Koco Sterjo

(Dudajt e Sheperit)
– Sipas shënimeve të nipit, Jani Duda, të disa bashkëfshatarëve dhe miqve të Familjes si dhe sipas dokumenteve të kohës.

TRUALLI…
Në dasmën e Altean Dudës, këtij djaloshi bukurosh e të urtë, si gjithë Fisi i Tij, në Sheper të Zagorisë, bilbili i Kolonjës së Gjirokastrës, Bujar Koshi, një mik i Familjes, do të improvizonte në çast një këngë për miqësinë e tij me Dudajt, nën refrenin:
“Derë e Dudaj- Derë e madhe!”,
Vargje që gjithmonë do të më kumbonin në tru si zile për bukurinë e tyre të krijimit e të të kënduarit të labit e do të më qendronin në shpirt si një erë e ngrohtë jugu si dhe do të më jepnin të drejtë për miqësinë time me atë Derë.
Vërtet e madhe!
Jo aq për nga numri i pjesëtarëve se sa për bujarinë e saj dhe mikpritjen, për talentet që kishte nxjerrë nëpër kohëra e vijonte të nxirrte, për të gjitha virtytet më të mira të popullit tonë që ajo mbartte.
“Jemi në Sheperin e legjendave, ku njerëzit, nëpër gojdhanat e tyre dhe shkrime historike për paraardhësit, tregojnë se është luftuar me “bajlozë” që vinin për t’u marrë tokat dhe pasuritë. E tillë është gojdhana për Vangjel Muzhën, gjigandin që luftoi dhe vrau shtatë “bajlozë”, ajo për Shpellën e Dyfekut ose Shpella e Riganje, kur zbret nga Qafa e Dhëmbelit për në Përmet, ndodhia e vërtetë në Kodrën e Sinorit, jo shumë larg, por vetëm tre breza më parë, ku sheperiotët vranë Bajramin, pjesëtarin e një bande që kishte ardhur për të vjedhur. Kur erdhi nëna e tij për ta vajtuar te varri, sipas zakonit të lashtë shumëshekullor të krahinës, vajtën dhe gratë e fshatit për t’iu ndodhur pranë, dy prej të cilave ishin gjyshet e mia, të cilat ma kanë rrëfyer ngjarjen,- shfleton nga dosjet e tij kujtimore trashëgimore Ylli Dilo, njeri nga pinjollët e sotëm të Dilenjve të Ilia Dilo Sheperit,- Nëna e vajtoi të birin me këto fjalë: “Vrave, bir, prandaj të vranë/ Jetimë ke lenë, jetimë t’i lanë…” Ndoshta, në këto gojdhana e gjen burimin Çajupi, kur shkroi “Mysafirët e Çajupit”. Ka të tjera të tilla për burra që punonin jashtë mundësive njerëzore për të mbajtur mirë gratë dhe fëmijët, si rasti që gjendet në historikun e familjes Xhamballo, i cili përcillet me rimë: “Qiro Xhamballo, o burrë,/ Vadit me kaçup lëkurë,/ T’ ushqesh Ngjelinën me grurë.” Të gjitha këto rrëfime popullore tregojnë bëmat e rreth tetë brezave më parë,- përfundon ligjëratën e tij për këtë pjesë Dilo.”
Jemi, kësisoj, në Sheperin e palcës së atdhetarisë, në atë fshat, në krye të fshatrave të tjerë të Zagorisë, i mbështjellë nga krenaria kombëtare prej figurave madhore të kombit, si: Andon Zako Çajupi- poeti i madh i lirisë dhe dashurisë, Aristidh Ruci- firmëtari dhe financuesi i Pavarësisë së Atdheut në Vlorë, Ilia Dilo Sheperi- gjuhëtari i vyer, babai i gramatikës së shqipes, Pano Xhamballo- dëshmori partizan i Luftës së Dytë Botërore, Jani Dilo- “misionar i kombit” nëpër botë.
Është Sheperi që priti e përcolli me qindra luftëtarë të inkuadruar në dy brigadat sulmuese, të 8- të dhe të 14- të, të cilat morën bekimin e lirisë në sheshin e lisave të Çarrokut si dhe vendi ku qendroi e veproi Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë- Gjirokastër dhe Misioni Anglo- Amerikan.
Është Sheperi, i pari dhe i vetmi fshat i krahinës, i dekoruar dy herë: me medalje të Çlirimit dhe të Kujtimit, direkt pas Luftës, nga organet më të larta të shtetit komunist të kohës.
Është Sheperi i gati mbi dy duzina burrash që, fill pas këtyre dekorimeve, iu nënshtruan persekutimit të gjatë politik, po komunist, për 45 vjet me radhë, si për ironi të fatit të atyre veprave të mira që kreu për Atdheun.
Pikërisht, nga ky truall patriotik, bujar e mikpritës, qendrestar si vetë shkëmbinjtë e vendlindjes, që rrënjët i ka në thellësitë e tokës e kreun afër yjeve të qiellit, që ditë për ditë përkëdhelet me diellin në lartësitë e Dhëmbelit, vijnë edhe Dudajt e Sheperit, me thjeshtësinë e tyre madhështuese, me bukurinë shpirtërore, me granitin e karakterit të paepur, me zërin e bukur të bilbilave dhe kanarinave, me gjithçka të mirë që ka prodhuar gjindja njerëzore dhe balta arbërore.

