PARATHËNIE

 

Që në fillim të shek. XIX kur nacionalizmi u bë ide mbizotëruese, formimi i shteteve të reja pati qëllim bashkimin dhe mbrojtjen e popullsisë që i përkiste të njëjtit komb. Asnjë ngjarje e karakterit kombëtar nuk ndodhi rastësisht, por nga faktorë të rëndësishëm, të brendshëm dhe të jashtëm, madje, ky i fundit ishte vendimtar. Rasti i ndikimit të Fuqive të Mëdha në formimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar nuk është i vetmi, por ndoshta më domethënësi.

Më 1772, Austria dhe Rusia arritën një marrëveshje për shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Që nga ai vit do të shënohej edhe fillimi i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha evropiane në problemet e rajonit dhe më pas në formimin dhe ngritjen e shteteve kombëtare në Ballkan.

Fuqitë e Mëdha ishin shtete kombëtare, madje disa prej tyre perandori dhe mbi principet kombëtare ngritën shtetet e Ballkanit. Mirëpo, ky parim nuk u ndoq prej tyre në rastin e formimit të shte- tit shqiptar. Fuqitë e shkelën parimin e kombësisë, themelin e ligjit të tyre kombëtar dhe i lejuan shtetet ballkanike të pushtonin tokat e shqiptarëve. Madje, ishin vetë Fuqitë e Mëdha që po ndanin në katër atdheun e tyre, megjithëse dy prej Fuqive kishin deklaruar para luftës ballkanike, se nuk do t’ua njihnin si të tyre tokat që ato do të pushtonin.

Aleanca e katër shteteve ballkanike, deklaratat e qeverive dhe veprimet e ushtrive të tyre dukej se përgatisnin terrenin për një copëtim të Shqipërisë. Elita politike shqiptare dhe shoqëritë shqip- tare jashtë atdheut e kishin ndjerë herët dhe kishin paralajmëruar Fuqitë e Mëdha, duke kërkuar mbrojtjen e tyre. Shqiptarët kishin ngritur zërin që kur mbahej Kongresi i Berlinit (1878) nëpërmjet memorandumeve dërguar Fuqive pjesëmarrëse, por ato nuk i dëgjuan. Pa përfunduar lufta e shteteve ballkanike kundër Peran- dorisë Osmane, filloi punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), ku u caktuan kufijtë politikë të shtetit shqiptar dhe u aprovua struktura ligjore qe rregullonte organizimin dhe funk- sionimin e shtetit te ri shqiptar.

Historianë të ndryshëm të huaj, kur merren me shoqëritë ball- kanike në përgjithësi dhe shoqërinë shqiptare në veçanti, arrijnë në përfundimin se shqiptarët ishin të fundit në Ballkan që formuan shtetin e tyre për shkak se shumica e tyre, e besimit mysliman, ishte e interesuar të ruante Perandorinë Osmane. Mirëpo, një për- fundim i tillë nuk i qendron kritikës.

Ndryshe nga predikime të tilla, shkaqet duhen kërkuar në ri- valitetet e Fuqive të Mëdha në zotërimet e Perandorisë Osmane në Ballkan, në mënyrë të veçantë për hapësirën etnike të shqiptarëve dhe projektet nacionale të shteteve që i rrethonin.

Arsyet ishin të shumta, faktorët që ndikuan të ndryshëm dhe ak torët që vepruan të profileve evropiane, rajonale dhe lokale. Pikër- isht, veprimtaria e tyre mbi atdheun dhe fatet e shqiptarëve, është objekt i këtij studimi.

Në Perandorinë Osmane, si perandori shumëkombëshe dhe me pluralizëm fetar, shqiptarët kishin lobin e tyre dhe zinin vend të rëndësishëm në administratën e perandorisë. Deri në reformat e Tanzimatit popujt e ndryshëm që përbënin Perandorinë Os- mane, në mënyrë të veçantë shqiptarët, kishin një nivel të caktuar vetëqeverisje. Në këtë pikëpamje, ata kishin aftësi shtetformue në tre vilajetet, të Shkodrës, Janinës dhe Kosovës.

Më shumë se vetë Perandoria Osmane shqiptarët i mbajti nën kontroll rivaliteti i Fuqive të Mëdha, kryesisht Austro-Hungarisë e Italisë si dhe gjeopolitika për ruajtjen e ekuilibrit të interesave të tyre në Ballkan. Kur ndërhynë fuqitë e tjera rivale, Austro-Hun- garia dhe Italia ranë dakord të formonin shtetin shqiptar që do të mbante ekuilibrin midis tyre.

Shqipëria bëhej një element paqeje në gadishullin e Ballkanit, për hegjemonitetin kombëtar brenda hapësirës etnike, të cilin e  kishin, por nevojitej edhe një organizim politik i vijueshëm, i drejtë e i qendrueshëm.

