Faza e dytë e Luftës për mbrojtjen e Shkodrës (shkurt – 22 prill 1913), u shoqërua me beteja diplomatike të Fuqive të Mëdha për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Pas një qendrese të gjatë dhe heroike të trupave shqiptaro-turke të komanduara nga gjeneralet Hasan Riza Pasha dhe Esad Pashë Toptani, Fuqitë e Mëdha vendosën që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë.
Rol vendimtar në këtë drejtim luajtën ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Berchtold dhe ai i Italisë, markezi Di Sangiuliano. Se si kanë ndodhur ngjarjet e atyre ditëve, e marrim vesh nga raportet diplomatike.
• Gjendja në Shkodër dhe propozimi i Vjenës
Në një telegraf të 18 prillit, Berchtold theksonte: “…është frikë që mund të bjerë Shkodra duke u dorëzuar nga shkaku që po vuan urije dhe në ngjaftë kjo do të jetë turp tepër i madh në qoftë se përpara hundës s’admiralëve të Fuqive të Mëdha do tu vihet kosa banorëve të Shkodrës…” 1
Ai vinte në dijeni vartësit e tij, se po ngarkonte komandantin e vaporëve austro-ungarë, “që kësaj sjellje provokonjëse të Malit të Zi, t’i përgjigjet flota ndërkombëtare me masa më të forta”.2
Masa më e vogël që duhej të merrej, sipas Berchtold, ishte të nxirreshin ushtarë ndërkombëtarë në tokë malazeze dhe të shkelej një a më shumë vende të bregdetit malazes. 3
Gjendja ishte e favorëshme për Malin e Zi pasi që, ndërsa në Shkodër vdisnin njerëzit nga urija për shkak të rrethimit, ai kishte sasi të mëdha drithe, të dhuruara nga Rusija dhe magazina të mëdha me ushqime, të sjella nga ushtria serbe. Po kështu kishin marrë masa të sillnin ushqime nga Pazari i Ri. 4
Ambasadori austriak në Cetinjë, më 18 prill 1913, i raportonte Vjenës: “…Gjer sa Fuqitë e Mëdha nuk e vënë me shpatulla për mur Malin e Zi, s’ka pse të ngutet Mbret Nikolla për të rënë në gjunjë. Mali i Zi po e shfrytëzon këtë kohë për të çkëputur në minutën e fundit ndonjë shpërblim tokësor (b.f. tokën që gjendet ndërmjet bregut të djathtë të Drinit e të liqenit të Shkodrës dhe në këtë punë Mbret Nikollën e kanë përkrahur e po e përkrahin dhe sot, bile me zell e energji…”5
Rryma e natyrshme që ka marrë puna e Shkodrës mund të ngatërrohet në qoftë se bje Shkodra. Sot për sot nuk kemi hala shenja që Shkodra e kështjella e saj të mos jenë më të zotët për të mbrojtur vehten dhe njeriut ia merr mendja, se 20000 malazezë (Mbreti pretendon se janë 34000 veta), pasi të hiqen serbët, nuk do t’a marrin dot me sulm Shkodrën. Mirëpo nuk e dijmë dot aspak në ka Shkodra gjyle dhe drithë të mjaftë…”6
Berchtold porosiste ambasadorin e tij t’i propozonte Këshillit të Admiralëve të flotës ndërkombëtare të bënin një hetim në ishte e rrethuar nga të katër anët qyteti i Shkodrës dhe nëse kishte mundësi të futeshin nga jashtë sasira ushqimore. Të njëjtën detyrë ia ngarkoi edhe ambasadorit në Cetinjë.
Berchtold mendonte se qeveria serbe duhej t’i jepte urdhër gjeneralit Bojoviq, “që po t’i lutet flota ndërkombëtare për të futur ajo në Shkodër lëndë ushqimore, të mos i nxjerrë ai pengime”. Ai porosiste ambasadorin austriak në Beograd, zotin von Ugron, “për t’i thënë zotit Pashiq që t’i japë një urdhër të tillë kryekomandantit serb”.7
Një zyrtar i lartë i kishte thënë ambasadorit, se po t’i dërgohej Shkodrës lëndë ushqimore së jashtmi, Shkodra s’ishte më në rrezik, “sepse tashti që u hoqën serbët, vetëm për vetëm malazestë nuk e shkelin dot qytetin me forcë”.8
• Refuzimi i Londrës
Në lidhje me planin austriak për futjen e ushqimeve në Shkodër, përfaqësuesi i Vjenës në Konferencën e Londrës, Mansdorff, më 21 prill 1913 e bisedoi me kryeministrin anglez. Mansdorff i raportonte shefit të tij në Vjenë:
“… Çeshtjen e dërgimit të lëndëve ushqimore për në Shkodër Kryeministri e quan pothua se si një operetë lufte, e sidomos që nuk puqet me detyrat e neutralitetit. Në këtë punë nuk mund të fshtetemi në përkrahjen e qeverisë inglize. Gjithashtu kryeministri është fare kundër që të shkelen vende në bregdetin malazes prej detarësh ndërkombëtarë… Ai nuk dëshiron të vërë në rrezik detarët inglizë, që të bombardohen prej malazezëve”.9
Në telegrafin e asaj date, Berchtold e udhëzonte që t’i thoshte qeverisë së Londrës se “në mos dashtë qeverija ingleze të merren masa më të forta kundër Malit të Zi, atëherë dhe Franca do të bëjë si Inglija, sado që ajo e ka pasë pëlqyer që të merren masa të forta. Mirëpo kjo gjë … do të na shtërngojë q’ Austro-Hungarija t’i përvishet punës vetëm për vetëm”.