RRËNJËT DHE DEGËT…

Andon Zako Çajupi, në një vjershë të tij për fshatin e lindjes, ku, me anë të çdo strofe, portretizon seicilin prej bashkëfshatarëve, zbulon edhe prejardhjen e Dudajve të Sheperit:
“…Duda ish prej Elbasani,
Duda ish, po shkoi e vate.
Përmbi varrin q’e kanë venë
Kanë mbirë manushaqe…”
Janaq Duda e Harallamb Duda, vëllezër me njeri- tjetrin, janë emrat e parë që ne mundëm të arrijmë të gjejmë te rrënjët. “Babanë e gjyshit, Janaq Dudën, e vranë hajdutët te sheshi i shkollës, si hakmarrje për sheperiotët.”, – thonë kujtimet prej të parëve të vet të Jani Dudës (i Riu). Ende nuk dihet mirë se për ç’vite e ç’rrethana bëhet fjalë në këtë kumtim. Ka gjasë që vrasja të jetë kundërpërgjigje e rastit të Kodrës së Sinorit, të përshkruar më lart prej Ylli Dilos. Ka gjasë tjetër që ngjarja të jetë e viteve 1914- 1917, harku kohor që përfshin hakmarrjen e hormovitëve për Masakrën e Hormovës kundër fshatrave të krishterë të Lunxhërisë, Zagorisë dhe Malëshovës, meqë është përcjellë ajo pjesë e fjalisë që thotë:”… si hakmarrje për sheperiotët…”. Libri i bashkautorëve LLukan Saqellari e Milo Kristani “Hoshteva dhe hoshtevjatët” na tregon për parapërgatitjen e një masakre të tillë në Hoshtevë nga banda e Mero Lamçes, të cilën hoshtevjatët e shmangën me zgjuarsi e trimëri, por që, një ardhje tjetër e beftë e bandës, i gjeti të papërgatitur dhe u bë shkak që të mblidhte disa burra në oborrin e thellë të Markaj, t’i rrihte çnjerëzisht, sa njeri prej tyre do të vdiste pas pak ditësh. Edhe libri “Doshnica” i bashkautorëve Mitro e Ligor Tingo na e përforcon ngjarjen e parë, pra, dështimin e bandës në Hoshtevë, duke na dhënë të njëjtin përshkrim, por dhe një detaj më shumë, në interes të hipotezës së shfaqur më lart për ngjarjen e Sheperit me objekt Janaq Dudën. Autorët thonë se, fillimisht, banda e Mero Lamçes, e veshur dhe paraqitur si “koshadhe”, pra, si forca qeveritare, zbriti në Sheper (ku mundet të ketë vrarë Janaq Dudën) dhe që andej iu bënë lajm hoshtevjatëve t’i prisnin. Hoshtevjatët kundërshtuan. Aherë, “koshadhet” iu drejtuan autoritetit të Petro Haritos (autorët thonë “deputetit”, por nuk jam i qartë për parlamentarizmin e kësaj periudhe në Shqipëri, ndaj po e marr me rezervë) dhe Harito iu bëri thirrje hoshtevjatëve ta prisnin “çetën qeveritare”, por këta i vunë kusht ardhjen e vet Petros bashkë me “koshadhet”. Dhe ashtu ndodhi. Por, gjatë pritjes bujare të hoshtevjatëve, sipas zakonit shekullor, “koshadhet” filluan ta zhveshin “rrobën” e tyre (“…Ishin veshur si koshadhë…”,- thotë kënga kushtuar Masakrës së Doshnicës) dhe të shfaqin fytyrën e vërtetë kriminale, duke publikuar, nën efektet e alkolit, qëllimin e vërtetë të “vizitës”. Aherë, hoshtevjatët e mbledhur në atë drekë mikpritjeje dhe Petro Harito, në një mendje, iu bënë thirrje hormovitëve të ngrihen e “të ikin me kohë të mirë”. Në këtë çast, rastisi të zbrezë një bari lab nga Mali i Hoshtevës e të kthehet, ku pak më parë ziente kënga e dollia, bari që i njihte disa prej pjesëtarëve të bandës dhe u thotë: “Ç’bëni akoma aty?! E dini që jeni të rrethuar nga djemtë e këtij fshati dhe qysh tani mund t’ju sulmojnë?” Banda u ngrit e iku, por pa hequr dorë nga qëllimi i mbrapshtë i saj. Duke u paraqitur se iu drejtua Malit të Çajupit, për të ikur përfundimisht në shtëpitë e tyre, ata rrëshqitën përfund Hoshtevës, anës së lumit dhe u gjendën në Doshnicë, ku do të përsëritnin në atë fshat Masakrën greke të Hormovës, në miniaturë për nga përmasat, por të njëjtë në përmbajtje, mënyrë dhe efekte. Me këtë akt, shqiptarët e Hormovës kanë treguar dobësinë e tyre kriminale, gjenetike dhe shoqërore, dy herë më të fuqishme se të grekërve, se po vrisnin, po me therje, vëllezërit e tyre shqiptarë të një gjaku si dhe për faktin se po i përgjigjeshin Masakrës së fshatit të tyre, mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm, dhe me të njëjtën monedhë, siç e kishin pësuar vetë, jo larg, por vetëm 3 vjet më parë, më 1914.
