Në librin që i kushtohet patriotit Refik bej Toptani, studiuesi Xhafer Sadiku na sjell një punim dinjitoz, në të cilin hedh dritë me profesionalizëm mbi të vërtetën historike të familjes “Toptani”, por edhe më gjerë. Autori ka shfrytëzuar arkiva të shumta dhe literaturë bibliografike të bollshme, për të na prurë një studim me vlerë, të shkruar rjedhshëm e me kronologji kohore. Duke shfletuar librin, kuptohet lehtësisht që në kulturën dhe atdhedashurinë e shfaqur nga Refik Beu, ka ndikuar në mënyrë të veçantë veprimtaria patriotike e të parëve të tij. Në materialin që na servir autori, ka fakte të shumta që provojnë bashkëpunimin e Seid* bej Toptanit me rilindësit, pasi ai qe anëtar dhe një ndër organizatorët e Komitetit të Stambollit. Bashkë me kushëririn e vet, Selim bej Toptanin, mbështetën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila përbën ngjarjen më madhore në historinë e popullit shqiptar, për shek. XIX. Ndihma e dhënë prej tyre shihet në financimin e saj, si dhe në mobilizimin e njerëzve për mbrojtjen e interesave madhore të shqiptarëve.
Studiuesin Xhafer Sadiku e kam njohur në dy kohë. Së pari, në periudhën e diktaturës së proletariatit, kur shteti komunist i dënoi të atin me burg, pse ishte familje nacionaliste dhe autoritare, ndërsa Xhaferin e privoi nga e drejta e studimit. Atë e shihje në çdo çast me libër në dorë. Së dyti, e kam njohur edhe në vitet e demokracisë, kur edhe pse në moshë relativisht të rritur, mundi të kryente fakultetin Juridik. Studiuesi Sadiku është nga intelektualët e paktë, me vizion idealist dhe bën pjesë ndër njerëzit e përshkruar nga Branko Merxhani, 90 vjet më parë, të cilët “përqendrohen në gjurmimin dhe përhapjen e së vërtetës”. Ai tregohet skrupuloz edhe në fushën e historisë. Dihet që historinë e kanë bërë njerëzit e ditur, të ndihmuar nga ata që zotëronin pasuri dhe pushtet. Të parët me anë të mendjes dhe të dytët, me mbështetje financiare. Te bejlerët toptanas na rezulton se janë përputhur të dyja këto anë të medaljes, pasi ndihmesa e dhënë prej tyre ka qenë e dyanshme. Burra të tillë kanë përfaqësuar kombin në përballje me qarqe e politika dashakaqe për Shqipërinë, kanë nxitur e frymëzuar atdhedashurinë dhe kanë punuar për çlirimin e njerëzve nga prangat e varësisë.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX, Seid bej Toptani punoi pa u lodhur për zhvillimin e gjuhës amtare, duke e kthyer shtëpinë e vet, në bazë të përhapjes së librit shqip. Meqenëse u veçua si personalitet me bindje të kundërta, në raport me politikën e ndjekur nga qeveria osmane, u dënua dhe u internua disa herë, madje në internim ndërroi dhe jetë, në vitin 1882. Veprimtaria atdhetare e pinjollëve të Seid bej Toptanit vijoi në dekada. Në librin e z. Sadiku mësojmë se ata kishin lidhje gjaku me familjen e Karl Topisë. Madje nuk mungojnë dhe hamendësimet për qenien e tyre, pjesë e trungut të Kastriotëve, ndonëse ende e paprovuar shkencërisht. Toptanasit qenë shkolluar në Perëndim dhe zotëronin kulturë europiane, jo vetëm pse jetuan një pjesë të kohës në shtete të zhvilluara, por edhe për shkak të zotërimit të disa gjuhëve dhe njohjes së veprave të autorëve të mëdhenj, në radhë të parë të shkrimtarëve dhe filozofëve francez e gjerman. Kultura e tyre lexohet qartë në përpjekjet që bënin për shkollimin e pasardhësve, sepse ishin të bindur që Shqipëria mund të përparonte vetëm me dituri. Seid Beu ishte i prekshëm edhe ndaj fenomeeve sociale, ndjente neveri, për veprimet që kryenin bandat e hajdutëve në dëm të njerëzve të thjeshtë, ndaj shpenzoi shuma të mëdha parash për stabilizimin e rendit.
