MIDIS PERANDORIVE DHE RELIGJIONEVE

(Nga Edikti i Kostandinit tek Traktati i Berlinit)

Ky libër është një përmbledhje universale dijesh për religjionet

 

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

 

“Midis Perandorive dhe Religjioneve – nga Edikti i Kostandinit deri te Kongresi i Berlinit” është studimi i për- punuar në ribotim i autorit të mirënjohur Xhafer Sadi- ku. Të guxosh është cilësia më e vyer e njerëzve, por të guxosh në shkencë atëherë ke ushtruar jo vetëm ndjenjën e ndjesinë, por edhe mendjen dhe inteligjencën. Xhafer Sadiku ka guxuar në shkencë, në të bërit shkencë në fushën e historisë, madje në një nga anët e saj më delikate, më të ndërlikuarat, më pak të lëvruara, më shumë të përfolura e paragjykuara, siç është religjioni.

Autori pati mirësinë dhe këtë punim të dytë të këtij studimi ma dha për ta lexuar. Ishte kënaqësi për mua të lexoja një punim serioz, të mirë-strukturuar dhe me përmbajtje domethënëse për lexuesit dhe studiuesit. Pashë një kronologji historike të maturuar, por edhe literaturë e argumente pa fund në funksion të këtij studimi monografik. Janë pak ose shumë pak ata studiues skrupuloz, të cilët arrijnë të sintetizojnë mendimin dhe argumentin në funksion të studimit që kryejnë. Por me këtë punim ndodh ndryshe, sepse autori i kësaj monografie, Xhafer Sadiku, nuk është imponuar nga dikush tjetër për të shkruar dhe formuluar një studim të tillë. Duket që ai e ka dashur këtë punim dhe është angazhuar me pasion për realizimin e tij.

Në këtë libër ka të dhëna historike, parashtrime deri diku filozofike, analiza të rrethanave të kohëve dhe etapave që  ka kaluar formësimi i besimeve, fakte dhe personazhe, të cilat trajtohen në një këndvështrim të veçantë. Prandaj dhe ky libër merr vlera të posaçme, veçanërisht për brezin e sotëm, kur besimi në religjione është tronditur. Duhet pasur parasysh se shekulli i fundit solli fenomene, të cilat shkojnë drejt një ideologjie dhe filozofie që ushqen ateizmin. Droga, trafiqet, marrëzia e rendjes pas pasurisë dhe pushtetit, prostitucioni dhe trafikimi i grave e vajzave, korrupsioni  dhe kriminaliteti, të gjitha këto fenomene kanë shfazuar dhe shformësuar në një farë mase edhe besimin në religjione të caktuara si dhe zhvleftësuar parimet e besimit fetar.

Përveç kësaj, libri ndihmon që konflikti fetar të dalë jashtë kornizave të një konflikti midis civilizimeve. Autori nuk i trajton konfliktet historike midis religjioneve si konflikte midis civilizimeve. Ai i përmbahet tezës se secili besim fetar në thelb predikon të njëjtat vlera për shoqërinë njerëzore. Kushdo që e lexon këtë monografi të studiuesit Xhafer Sadiku, kupton se si religjionet gjatë gjithë historisë kanë interferuar te njëra-tjetra, se si prej tyre kanë lindur dhe janë zhvilluar konceptet e bashkëjetesës dhe harmonisë, ndërkohë që kryqëzatat dhe konfliktet kanë pasur karakter të përkohshëm dhe në të shumtën e rasteve janë ushqyer nga politika.

Unë e konsideroj këtë libër një lloj enciklopedie për fushën që ai trajton, një enciklopedi e vërtetë sa i përket të dhënave dhe informacionit që na jep. Ai është një përshkrim historik profesional i ngjarjeve që kanë ndodhur dhe rrethanave në të cilat ato janë zhvilluar. Konsistencë e faktuar dhe argumentuar në rrjedhat historike të zhvillimit të religjioneve në perandoritë, ku u përfshinë shqiptarët. Dhe më në fund një analizë e faktuar e procesit të formimit, zhvillimit dhe ndryshimit në besim fetar të shqiptarëve. Kjo është linja kryesore e shtjellimit në këtë libër të vyer jo vetëm për studiuesit, por edhe për publikun e interesuar të kësaj fushe të historisë së shkuar të shqiptarëve, së paku deri në vitin 1878, kur u mbajt Kongresi i Berlinit. Por pas këtij momenti historik nuk është se në Shqipëri, rajon e më gjerë ka pasur ndonjë zhvillim epokal sa i përket besimit fetar. Edhe sot e kësaj dite ndeshemi me të njëjtën strukturë dhe të njëjtat institucione fetare në harmoni e bashkëjetesë, sidomos te shqiptarët në Ballkan. Kjo, sepse për shqiptarët, ndryshe nga grekët dhe serbët, nacionalizmi u ngjiz jo bazuar në besimin religjioz, por bazuar në tiparet nacionale, si gjuha, kultura, trashëgimia historike dhe tradita.