Mirëpo, gjasat janë gjasa dhe kanë rëndësinë e tyre kureshtare e kërkimore, për të arritur tek e vërteta, por më pranë të vërtetës janë vetë sheperiotët. Jani Duda thotë se dajua i tij, Aristidh Capari, ruan këtë ngjarje, për rastin në fjalë, nga arkivi i tij i kujtesës: “Në ato kohëra, Sheperi ruhej nga lebërit hajdutë dhe kishte caktuar roje që kontrollonin rrugën nga Gryka e Selckës dhe te rruga që shkohej në Përmet. Roja ishte një burrë nga Muzhajt, të cilit nuk ia kujtoj emrin (patjetër ka qenë pasardhës i Vangjel Muzhës së Ylli Dilos,- Shënimi im, K.S-). Një ditë roja kapi dy hajdutë dhe i shpie te kisha. Për t’i ruajtur atë natë, vunë si roje Janaqin. Ndaj të gdhirë ata arritën ta vrasin dhe ikin. Duke ikur, në të dalë të fshatit, vrasin dy gra që, dhe atyre, nuk ua kujtoj emrat. Njera arrin të shpëtojë dhe dëgjoi hajdutët të thoshnin:- Ta vrasim dhe këtë, se do tregojë! Por, tjetri tha: – E, përse? Ne tani ikëm.”
Mundet që gjasat dhe ajo çka thotë Capari të kenë ndodhur në të njëjtën kohë.
(Ndjesë për zgjatjen në këtë episod të dhënë vetëm e vetëm për të ndriçuar disi kuadrin, në të cilin mundet të jetë vrarë Janaq Duda!)
Mirëpo, ish Mësuesi Ksenofon M. Dilo, nip i Ilia Dilo Sheperit, e shpie njohjen e Rrënjës edhe më tej në kohë, në essë- në e Tij “Për Njerëzit e Vërtetë!”, kushtuar Dudajve të Sheperit e, veçanërisht, Aleks Dudës, Shokut e Mikut të Tij të fëmijërisë, rinisë dhe gjithë kohës. Ai bën fjalë për Shkurti Dudën, të cilin turqit e arrestuan dhe po e kalonin nga Selishta për në Përmet, të prangosur dhe shoqëruar me dy roje. “Në të dalë të Sheperit, aty në një shkëmb, si një dragua, Shkurti ngriti duart dhe, më shumë me forcën e shpirtit, goditi prangat mbi shkëmb e ato, nga forca e madhe, u këputën. Të dy rojet, të çmeritur nga kjo që e panë me sy, por që qe e shpejtë si rrufe, sa të mblidhnin veten, hëngrën nga një grusht prej duarve të sapoliruara dhe u rrokullisën, ndërsa Shkurti i Dudajve fluturoi drejt Lirisë…” Këtë mundet të kishte patur parasysh Çajupi në vjershën e tij.
Janaq e Harallamb Duda lindën fëmijë të mbarë. Janaqi me Licën do të lindnin Vasilin e pamposhtur dhe tri vajza: Poliksenin- gruan e patriotit të madh sheperiot Nasho Idrizi, Milinë- mëmën e Miço Kagjinit dhe Eftihinë, martuar në Pacaj, që, ndryshe, mbiemëroheshin edhe- Suli, kurse Harallambi me Tanën do të lindnin: Stathin, Athinanë (mëmën e Profesor Themo Mandilit, Andonit etj.), Evdhokinë, Leonidhën dhe Perikliun (Belon, siç e njihnin bashkëkohësit me emrin familjar). Breznitë e Leonidhës me Kostandinën do të vazhdonin me Evanthinë, Viktorinë, Harillon e Sotirin, kurse Belua me Savën, një grua fisnike, e fisme, si mbesë e Ilia Dilos, kishin pesë vajza: Ksenofoni, Ulia, Vergulla, Frida dhe Tefta. Sotir Duda, pikërisht, për shkaqet biografike, me vonesë do të vijonte Universitetin dhe arriti të bëhej një kimist i shquar në Ndërmarrjen Gjeologjike, Gjirokastër, ku do të zbulonte fosforin e Fushë Bardhës, pas një pune shkencore dhe analizash shumëvjeçare. Tri vajzat e Belo Dudës: Ulia, Vergua dhe Frida do të ishin të tria mësuese të talentuara, me gjithë bashkëshortët e tyre. Kurse vajza e fundit e Tij, Tefta, ishte nxënësja më e shkëlqyer e Gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, në kohën që kreu studimet e mesme.