Në vitin 1908, në shtëpinë e Murat Toptanit u hap klubi “Bashkimi”, kryetar i të cilit u zgjodh Refik bej Toptani. Ishte koha kur shqiptarët e kuptuan nevojën e përpjekjeve kolektive për të fituar autonominë, ndonëse e dinin që ajo nuk mund të arrihej pa ndërhyrje nga jashtë. Refik Beu pajtohej me disa rilindës të tjerë, të cilët mendonin se ndërgjegjësimi i njerëzve mbi domosdoshmërinë e autonomisë, nuk mund të realizohej pa shkrimin shqip. Pikërisht këto rrethana çuan në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, i cili, krahas problemit të alfabetit, kishte për qëllim bashkimin e popullit, pasi midis shqiptarëve kishte ende mospajtime të shumta. Autori i librit tregon se, në atë kuvend të madh, Tirana u përfaqësua nga Refik bej Toptani. Duhet thënë që mendimet e shprehura prej toptanasve ishin të vyera. Mithat Frashëri kujton ditën e tretë të Kongresit të Manastirit, kur pas diskutimit të Fishtës, që vuri në dukje se çdo prind e kishte për detyrë të mos i linte djemtë pa shkollë, e mori fjalën Fadil Pashë Tirana.* Ai foli shqip për shqiptarët dhe turqisht për njerëzit e qeverisë, me qëllim që ata të mësonin të vërtetën.
Lëvizja për arsimin shqip hasi në rezistencën e fortë të xhonturqve, ndonëse pengesë serioze u bënë edhe grekët, të cilët punonin për të shmangur ortodoksët shqiptarë nga përpjekjet për alfabetin e gjuhës amtare. Autori i librit argumenton se ishin pikërisht këta faktorë që thirrën nevojën e mbajtjes së kongresit të Elbasanit, në muajin gusht të vitit 1909, ku Tirana u përfaqësua nga Refik bej Toptani dhe Hafiz Ibrahim Dalliu. Edhe në kongresin e Dytë të Manastirit, 2 prill 1910, sërish Refik bej Toptani përfaqësonte Tiranën dhe bënte pjesë në grupin e delegatëve që kritikuan një kategori njerëzish me influencë, klerikë e bejlerë, të cilët nuk dëshironin të shkruhej dhe lexohej shqip.
Autori i kësaj monografie tregon se kur ishte fjala për përhapjen e gjuhës së shkruar, Refik bej Toptani propozonte të punohej në fshehtësi, larg syve të autoriteteve shtetërore. Pavarësisht nga vështirësitë, u arrit të çeleshin shumë shkolla, ndonëse dhuna shtetërore erdhi në rritje. Për pasojë, gjatë vitit 1910, protestat antiqeveritare, kundër moslejimit të shkollave shqipe, u përhapën në mbarë Shqipërinë. Xhonturqit arrestuan disa nacionalistë shqiptarë dhe u mbyllën të gjitha shkollat fillore, madje edhe Normalja e Elbasanit. Po ashtu, u mbyll shtypshkronja e Manastirit dhe klubet kulturore, të cilët qenë krijuar në rrugë legale. Këto veprime u shoqëruan me reagime të ashpra, të cilat, pas disa muajsh, i detyruan xhonturqit të lejonin futjen e gjuhës shqipe në shkollat ruzhdije dhe idadije.
Në këtë libër, studiuesi Sadiku na tregon se nuk ishin vetëm Seid dhe Refik bej Toptani, që nuk pajtoheshin me të keqen. Një tjetër pjesëtar i atij fisi, Esat Pasha, deputet i Durrësit, duke u njohur me qëndrimin e qeverisë osmane ndaj çështjes shqiptare, më 20 nëntor të vitit 1910, argumentonte se shkak për rebelimin e bashkëatdhetarëve të tij ishte vet qeveria, e cila nuk u plotësonte kërkesat. Ai u shpreh kundër mbledhjes së armëve pa arsye, si dhe shfaqi rezerva edhe për gjyqet ushtarake që jepnin vendime në kundërshtim me ligjin, duke përmendur një numër të madh shqiptarësh të dënuar padrejtësisht.
