duar kaq më të mira do të dalin; është si ai mielli që shkuhet ndër dy – tre sita…”

error: Content is protected !!