(Shënim i shtuar, shënimi im: Siç vërehet në paragrafin më lart, edhe në Sheper paskemi patur mbiemrin Suli, sikundër e kemi atë edhe sot e kësaj dite në Hoshtevë dhe në Zhej. Historianët e krahinës dhe vetë familjarët e dy rasteve të fundit thonë në shkrimet e tyre se janë të ardhur nga Suli i Thesprotisë. Kohën e saktë të ardhjes ende nuk e dimë, por, dihet, përgjithshëm, se zhvendosjet e suliotëve ndodhën në kohën e raprezaljeve turke dhe ekspeditave ushtarake të Ali Pashë Tepelenës kundër krahinës shqiptare të Sulit.)
Djemtë e Dudaj, gjysma e parë e shekullit XX do t’i gjente tregëtarë të mesëm, me dyqanet e tyre të konfeksioneve, kryesisht stofra, në Gjirokastër e Delvinë. Pronarët e këtyre dyqaneve ishin Leonidha e Belo Duda si dhe kushëriri i parë i tyre- Vasili, me detyra të ndara: Leonidha siguronte lidhjet me parinë e vendit dhe merrej me çështjet që kishin të bënin me qeverinë; Belo Duda do të lëvronte tregëtinë me jashtë: në Greqi e deri në Itali, kurse Vasili, kryesisht, punonte në arkën e dyqanit. Jani Duda, sot, shprehet: “ Si tregëtarë që ishin, sipas të thënave të babait tim dhe të njohurve të tjerë, nga fitimet e tyre ndihmonin të varfërit, ndihmonin në bërjen e pajave vajzat që nuk ishin mirë ekonomikisht, ndihmonin Kishën dhe Komunën, duke qenë, në këtë mënyrë, një Familje mesatare në të ardhura, por e pasur në virtyte.” Këtë dëshmon edhe bashkëfshatari i tyre Ylli Dilo, që, siç e përmendëm edhe më lart, vjen nga Familja e Madhe e Dilenjve të Sheperit. Gratë e tyre jetonin në Sheper dhe punonin arat bashkë me puntorët që kishin punësuar, siç kishte çdo familje e mesme në atë kohë.
Fëmijët, pasi mbaruan shkollën në fshat, në kohën para Luftës së Dytë Botërore, i dërguan ta vijonin atë në Delvinë, Gjirokastër etj. dhe, kur përfunduan studimet e mesme në këto qytete, i studiuan jashtë shtetit, kryesisht, në Greqi. “Nga ata që patën fatin të studiojnë jashtë vendit, – rrëfen më tej, jo pa një ndjenjë të lartë krenarie, Jani Duda,- ishte babai im- Miltua dhe kushëriri i tij- Harillo Duda, i cili, ky i fundit, jetoi me profesionin mjek përgjithmonë në Greqi. Hallë Evjeninë nuk e dërguan jashtë, por u mjaftuan t’i jepnin një shkollë për punë shtëpiake, shkollë shumë e preferuar për kohën që flasim.”
Familja Duda, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, mbajti një qendrim patriotik. Vëllezëria Duda nuk mori pjesë në formacionet luftarake, por ndihmoi me vlera monetare. Dhe shtëpitë e tyre u bënë strehë dhe mbajtën me bukë luftëtarët, ashtu si pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare dhe, veçanërisht, ato zagorite. Në kohën e Luftës bujti aty, bashkë me partizanët, edhe babai i Mehmet Shehut. Tregojnë se gratë e shtëpisë, për t’i kënaqur sa më mirë, u servirën miqve mish lepuri të egër. Kur pyeti dhe mësoi se ç’lloj mishi ishte, Shehu u revoltua, pasi feja nuk ia lejonte. Edhe Mehmet Shehu, kur ka ardhur në Sheper në vitin 1944, u strehua po në shtëpitë e Dudaj.
Pas Luftës, të gjitha këto mirësi njerëzore dhe shpenzime materiale e monetare u shpërblyen me pabesi, me arrestimin e menjëhershëm dhe burgimin e gjatë e të tmerrshëm të Vasil Dudës dhe, si për shumë familje të tjera patriotike, filloi kalvari i vuajtjeve. Para arrestimit, Vasil Dudën e tregojnë një burrë të gjatë, të pamshëm e të zgjuar, pamjes fizike të të cilit do t’i përafrohej ajo e djalit të tij- Lekos, për ata që njohën këtë të fundit.
Arrestohet në vitin 1946 dhe, fillimisht, mbahet në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, bashkë me disa bashkëfshatarë të tjerë. Aty është përballur me torturat më çnjerëzore. Bashkëfshatarët e tij që patën të njëjtin fat- burgun politik: Margarit Dilo, Sotir Haxhiu dhe Themo Muzha, e tregonin Vasilin të papërkulur në hetime dhe në vuajtjen e rëndë të dënimit.
Dënimi, sipas link- ut në internet “kujto. al” që arkivon dhe publikon krime të komunizmit në Shqipëri, mban numrin e Vendimit 245, datë 20.11.1947, nga Gjykata Ushtarake, Gjirokastër, me “25 vjet burg, konfiskim i pasurisë dhe heqje e së drejtës elektorale për 5 vjet”.