Autori i kësaj monografie i kushton rëndësinë e duhur pjesëmarrjes së Toptanasve në aktin e madh të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke na i sjellë bejlerët tiranas, ashtu siç kanë qenë, të angazhuar në çështjen kombëtare, por dhe të pakompromentuar, sepse vunë në plan të parë të ardhmen e Shqipërisë. Janë të shumta dokumentet arkivore, në të cilat pasqyrohet veprimtaria e tyre patriotike. Eqerem bej Vlora, më 10 janar 1912, i shkruante konsullit të Përgjithshëm austro-hungarez Rappaport që t’i jepte mbështetjen e nevojshme Fadil Pashë Toptanit, i cili qe caktuar delegat i shqiptarëve të Egjiptit, për të marrë pjesë në një mbledhje që mbahej në Gjenevë për çështjen shqiptare. Letra nisej nga Kajro. Më 6 mars 1912, konsulli austro-hungarez, Halla, i shkruante Berchtold se Dervish Hima vepronte në Shqipëri kundër xhonturqve, me synim bashkimin e shqiptarëve, i mbështetur fort nga dy vëllezërit, Murat dhe Refik bej Toptani, të cilët e quanin të gabuar qëndrimin e qeverisë ndaj interesave shqiptare. Qeveria osmane ndiqte çdo lëvizje të patriotëve shqiptarë dhe merrte masa të ashpra për të shuar lëvizjen kombëtare. Më 15 mars 1912, Fadil Pashë Toptani shkruante për diplomatin austriak, Rappaport, se e patën arrestuar në Bolonjë, për shkak të pikëpamjeve të tij proshqiptare. Madje strukturat ushtarake dhe politike perandorake pengonin tërë veprimtarinë e tyre, në një kohë që prania e toptanasve në Shqipërinë e Mesme shihej e nevojshme, ngaqë pa miratimin e tyre nuk mund të bëhej asgjë. Nënkonsulli i Austro-Hungarisë në Durrës, Ludwig von Rudnay, më 29 mars 1912, raportonte se ministri i Brendshëm Haxhi Adil Beu pasi u informua për gjendjen në Shqipëri, kërkoi të takohej me Esat Pashën dhe Abdi bej Toptanin. Ai propozoi si vend më të përshtatshëm Bregun e Matit, por më parë u lutej t’i jepnin garanci për jetën. Pavarësisht nga këto kontakte, qeveria osmane nuk mund të pajtohej me qëndrimin e tyre, ndaj dhe Fadil Pashë Toptanin e internuan në Nicë. Në një letër të tij, të datës 21 prill 1912, kërkohej mendimi i qeverisë austriake, nëse mund të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur një amnisti nga qeveria osmane, por nuk dihej nëse ishte e vërtetë. Letra e Fadil Toptanit u analizua nga diplomacia vjeneze, e cila e miratoi kthimin e Fadil Pashës në vendlindje, duke i dhënë dhe 300 franga ndihmë. Dy ditë më pas, azilanti politik i Nicës informonte mbi përpjekjet e Italisë për të shkaktuar ngjarje të padëshirueshme në Shqipëri, për shkak të problematikës që ajo kishte në Tripoli. Veprimet e Romës binin në sy, pasi Italia nuk i fshihte pretendimet ndaj Shqipërisë, të cilat ishin të njohura për diplomacinë vjeneze. Sipas Fadil Pashë Toptanit, pas humbjes së partisë nacionaliste, qeveria italiane kishte ndërruar qëndrim, pasi qe bindur në domosdoshmërinë e dhënies së ndihmës së duhur shqiptarëve që kërkonin lirinë e kombit të tyre. Mbështetja mund të ishte me armë, ose çdo lloj ndihme tjetër.
Ndihmesa e dhënë prej toptanësve ndihet hap pas hapi. Në prill të vitit 1912, Dervish Hima i raportonte Vjenës se ishin bërë përpjekje për të mbledhur shumat e nevojshme financiare për hapjen e një shkolle në Krujë, për çeljen e së cilës Esat Pashë Toptani dha 250 napolona, Fuad Beu e Abdi Beu nga 100, Refik Beu, Masar Beu, Xhelal Beu, Hamid Beu nga 50 franga, Jusuf Aga Elezi 100 dhe 300 franga të tjera u mblodhën në gjithë Tiranën, nga pak prej secilit që dëshironte të dhuronte. Madje ata punonin edhe për hapjen e shkollave shqipe në Mat e Dibër. Berchtold informohej nga Durrësi se Fadil Pashë Toptani me të vëllanë, për të realizuar me sukses një aksion të tillë, shpresonin në ndihmën austriake, për mjete, mundësisht edhe financa. Ata dëshironin të hapej shkollë edhe në Tiranë, por u ishte thënë se aty ndodhej një shkollë katolike dhe nxënësit myslimanë mund të mësonin në të. Ndërkohë punohej për mobilizimin e njerëzve në kryengritje të armatosur. Sipas konsullit Miller, në Tiranë bëhej propagandë e madhe për kryengritje nga Esat Pashë Toptani dhe nëse ata do të mund të merrnin një port në Adriatik, nuk përjashtohej mundësia që t’u vinin ndihma nga bashkëatdhetarët e tyre në Itali.