Monografia është hartuar sipas një koncepti kohor në dy etapa, paganizmi dhe religjioni. Nëse shoqëria njerëzore ka kaluar shumë etapa të zhvillimit të rendeve shoqërore nga primitivizmi, skllavopronaria, feudalizmi e deri te sistemi i sotëm, religjioni ka vetëm një epokë, epokën e pas Krishtit. Nëse në libër trajtohen aspekte të paganizmit, kjo vlen thjesht për të bërë lidhjen midis besimit pagan të pa strukturuar me besimin në religjion të përpunuar dhe të dhënë në librat e fesë si Bibla dhe Kurani, apo doktrina e filozofi të tjera teologjike, si Budizmi e Judaizmi.

Që këtu duket se përligjet ajo që autori e ka përcaktuar si proces religjioz në periudhën nga “Edikti i Kostandinit deri te Kongresi i Berlinit”? Është një perceptim kohor apo substancial ky përkufizim? Xhafer Sadiku nuk le hije dyshimi. Ai është ndalur në fillim te paganizmi si forma më e përgjithësuar e besimit te popujt antike, ndër të cilët edhe shqiptarët (ilirët). Por Kostandini i Madh, ai që pa frikë mund të quhet edhe Perandori më reformator i Perandorisë Romake, shënoi kthesën historike në kapërcimin prej besimit pagan në fenë kristiane.  Kostandini i Madh ishte i pari perandor  që zyrtarizoi besimin kristian dhe shpalli të dielën si ditë pushimi. Prandaj autori në trajektoren e vet shënon si pikë nisje perandorin ilir të Romës, Kostandinin e Madh dhe si pikë të finishit Kongresin e Berlinit, kur tashmë bota merr një pamje krejt tjetër nga ajo e shekullit të IV pas Krishtit. Megjithatë, duhet thënë se figura emblematike me prejardhje shqiptare kanë një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e civilizimit fetar. Një prej tyre është Shën Jeronimi, një erudit i jashtëzakonshëm nga Dalmacia dhe përkthyesi i Biblës në greqishten dhe latinishten e re, duke i dhënë asaj emrin Dhiata e Re.

Autori përshkruan rolin e shumë figurave historike fetare, por edhe daton me korrektësi procesin e formimit dhe zhvillimit të besimeve specifike. Ai merret sidomos me këtë proces të krijimit dhe zhvillimit të religjioneve në Ballkan dhe te shqiptarët. Përshkruan me kompetencë procesin e krijimit dhe rritjes së fesë ortodokse te serbët dhe veçoritë e saj në ansamblin e përgjithshëm të besimit ortodoks të lindjes.

Sa i përket shqiptarëve në monografi përshkruhen mjaft mirë etapat e zhvillimit të religjioneve dhe fiksohen datat e krijimit të kishave dhe objekteve të tjera të kultit në vendin tonë, sidomos nga mesjeta e këtej. Por sipas raporteve dhe kronikave fetare të publikuara del se përhapja e krishterimit te ilirët dhe popujt e tjerë ballkanas ka ardhur që në shekullin e parë e të dytë pas Krishtit, d.m.th shumë kohë më parë sesa Kostandini i Madh të legjitimonte dhe zyrtarizon- te fenë kristiane në perandorinë romake.

Libri është ndërtuar sipas kriterit kronologjik, por edhe i argumentuar me metodën krahasuese. Kjo do të thotë se autori i ka qëndruar besnik rrjedhës së ngjarjeve, ndërkohë që ai ka bërë të mundur që më metodën krahasuese të japë një pamje më të plotë të tyre, sidomos në ndikim dhe në aspektin e panoramës aktuale të konfeksionit religjioz. Feja zyrtare nis me dekretin e Kostandinit të Madh për legalizimin dhe lejimin e ushtrimit të fesë kristiane dhe kjo traditë vjen e pasurohet me elementë të rinj të raporteve të perandorive ndaj religjionit. Interesant është të theksohet se këto raporte perandorake në përgjithësi tolerante me religjionet janë ruajtur në vijimësi, deri te Perandoria Osmane.

Njohuritë që jepen në këtë monografi i tejkalojnë përmasat e një rrëfimi të zakonshëm. Literatura që është përdorur dhe dokumentet që jepen e bëjnë atë jo vetëm të besueshëm dhe të argumentuar nga pikëpamja shkencore, por edhe lehtësisht të asimilueshëm në lexim. Karakteristikë është stili tregues e përshkrues i rrjedhshëm dhe logjik. Lexuesi nuk gjen pengesa gjuhësore ose artikuluese në të shkruar, me të cilat mund të ballafaqohet. Referencat janë të standardizuara nga pikëpamja metodike dhe shkencore.

Ajo që e bën këtë libër të veçantë ka të bëjë me faktin se autori ka mundur të grumbullojë aq shumë të dhëna, fakte, literaturë, ilustrime, data, vende, personazhe, sa është vështirë t’i gjesh në një libër tjetër akademik.

Përfundimisht duhet thënë se ky libër është i kompletuar për ribotim dhe se ai do të shërbejë për të ndriçuar mendjet dhe për të shpërndarë mjegullën që ekziston në çështjet e religjionit te çdo lexues i pasionuar i tij. Unë pashë në këtë punim një stil korrekt të shkruari, një përmbledhje universale dijesh, një përpjekje të admirueshme për shpjegimin objektiv të vërtetave, një përmbledhje dhe përpunim të thellë të ideve, argumenteve dhe proceseve të zhvillimit të religjioneve, sidomos në rajonin dhe vendin tonë!

error: Content is protected !!