Motivacioni: “Pjesëmarrje në një organizatë tradhëtare dhe venie në shërbim të Sillog- ut të Janinës; ka rekrutuar elementë, ka dhenë informata me karakter sekret.”
Dihet tashmë mirë se, po të vëresh motivacionet e shumë të dënuarëve politikë të asaj kohe nga Jugu i Shqipërisë, të rezultojnë me akuzën “agjentë grekë”. Kjo akuzë, përveçse është sa masive, aq edhe e padrejtë, e pafaktuar, nga ana tjetër, është edhe antikombëtare, në mënyrë të pandërgjegjshme në thelbin e saj nga vetë shteti komunist që e drejtonte akuzën absurde, sepse shuma e këtyre akuzave shpie ujë në mullirin e atyre qarqeve shovene që mbrojnë idenë e “vijës së artë” deri në Shkumbin…Sikur të gjithë jugorët janë agjentë grekë e, më thellë, janë grekë…Tepëria e diçkaje lufton vetë diçka-në…
Sipas dokumenteve origjinale të Familjes, Vendimi i 20 Nëntorit 1947 i Gjykatës Ushtarake, Gjirokastër, e dënon me vdekje, kurse Gjykata e Lartë, me Vendimin e saj të datës 8 Janar 1948, e le me burgim të përjetshëm.
Siç shihet, ka mospërputhje mes dokumenteve dhenë familjes prej organeve të drejtësisë dhe atyre që publikon një Institucion i posaçëm, i cili, me siguri, i referohet dokumentacionit bazë të gjykatave, ku kemi të njëjtin numur Vendimi dhe Datë për gjykimin e parë (Vendim nr. 245, datë 20.11.1947), por ndryshon masa e dënimit: Institucioni e ka gjetur atë dënim “me 25 vjet burg” etj., kurse familja disponon po atë Vendim me “dënim me vdekje”, të cilin Gjykata e Lartë e kthen në dënim “me burgim të përjetshëm”.
Pikërisht, në këtë mospërputhje te Vendimi bazë dhe mbështetur te fakti që Vasil Duda thuhet se “vdes në spital”, por trupi as i jepet, as i tregohet familjes dhe zhduket, mund të fshihet një enigmë e madhe- enigma e zbatimit të atij Vendimi që ka në dorë familja, i cili e ndëshkon “me vdekje”, por realizuar në një kohë tjetër, më vonë, pa i lenë mundësinë e zbatimit Vendimit të Gjykatës së Lartë “me burgim të përjetshëm” dhe pa bërë fjalë aspak pastaj për “burg 25 vjet”… Pra, vetë shteti i mëparshëm mund të jetë “ngatërruar” me këmbët e veta me vendimet e tij për jetën e një njeriu, të cilën, si shumë jetë të tjera, as e kishte fare në llogari…
Ja, ç’tregon njeri prej bashkëvuajtësve: “Vasili e kishte më të vështirë se ne, se ishte më i moshuar dhe jo mirë nga shëndeti, por qendroi si burrë. Ai përballoi tortura të tmerrshme, si: hekur të skuqur në këmbë etj., duke ua bërë të qartë njëherë e përgjithmonë falangave të Sigurimit: – Nuk do t’i merrni kurrë florinjtë nga unë! I kam florinjtë e punës sime, të djersës sime, të sakrificës sime, të familjes sime, të jetës sime! Ta mblidhni mendjen njëherë e mirë!
Kur ktheheshim nga puna, na detyronin që karrocat t’i merrnim në krahë dhe jo t’i tërhiqnim në rrota. Vasili, nga pafuqia, në një rast, u rrëzua me gjithë karrocë dhe, për këtë, kur arritëm në Kala, policët e dënuan të rrinte, për rreth një javë, në një vend të rrethuar me tela me gjemba, pa mbulesë, në mes të shiut dhe të erës, vetëm me 200 gram bukë të misërt, më shumë të mykur, dhe një gotë me ujë në 24 orë.”
Ksenofon M. Dilo thotë se “…Vasil Duda ishte njeri puntor e i ndershëm…Torturat që hoqi i shkreti Vasil, në burgun e Gjirokastrës, ishin të tmerrshme. Si të gjitha torturat që kishte shpikur mendja djallëzore komuniste. Por, goja e Tij nuk u hap. E tërhiqnin me karrocë në oborrin e burgut dhe e qëllonin të gjithë langonjtë me shkopinj. Më thoshte xhaxhai im, Margariti që ish edhe ai në burg në atë kohë. Trupi i Tij u mblodh sa një grusht, por nuk iu dha asgjë hienave…Vuajti dënimin e Tij në Burgun e tmerrshëm të Burrelit, me ndihmën e familjes së tij pranë. Gruaja e Tij e mirë shkonte gjithmonë si një Zonjë e vërtetë dhe e takonte aty, duke i shpurë edhe të lejueshmet, sa herë që shkonte. Aty, në Burgun e Burrelit, u shojt Vasili i mirë, i respektuar prej të gjithë bashkëvuajtësve, të cilët e kishin si Shenjt e flisnin me ‘Të çdo gjë, të sigurt se i kishin kyçur në një kasafortë mendimet dhe sekretet e dëshirat e tyre…”
“Gjithashtu,- vijon tregimin e tij Jani Duda,- mbesa e gjyshes sime, Viktori Xhamballo (Dilo), motra e Dëshmorëve të Atdheut: Pano e Spiro Xhamballo, tregon me ngashërim: – Njëherë, bashkë me nënë Sorkën, gruan e Vasilit, shkuam në burgun e Kalasë, për ta takuar, por mbetëm pa fjalë. Ai qendronte dy metra larg nesh, pas hekurave; me zor e njohëm, kaq shumë ishte dobësuar dhe tjetërsuar.