Në mes të atij viti, kryengritjet që kishin marrë përmasa të mëdha në Kosovë, u shtrinë edhe në Shqipëri, ku sërish dalin në plan të parë bejlerët. Konsulli austrohungarez, Wolfang Pollanz, më 27 qershor shkruante për ambasadorin perandorak dhe mbretëror në Stamboll, Franc Kolossa, lidhur me mundësinë e shpërthimit të një kryengritje të armatosur në Shqipërinë e Mesme. Nga Tirana vinin informacione se shembullin e Kosovës do ta ndiqnin edhe të tjerë. Në kohën që Malësia e Shkodrës organizonte kryengritjen, me ta u bashkuan edhe Fuat, Masar e Refik bej Toptani, të cilët udhëhoqën revoltën, sipas këshillës së dhënë nga Esat Pasha. Atë pasdite njoftohej se Masar bej Toptani zotëronte mbi 2 000 luftëtarë, të cilët kishin shkuar në Breg të Matit, duke vepruar kundër ushtarakëve të qeverisë. Për pasojë, trupat osmane humbën 150 vetë dhe 4 mitralozë.
Interesant është fakti i shmangjes së bejlerëve nga detyrat shtetërore. Fadil Pashë Toptani informonte Berchtold, më 24 maj 1912, se qeveria osmane dëshironte të emëronte mytesarif Abdi bej Toptanin, por ai nuk pranoi, sepse ky emërim mund t’i shërbente qeverisë për të diskretituar bejlerët, duke i paraqitur si tradhëtarë të çështjes kombëtare. Në fakt ata ishin përherë në veprim. Ditën e parë të muajit korrik thuhej se Masar bej Toptani kishte rrëmbyer me forcë arkëtarin e qeverisë në Krujë dhe synonte të bënte një organizim të përbashkët me katolikët, të cilët duhej të kapnin Krujën, ndërsa myslimanët Lezhën. Më 3 korrik, me përjashtim të Xhelal bej Toptanit, të gjithë bejlerët ishin bashkuar me kryengritësit.
Lidhur me situatën politike në Shqipërinë e Mesme, Wolfang Pollanz, më 12 korrik informonte ambasadorin Pallavicini në Stamboll, se Fuat bej Toptani kishte sjellë disa letra kofidenciale, të nënshkruara prej Esat Pashë Toptanit, me të cilat u bëhej thirrje bejlerëve të ngriheshin kundër qeverisë osmane. Abdi bej Toptani kishte pranuar kërkesat e programit kosovar dhe pohonte se lëvizja ishte drejtuar kundër keqtrajtimit të qytetarëve shqiptarë. Gjithë krerët e familjes “Toptani” qenë të zenë me problemet e kryengritjes, me organizimin dhe financimin e saj, dhe nuk kishin kohë të kontaktonin me të huaj. Ishin konsujt ata që shkonin pranë tyre për të marrë informacion. Ne mes të muajit korrik, Pollanz informonte Pallavicinin se Murat Toptani, vëlla i Refik bej Toptanit, gjendej në Tiranë, ndërsa të tjerët kishin shkuar te kryengritësit dhe patën zënë pozicione luftarake. Për nevojat e kryengritësve, vetëm Refik bej Toptani kishte pagar 700 lira turke. Ndihmat nga jashtë mungonin, ndonëse premtimet qenë të shumta. Kjo i detyronte toptanasit të bënin politikë bashkëkohore. Ditën e parë të gushtit, konsulli Zambaur informonte për një mbledhje që bëhej në Orosh, ku mendohej t’i kërkohej ndihmë Anglisë, sepse Austria nuk po u përgjigjej kërkesave të shqiptarëve. Ndër krerët kryesor të asaj mbledhjeje qenë Abdi dhe Refik bej Toptani, bajraktari i Oroshit, si dhe Dedë Çoku i Bregut të Matit. Në një farë mënyre, ky ishte një presion që i bëhej kabinetit të Vjenës.
Padurimi i patriotëve ishte i dukshëm. Javën e parë të muajit gusht, Dervish Hima i shkruante ministrit të Jashtëm në Vjenë, se shqiptarët prisnin ndihmën e tyre, pasi kryengritja po shtrihej ngado. Ai bënte me dije se bejlerët Toptanas kishin marrë në dorë organizimin e trevave të Shqipërisë së Mesme. Abdi bej Toptani kishte shkuar në Krujë për të ngritur luftëtarët në kryengritjen antiosmane; Fuat Beu, me dy batalione, të pajisur me 4 mitraloza, ndodhej në Tiranë; Hamit bej Toptani, pati bërë organizimin në Shijak; Masar Beu kishte zënë rrugën e Shkodrës, ndërsa të tjerë, nën kryesinë e Refik bej Toptanit dhe Murat Beut, mbikqyrnin fushën.