Ajo nuk mund të rrijë pa kujtuar edhe nga koha më parë, ajo e Luftës:- Pas djegies së fshatit, në Qershor 1944, kur mbetëm vetëm me rrobat e trupit dhe u kthyem nga Rapavica, xha Vasili na dha rroba për t’u veshur dhe shumë stofra, jo vetëm neve që na kishte të afërm, por gjithë fshatit. Mua më dha dhe lekë, për të blerë makinë qepëse, të cilën e bleva në Korçë te Vëllezëria zagorite “Qirjako” dhe qepa me ‘të çfarë na dha i miri Vasil.”
Të paepur burrë e grua: Vasil Duda dhe Sorka Levani! Si Vasili në burg, dhe Sorka në fshat. Shpesh herë, në mbledhjet e fshatit, do t’i kundërviheshin, duke ia përmendur faktin se burrin e kishte në burg (metodë e njohur kjo e komunistëve për poshtërimin dhe përkuljen publike të njerëzve), dhe ajo, gjithmonë, do t’u përgjigjej: ”Burgu për burrat është!”
Më vonë, Vasil Duda transferohet në Burgun famëkeq të Burrelit. Aty, bashkëvuajtës të tjerë, nga Gjirokastra dhe rrethi i saj, si: Muhamet Hoxha dhe Stefo Petro, kanë treguar që Vasil Duda ishte Simbol i Rezistencës dhe ishte kthyer në sistem referimi për këtë Rezistencë për të tjerët. Në burg thuhej:” XY rezistoi si Vasil Duda.”
Mirëpo, në Burgun e Burrelit torturat e katandisën në gjendje tejet të mjerueshme, sa do ta kthenin në pacient të Spitalit të Burgut të Tiranës. Në një prej vajtjeve atje, të shikonte babain, vajza e tij, Venua, ishte me gjithë të bijën e saj, rreth 10- 12 vjeçe, Viktorinë. Vasili e pyeti: – Kush është Ajo? Kur dëgjoi të vërtetën, sytë i shpërthyen në lotë.
Nusja e djalit të tij, Thimjos, Violeta Duda, që ka jetuar me vjehrrën, kujton prej saj: “Kur shkonte vjehrra ta takonte, një ndihmë shumë të madhe i ka dhënë Harito Çapi, i cili ishte ushtar në Burgun e Burrelit. Kjo nuk ishte e lehtë atëherë. Harito Çapi, më vonë, jetoi në Durrës dhe, në punë e sipër, u aksidentua rëndë. Kur mori vesh Sorka për ‘Të, tha: – Atë djalë, sa është e mundur, ta ndihmoni, jua le amanet, se atë që më ka bërë Ai, nuk e bën çdo njeri!”
Telegramin për vdekjen e Vasil Dudës familjarët e morën në Janar të vitit 1959. Këtë informacion e sjell mbesa e Tij- Viktori (Marto) Shore. Vdiq apo e vdiqën në Spitalin e Burgut të Tiranës, pa kryer as gjysmën e dënimit, në gjendje të mjerë dhe pa një varr, për ta qarë gruaja, fëmijët dhe të afërmit, duke u kthyer në ikonë prej Heroi për ‘Ta, e cila do t’i shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Aso kohe dhe pas Shembjes, nga Familja janë bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e varrit, por pa rezultat.
“ Në dhomë, me ‘Të, ka qenë edhe Themo Muzha, vëllai i Niko Muzhës,- do të vijonte shfletimin e kujtimoreve Ylli Dilo,- Dhe ai- i dënuar politik. Mbaruar Universitetin në Athinë për ekonomi dhe i laureuar me medalje nga Universiteti.”
Ky pasazh tregon qartazi se kë po godiste “koha e re”…
Nga ana e gruas së tij, Sorka Levanit, Vasil Duda ishte në rrethin e të afërmve të dëshmorit partizan Pano Xhamballo. Sorka e kishte Panon nip, djalin e motrës. Po të studiosh dhe shumë raste të tjera, të këtij lloji, të paktën në Zagori, vëren se i është mëshuar “së keqes” kundrejt “së mirës”, edhe kur, në fakt, “e keqja” nuk ka qenë vërtet e keqe. (Le të quajmë, për rastin në fjalë, “të keqe”- pasurinë materiale…). Dikush, prej ithtarëve të diktaturës, do ta justifikojë këtë me të ashtuquajturën “drejtësi” të sistemit, ku Diktatori nuk pyeti as për kunatin e tij apo kushëririn e tij, por, në analizë të thellë të atyre realiteteve, nuk përputhet thelbi me shfaqjen. Si për ta ilustruar më tej përfundimin e mësipërm, shtoj se kjo praktikë absurde shkonte deri te vetë komunistët, kur ata ndërthureshin, nga ana e bashkëshortëve të tyre, me elementin e “rrezikshëm”, edhe pse vetë vijonin të qendronin në parti, pasardhësve të tyre nuk u jepeshin të drejtat që u takonin në bazë rezultatesh dhe aftësish, sepse, më shumë se qenia e njerit prej prindërve komunist, peshonte ana tjetër- “biografia e keqe” e prindit tjetër…
Vasil Duda konsiderohet Shkëmbi Zagorit i Qendresës Antikomuniste, një masiv aspak inert, por i gjallë, në përmbajtjen e të cilit mbinë lisa dhe bar gjithmonë i gjelbër, rrënjëmpleksur me Shkëmbin e pamposhtur prej stuhisë së keqe që kaloi mbi ‘Të!

BREZNITË- DEGËZAT “FRUTORE”…
Ndër breznitë e Dudaj do të përqendrohemi tek ato të Heroit tonë kryesor, tek ato që njohim më mirë dhe do të zgjerohemi pastaj te ndonjë shembull brilant në Familjen e Madhe…
Fëmijët e tij, Evjenia, Miltua, Aleksi dhe Thimjua, hoqën “të zitë e ullirit” nga ujqërit që uzurpuan pushtetin. Milon e heqin nga puna në ministri në Tiranë, si llogaritar, dhe e çojnë në Tepelenë dhe që andej e në fshat. Me punën e tij profesionale, me shembullin dhe sjelljen e tij në kooperativën bujqësore të Zagorisë, Milua do të mbetej në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën e bashkëpunuan me ‘Të në vite si njeriu i përkushtuar dhe i kompletuar i profesionit, korrekt në detyrë dhe sistem referimi. Dhe për bashkëfshatarët: Ai- burri i urtë e i sjellshëm, plot mirësi shpirtërore, veti të vyera, të trashëguara këto e të zhvilluara më tej. Mes fëmijëve të tjerë, vajzave, Milua me Llambrininë do të lindnin Janon- Djalin e vetëm, të cilin e njohim të gjithë sot këtu në rrjetin social FB si Poetin e mallit, nga më të mirët që, me një stil origjinal të admirueshëm na e sjell fshatin, me të gjitha “punët e Naimit” dhe “peripecitë e Çajupit”, aq shumë afër, kudo që ndodhemi nëpër botë, të shpërndarë si “zogjtë e korbit”…Do të lindnin Florikën, e cila ishte dhe është ende një talent në këngë, por që nuk iu hap rruga për në Liceun Artistik.
Dhe djemtë e tjerë, megjithë aftësitë e shkëlqyera intelektuale, do të mbaheshin me detyrim çobanë në fshat. Lekua dhe Thimjua kanë qenë nxënës të shkëlqyer në shkollën e Sheperit. (Shih: Studimin e Evjen Perit: “Nxënës të Shkëlqyer Zagoritë”!) Mirëpo, fati do t’u rezervonte atyre punët e rëndomta të fshatit. E, megjithatë, me urtësinë, sjelljen e tyre, me palodhshmërinë e përkushtimin në çdo lloj pune, me dijet që zotëronin e mësonin pa pushim në jetën e tyre të vështirë, me vështirësi të imponuara, do të arrinin të përfundonin deri specialistë të mirëfilltë të ndërtimit. Pas ndërrimit të sistemeve, Lekua do të zhvillonte në fshat ekonominë private, me një merak të veçantë e cilësi, si dhe do të ecte në gjurmët e të Atit, duke u marrë me tregëti të suksesshme. Në vitin 1992, Këshilli i Ri dhe i Parë i Komunës së Zagorisë, i zgjedhur nga zgjedhjet e para pluraliste lokale, do ta zgjidhte Aleks Dudën, njëzëri dhe pa kandidat konkurent alternativ, Kryetar të tij, detyrë, të cilën do ta kryente me qetësi, urtësi, rregullsi, largpamësi dhe në ekuilibër të fortë me vuajtjet e shkuara… (Për më tepër, për figurën e Leko Dudës, lexo kujtimet e Ksenofon M. Dilos në Shkrimin e Tij “Për Njerëzit e Vërtetë!”…) Fatkeqësisht, do të vdiste aq shpejt nga sëmundja e pashërueshme, duke lenë në pikëllim të papërshkruar jo vetëm familjen e të afërmit, por dhe të gjithë ne që e njohëm. Mes fëmijëve të tjerë, do të lindtte Mimoza Kosturin- Këngëtaren e talentuar lirike, e cila do të ngrinte në një rrafsh të lartë kualitativ trashëgiminë e zërit e të këngës të prindërve të saj, veçanërisht të Nënës së Saj, Tefta Dudës- Këngëtares së shumëmirënjohur të Këngës së Kurbetit, e cila, në vitin 1973, do të ndalohej të ngjitej me këngën e Saj të dashur në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe do t’i ndalohej përfundimisht të kënduarit (!), për shkak të “biografisë politike”…Malëshovitët do ta kujtojnë Teftën me plot respekt e dashuri jo vetëm për këngët polifonike në rininë e Saj me grupin karakteristik të Malëshovës, por dhe si Mësuese.