Siç shihet, ata i gjen kudo dhe në çdo rast që flitet e veprohet për Shqipërinë, jo vetëm me pushkë dhe para, por edhe me dituri. Më 10 gusht 1912, konsulli Zambaur informonte Vjenën se Abdi bej Toptani e kapedan Marka Gjoni patën shkuar në Shkup, për të marrë pjesë në hartimin e një statuti për Shqipërinë, ndërsa një javë më pas thuhej se Abdi bej Toptani me 150 luftëtarë nga zona e Tiranës, shkuan në Prizren. Autori i librit na tregon se kryengritjet e patën venë në vështirësi Portën e Lartë. Ditët e fundit të muajit gusht, konsulli Pollanz kishte biseduar gjatë me Fuat dhe Refik bej Toptanin, të cilët ishin të kënaqur me suksesin e lëvizjes antiosmane dhe nuk u zinin besë premtimeve të qeverisë së Stambollit.
Studiuesi Sadiku shkruan në librin e vet, se me krijimin e Aleancës Ballkanike, çështja shqiptare u trondit. Mali i Zi dhe Serbia shkaktuan incidente të shumta në kufi, të shoqëruara me vrasje, nën pretekstin se luftonin ushtrinë osmane, kur në të vërtetë synonin pushtimin e Shqipërisë. Edhe në këto rrethana të vështira për Shqipërinë, shohim se Toptanët sërish janë në vijën e parë. Më 11 tetor, konsulli i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër, Adolph Ritter von Zambaur, njoftonte se në atë qytet pati mbërritur Esat Pashë Toptani me 8 batalione, gjithsej rreth 5 500 vetë, të cilët qenë mobilizuar nën ndikimin e bejlerëve të fisit Toptani, në krahinat e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Krujës dhe Erzenit. Më 28 shtator, Nikollajeviç Mihal Gris, ambasador i Perandorisë së Rusisë në Kostandinopojë, qe informuar nga komandanti i garnizonit në Durrës, se Esat Pashë Toptani ishte nisur prej andej për të shpëtuar Shkodrën me 6 batalione ushtarësh dhe 5 batalione me vullnetarë. Kjo lëvizje ishte miratuar nga qeveria pas këmbënguljes së guvernatorit të përgjithshëm dhe krerëve myslimanë të Shkodrës.
Nuk mungonin dhe diplomatët që luanin rol negativ për çështjen shqiptare. Në raportin e datës 2 nëntor 1912, i dërguari i Britanisë në Beograd Ralf Paget i cilësonte shqiptarët të papërshtatshëm për vetëqeverisje, sepse sipas tij, ata silleshin si një “turmë e paqeverisshme e turbulluese”. Me sa duket, qeveria britanike ishte për ndarjen e Shqipërisë. Ministri i Punëve të Jashtme, Edward Grey, në një letër dërguar Buchanan shprehej për krijimin e një Shqipërie autonome, të cilën e përfytyronte një rrip toke buzë Adriatikut. Madje vinte kusht që Austro-Hungaria të pranonte lënien e Shëngjinit brenda kufijve të Serbisë. Kjo tregon që Edward Grey pajtohej me Rusinë, pasi ajo e pranonte krijimin e një Shqipërie të vogël nën qeverisjen e sulltanit. Sazonov argumentonte se shqiptarët nuk ishin homogjen, për pasojë nuk qenë të denjë për një shtet. Sipas tij, më të interesuara ishin Italia dhe Austro-Hungaria, por asnjëra prej tyre nuk duhej të mendonte për ndonjë formë protektorati.
Lufta e të mëdhenjve reflektonte në qëllimin e shteteve ballkanike, të cilët, nën pretekstin e çlirimit nga osmanët, fshihnin zgjerimin e territorit të tyre në dëm të Shqipërisë. Plani i fqinjëve të Shqipërisë mbështetej nga Rusia. Cari deklaroi hapur se shtetet e Ballkanit edhe po të kishin dalë të humbur në luftën kundër osmanëve, Rusia do të ndërhynte me ushtri në favor të tyre, pa marrë parasysh pasojat që mund të shkaktonte lufta europiane. Edhe diplomacia franceze u vu tërësisht në shërbim të shteteve që synonin territoret shqiptare. Madje, duke parë që Rumania ishte pro pavarësisë së Shqipërisë, Parisi bëri të pamundurën që ajo të mos përfaqësohej me ambasador në konferencën e Londrës, të cilën e drejtonte Britania me ministrin e saj të jashtëm, Edward Grey. Për pasojë, ambasadorët britanik luanin rol me rëndësi në zgjidhjen e çështjes. Situata ishte kritike, sepse Shqipëria nuk u ftua në konferencë. Për më tepër Fuqitë e Mëdha nuk e njohën aktin e Pavarësisë së shpallur prej saj. Megjithëse u ra dakord që në fillim për krijimin e një shteti shqiptar, shumë shpejt u kuptua që problematika do të ishte e madhe, pasi Shqipëria vazhdonte të mbetej nën varësinë e Perandorisë Osmane. Po ashtu, synohej t’i garantohej Serbisë dalja në Adriatik. Italia u paraqit e mjergullt në qëndrimin e saj, pasi nga njera anë donte të ruante aleancën me Austro-Hungarinë, nga ana tjetër nuk dëshironte të prishte miqësinë me Malin e Zi. Diplomacia italiane shkoi deri atje, sa të pranonte Elbasanin kryeqytet të Shqipërisë dhe Shkodra t’i mbetej Malit të Zi. Aleatët ballkanik nuk pajtoheshin me krijimin e shtetit shqiptar duke paraqitur lloj lloj argumentesh bajate, të cilat përqëndroheshin në një pikë: në paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet, në ashpërsinë e tyre si njerëz, në vuajtjet e serbeve, grekëve e malazezëve prej shqiptarëve etj.
Lideri që mori iniciativën për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte marrë miratimin e Vjenës, por qëndrimi i tyre nuk ishte i qartë. Prandaj, më 12 nëntor 1912, para se të nisej drejt Durrësit e Vlorës, Ismail bej Qemali i kërkoi politikës së Vjenës të shfaqte hapur mendimin e saj. Mirëpo diplomatët vjenezë u mjaftuan sërish me fjalë të përgjithshme, për shkak të mosbesimit që kishin ndaj tij. Një ditë më pas, Ludwig von Rudnay, informonte qendrën se nën kujdesin e Dom Nikollë Kaçorrit dhe Murat bej Toptanit, po hartohej një dokument ilegal për Pavarësinë. Po atë ditë, i dërgohej një lutje Franc Josefit I, Perandor dhe Mbret i Austro-Hungarisë, e cila firmosej nga Nikollë Kaçorri, Mustafa Asim Kruja, Fuad Toptani, Abdi Toptani, Murad Toptani, Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani. Ata kërkonin që Shqipëria, e cila përbëhej nga katër vilajete, me rreth 3 milionë banorë, të bëhej mbretëri më vete, sikurse dhe shtetet e tjera ballkanike, sepse shqiptarët janë kombi më i vjetër ndër ta, me gjuhë e zakone të veçanta. Ndërkohë po ndiheshin edhe pasojat e rivalitetit midis Fuqive të Mëdha. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sazonov, në pamjen e parë krijonte përshtypjen sikur nuk paraqiste interes për çështjen shqiptare. Por austriakët e dinin mirë që rusët punonin për plotësimin e kërkesave sllave. Për këtë shkak, përfaqëqsues të kolonisë shqiptare të Stambollit, myslimanë, katolikë e ortodoksë, më 21 nëntor 1912, u dërguan një telegram Fuqive të Mëdha, me të cilin kërkonin ndërhyrjen e tyre për të ruajtur status-quo-në e Turqisë në Europë, për aq kohë sa ishte e nevojshme për zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë.