Jani Duda, sot, do të shprehet: “Si vazhdë, edhe brezit tonë iu mohua e drejta për të vazhduar shkollat, edhe pse të shkëlqyer në mësime, disa edhe me talent. Edhe Moza, po të kishte lindur më shpejt, nuk do të kishte këtë Fat…” Si mik i kësaj Familjeje, e ndjej për detyrim njerëzor dhe intelektual t’i përcjell publikut atë që kam dëgjuar prej vetë gojës së Tyre- Mirënjohjen për muzikantin gjirokastrit Roland Çene, i cili shembi barrierat e forta, por të pakuptimta të kohës për pengimin e Mimoza Dudës në udhën e talentit të Saj artistik!
Kurse Thimjua, pas Përmbysjes së Madhe, do të shkonte emigrant në Greqi, i suksesshëm, si gjithmonë, me punën e Tij. Fatkeqësisht, edhe Thimjua do të ikte shpejt në jetën e amëshuar…Djali i Tij, me trupin lastar e kollos, me fytyrën e bukur si Dielli në Dhëmbel, mban emrin e Vasil Dudës, si shprehje kjo e traditës së krishterë shumëshekullore, por dhe e trashëgimisë gjenetike dhe Kujtimit të Një Babai që një kohë e mbrapshtë e degdisi në Ferr, pa një Varr, ku të dashurit e Tij të vendosin një tufë me lule…
Tri Djem të Vasil Dudës dhe tri Nuse të Tyre, të gjashtë- bilbilë të trojeve zagorite…
Po e përmbyll këtë shkrim me një tjetër shembull domethënës nga Familja e Madhe e Dudaj- me vajzën e Belo Dudës, Vergullën, Mësuese në rrethin fqinj të Përmetit, shembull, i cili tregon përmasat njerëzore dhe intelektuale të Familjes. Dhe nuk po flas me fjalën time, por me atë të ish nxënësit të saj, Z. Xhafer Sadiku, në një Mesazh kuptimplotë, dërguar personit tim:
“Përshëndetje!
E përmend shpesh me respekt të madh. Me shumë respekt. Ka qenë mësuesja ime e klasës së 2- të, të 3- të, të 4- t, në shkollën 8 vjeçare të Zhepovës në Dëshnicë të Përmetit. Ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të thellë. Edhe për bashkëshortin e saj, Llazo Gjicin. Ishte drejtor i shkollës.
Të dy kanë qenë shumë të mirë. Llazon e kam takuar para dy vitesh, kur erdhi nga Greqia, por mësuese Vergon nuk e kam takuar që nga viti 1978.
Po, Vergua ka qenë e jashtëzakonshme!
……….
Dëshiroj gjithë të mirat! Nëse e takoni ose kontaktoni, ju lutem përcillini nderimet e mia më të mëdha dhe respektin tim më të thellë.
Në shkollën e Zhepovës kanë punuar shumë vite. Të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre i kujtojnë me respekt dhe nuk i kanë harruar, edhe pse kanë kaluar shumë vjet. Siç më tregonte Drejtor Llazua, i kishin thënë ata të partisë në fshat të më ulte notën në mësime. Ua kishte prerë: “Kurrë! Nëse atij do t’i ul notën, do të thotë që nxënësit e tjerë t’i ngel në klasë.” Kanë qenë të dy të mrekullueshëm. Emocionohem, kur i kujtoj. Ata kanë lenë gjurmë në jetën time.
Ju falënderoj që më emocionuat!
Ju uroj suksese dhe gjithë të mirat!
Xhafer Sadiku, Tiranë.”
Edhe unë do t’u uroja gjithë të mirat lexuesve të këtij shkrimi!

(Shënim:
1. Në shkrimin e fjalëve, nuk i jam përmbajtur rigorozisht drejtshkrimit të tyre, sipas rregullit të shqipes, por disa prej tyre i kam shkruajtur me shkronjë të madhe, në mes të rreshtit, duke i konsideruar si fjalë kyçe, të cilat, në rregullin e anglishtes, pranohen të shkruhen edhe kësisoj…)
2. Ndjesë përsëri lexuesve për shkrimin e zgjatur disi përtej temës që lajmëron titulli kryesor i tij, duke e parë të arsyeshme se letërsia politike e ka të nevojshëm sqarimin e hollësishëm të kuadrit të përgjithshëm, ku kanë jetuar e vepruar personazhet e saj dhe të çasteve pikante e kulminante të historisë së përshkruar si dhe kam patur pikësynimin tim, si gjithmonë në shkrimet e këtij lloji, të ngrej edhe probleme me karakter përgjithësues në drejtim të stigmatizimit të Diktaturës dhe mbetjeve të saj sot!…)

error: Content is protected !!