Studiuesi Xhafer Sadiku sqaron se një tjetër pengesë ishte rivaliteti midis Ismail bej Qemalit dhe Syrja bej Vlorës. Ismail Qemal bej Vlora kishte karrierë politike të suksesshme në Perandorinë Osmane dhe qe figurë e njohur ndërkombëtare. Syrja bej Vlora ishte person me emër, por kryesisht njihej brenda vendit. Të dy rivalët ishin kushërinj. Përveç kontakteve me qeverinë e Vjenës dhe diasporën shqiptare, për të patur mbështetje popullore në shpalljen e aktit të Pavarësisë, Ismaili vendosi kontakte me udhëheqësit e kryengritjeve në Veri, si dhe çifligarë të ndryshëm të vendit. Gjithsesi, bejlerët anonin nga politika e Syrjait, pasi qenë të lidhur midis tyre dhe ndikonin te njëri-tjetri. Ndër më kryesorët ishte Veli bej Këlcyra, të cilit i kërkuan të lobonte pro Syrja Beut, duke qenë se kishte marrëdhënie të afërta me familjen “Libohova”, me Vrionët po ashtu, lidhje krushqie në familjen “Delvina”, me bejlerët e Frashërit, Toptanasit etj. Madje Eqerem bej Vlora i kërkoi Vjenës zyrtare të ndihmonte Syrja Vlorën të dilte nga Shkodra dhe të merrte pjesë në mbledhjen që do të mbahej ato ditë. Në shmangien e këtij kaosi të përkohshëm, rol pozitiv luajtën bejlerët Toptanas, të cilët qenë në krahun e Ismail bej Qemalit. Më 22 nëntor 1912, ministri i Jashtëm në Vjenë njoftohej se Ismail bej Qemali po nisej për në Vlorë dhe bashkë me të po shkonin dhe Abdi bej Toptani, Refik bej Toptani, Dom Nikollë Kaçorri dhe personalitete të tjera, të cilët qenë të gatshëm të proklamonin pavarësinë e Shqipërisë dhe të krijonin një qeveri provizore. Dita për ngritjen e flamurit në Vlorë nuk vonoi. Tirana u përfaqësua nga Abdi dhe Murat bej Toptani, të cilët e patën ngritur flamurin kombëtar dy ditë më parë në Tiranë.
Baron Descamps e shihte të vështirë vendosjen e paqes në Ballkan, për shkak të konfliktit të ashpër që e kishte përfshirë atë. Në kohën kur Princ Wiedi kërkoi ndihmën e Refik dhe Abdi bej Toptanit, për të ndikuar në zbrapsjen e trupave rebele, në vitin 1914, të dy bejlerët iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së mbretit të shqiptarëve. Madje, në atë kohë, u hap fjalë se Refik Beu ishte vrarë, ndërsa Abdiu qe plagosur. Lufta ndaj tyre nuk qe e lehtë, sepse rebelët udhëhiqeshin nga mendje intelegjente. Lëvizja e organizuar prej tyre u shpall kundër taksave dhe kundër bejlerëve, me argumentin se vendi po varfërohej. Ata shpreheshin edhe kundër rekrutimit të milicëve për në jug të vendit. Shqipëria duhej të qe e paanshme, pasi, sipas tyre, çështja e kufijve ishte në dorë të Fuqive të Mëdha.
Studiuesi Sadiku na tregon se në vitin 1914, Europa u përfshi sërish nga kontradikta dhe, me gjithë dendësinë e takimeve diplomatike, nuk gjeti qetësi. Konferenca e Londrës nuk mundi t’i zgjidhte problemet e lindura, sidomos në Ballkan. Serbia, Greqia e Mali i Zi, të pangopura me trojet shqiptare që rrëmbyen në Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës 1912 – 1913, kërkonin të shtriheshin më tej. Këto zhvillime sollën luftën midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë, e cila i krijoi hapësirë Rusisë dhe Francës që të rihidhnin në treg mundësinë e daljes së Serbisë në Adriatik, tezë e cila u kundërshtua nga austriakët gjatë Konferencës së Ambasadorëve më 1913. Shqiptarët besuan se kjo luftë do ta detyronte Serbinë të lironte trojet e tyre në Kosovë, të marra padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës. Madje Ismail bej Qemali mendonte se po të garantohej Pavarësia e Shqipërisë nga Londra, ishte mundësia të organizohej një ushtri shqiptare që të shërbente në krah të aleatëve. Në këto rrethana edhe Londra e konsideroi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve një copë letër. Kjo u hapi rrugë fuqive të interesuara të vepronin në Shqipëri, për pasojë trojet shqiptare u rivendosën sërish në tryezën e Fuqive të Mëdha, për një rindarje të re. Secila prej grupimeve kërkonte të tërhiqte pas vetes Greqinë dhe Italinë. Britanikët mendonin se për të tërhequr Greqinë në krahun e Antantës, e vetmja rrugë ishte që Athinës t’i premtohej zyrtarisht jugu i Shqipërisë. Në skemën e re përjashtohej prefektura e Vlorës, ku bënte pjesë edhe Himara, me të cilat shpresonin të joshnin Italinë.
Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e rëndoi më tej gjendjen. Shqipëria, ndonëse nuk bënte pjesë me asnjërën prej palëve ndërluftuese, pati një bilanc tragjik të numrit të viktimave, djegies së shtëpive, shkatërrimeve dhe plaçkitjeve të kryera nga pushtuesit. Më 3 shtator 1914, Princ Wiedi i braktisur politikisht dhe financiarisht nga Austro-Hungaria, u detyrua të largohej nga Durrësi. Largimi i tij nga froni u interesonte edhe italianëve, pasi duke mbetur Shqipëria pa një qeveri të vetën, mund të vendosnin më lehtë ushtrinë e tyre dhe të realizonin qëllimin. Largimi i Princ Wiedit, shpërbërja e shtetit shqiptar, shthurja e xhandarmërisë dhe kaosi i krijuar, u dhanë mundësi fqinjëve të hynin në Shqipëri. Ministri i Jashtëm rus Sazonov hodhi idenë e krijimit të një kufiri të përbashkët midis Serbisë dhe Greqisë, gjë që e fshinte tërësisht Shqipërinë nga harta e Ballkanit.
Autori i librit, Xhafer Sadiku, pasqyron ndihmesën e dhënë nga Refik bej Toptani dhe të afërm të tij, për formimin e shtetit shqiptar. Pas Luftës së Parë Botërore dhe njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Konferenca e Versajës, u mbajt Kongresi i Lushnjës (1920), prej nga zë fill dhe ecuria e shtetit shqiptar. Toptanasit qëndruan sërish larg portofoleve qeveritare. Në qeverinë e Iliaz Vrionit, Refik bej Toptani nuk pranoi postin e ministrit të Punëve Botore, pasi ishte idealist dhe kërkonte një qeveri të ndershme, ku të veprohej me drejtësi, të punonin njerëz të ditur dhe pa hatër. Ky veprim tregon karakterin e tyre burrëror, ndershmërinë e madhe dhe dashurinë që kishin për Shqipërinë. Akti i tij është vështirë të krahasohet me ditët e sotme, ku pushtetarët e kanë mendjen për të zhvatur sa më shumë nga Shqipëria. Po atë vit, Abdi Toptani u zgjodh në këshillin e lartë të Kongresit të Lushnjës. Studiuesi Sadiku na jep shkurt dhe qartë praninë e Seid Toptanit në Parlamentin Shqiptar, qysh nga zgjedhjet e vitit 1921. Më tej ai është pjesë e kuvendit kushtetetues të vitit 1923. Një vit më pas, Shqipëria u përfshi nga kryengritjet e armatosura (qershor 1924), të cilat kishin karakterin e grushtit të shtetit. Pas marrjes së pushtetit nga trupat ushtarake, Seid Toptanit dhe Zija Toptani qenë pjesë listës së zezë të Fan S. Nolit. Gjithsesi, me rënien e kabinetit “Noli”, qeveria e Ahmet Zogut, në vitin 1925, e bëri Seid Toptanin anëtar të Kuvendit Kushtetues, anëtar të dhomës së deputetëve; në vitin 1928, Seid Beun e shohim në Asamblenë Konstituente; në vitin 1932 dhe 1937 ne parlamentin shqiptar etj. Por jo vetëm kaq. Toptanasit paraqiten në libër edhe si njerëz human, pasi ata patën krijuar Strehën Vorfnore. Ka shumë dokumente që provojnë ndihmesën e tyre për fëmijë jetim e familje tejet të varfëra. Hamideja, nëna e Saidit, ka qenë shembull i veçantë në atë drejtim. Po ashtu, Refik Beu i la Strehës Vorfnore një nga çifligjet e tij. Duke mbërritur më pas në luftën kundër pushtuesve fashistë, kur shtëpia e tyre u kthye në bazë të luftëtarëve, duke i ndihmuar ata me ushqim e strehim. Por sistemi komunist e kishte të vështirë të pranonte bashkëjetesen me ta, ndaj i dënoi e burgosi disa herë. Mundet të jetë rasti i vetëm në botë, kur një sistem vendos në krye njerëz pa shkollë, ndërsa ata që njihnin 8 gjuhë të huaja shtynin karrocën apo ngarkonin makinat riportabël me gur, siç ka ndodhur me Petrit Toptanin në Tiranë, Vexhi Buharan në Berat etj.
Ky libër ka vlerë të veçantë sepse njohja e të kaluarës historike të kombit shqiptar, si dhe analiza e ngjarjeve, do të na shërbente për t’u orientuar më mirë në mbrojtje të interesave kombëtare, si dhe në hartimin e politikave të nevojshme, në dobi të përparimit ekonomik e social të shoqërisë shqiptare. Kjo mund të arrihet vetëm duke patur çdo ditë në mendje dhe mbi tavolinë, programin e Rilindjes Kombëtare, i cili lidhet ngushtësisht me Pavarësinë dhe të ardhmen.

Nuri Dragoj

error: Content is protected !!