Historia e shqiptarëve, të paktën për periudhën nga Kongresi i Berlinit e këtej, nuk rrëfehet si kanë ndodhur ngjarjet, por sipas interesave gjeopolitike të fuqive evropiane apo rajonale. Fuqitë e Mëdha evropiane, që kishin mbështetur idenë e kombësisë për formimin e shteteve ballkanike, nuk e zbatuan atë parim kur ishte fjala për shqiptarët. Paragjykimi i tyre për shqiptarët myslimanë duke i quajtur ata turq, kur vetë Perandoria Osmane dhe turqit i quanin arnautë (shqiptarë), u solli dëme të mëdha shqiptarëve. Të njëjtat Fuqi që kishin firmosur Traktatin e Berlinit, më 1878, dhe kishin caktuar kufijtë e veriut e jugut të Shqipërisë, në kuadër të Perandorisë Osmane, më 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. nuk e respektuan vendimin e tyre,

Në Konferencën e Versajës, pas Luftës së Parë Botërore, meg- jithëse Rusia, Gjermania e Austro-Hungaria nuk ishin të pranishme, përsëri kundër shqiptarëve u shfaqën rivalitetet dhe intrigat e vjetra të Fuqive të Mëdha. U bënë përsëri plane për copëtimin e mëtejshëm të territoreve të mbetura shqiptare, u diskutua përsëri për fatin e tyre, pa i pyetur ata.

Krahas këtyre çështjeve, është me interes për lexuesin të dijë se si u sollën, çfarë bënë dhe ç’mund të bënin elita politike, paria lokale dhe diaspora shqiptare në përgjithësi, kur të tjerët po caktonin kufijtë, sovranitetin dhe autoritetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Ndëhyrjet dhe rivalitetet e sotme të Fuqive të Mëdha në hapësirën etnike shqiptare po vazhdojnë si në periudhën kur u formua shteti i cunguar shqiptar.

Gjendja e vështirë e shqiptarëve dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha më motivuan t’i sjell lexuesit këtë studim. Qëllimi i këtij studimi është që, nëpërmjet dokumenteve arkivore, të pacensuruara, lexuesi të njihet me anën e panjohur të periudhës historike të marrë në analizë. Lexuesi ta bëjë vetë vlerësimin për rolin e Fuqive të Mëdha në formimin e shtetit shqiptar, si dhe për rolin që ato kanë sot.

Për këtë punim janë shfrytëzuar burimet e fondeve të ndryshmenë Arkivin Qendror të Shtetit, të cilat përbëjnë shumicën e dokumentacionit burimor.

Për çështjet që përshkruhen në këtë punim, u jam referuar veprimtarisë së aktorëve kryesorë të Fuqive të Mëdha që kanë ndikuar në formimin e shtetit shqiptar. Po kështu, aktorët lokalë kanë luajtur rol gjatë periudhës nga shpallja e pavarësisë deri kur autoriteti i qeverisë shqiptare u vendos në tërë territorin që iu njoh shtetit shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në 1913.

Krahas burimeve arkivore të papërdorura më parë, jam konsultuar me bibliografi të gjerë nga autorë të ndryshëm që kanë jetuar apo shkruajtur gjatë periudhës kur u formua shteti shqiptar, veprat e të cilëve janë inventar i Bibliotekës Kombëtare.

Shtypi i kohës është përdorur në mënyrë të kufizuar, për shkak se, krahasuar me dokumentat arkivore, është pak i besueshëm dhe shpesh kontradiktor me to. Kjo buron nga karakteri propagandistik i një pjese të madhe të tij, për shkak të rivaliteteve dhe intrigave të Fuqive për çështjen shqiptare.

Punimin, për tu bërë më i thjeshtë, më i përdorshëm e më i kuptueshëm, e kam ndarë në tre pjesë ku secila përshkruan zhvillimet gjatë një periudhe të caktuar të procesit të shtetformimit. Çdo pjesë ka disa kapituj të cilët i parashtrojnë lexuesit çështjet që janë trajtuar në secilën periudhë.

Pjesa e parë fokusohet mbi gjeopolitikën ballkanike të Fuqive të Mëdha dhe rivalitetin midis italianizmit, pangjermanizmit dhe pansllavizmit.

Në kreun e parë të kësaj pjese, lexuesi do të njihet edhe me idenë e markezit të San Giulianos “Shqipëria, shqiptarëve” dhe pikëpamjet e mbretërve të tre Fuqive të Mëdha për Shqipërinë.

Në kreun e dytë lexuesi njihet me interesin e Romës dhe Vjenës për të identifikuar interlokutorë shqiptarë si faktorë dhe aktorë lokalë, si dhe qëndrimet e tyre, për të bashkëpunuar me ta.

Kreu i tretë i kushtohet rolit të ushtrisë osmane në mbrojtje të Shqipërisë, gjatë periudhës tetor 1912-prill 1913 dhe qëndrimit të elitës politike dhe parisë lokale në raport me zhvillimet në terren. Është interesant fakti se për këtë çështje ka dokumente të shumta në arkiva, por historiografia zyrtare, për dekada me radhe, ia ka kursyer lexuesit.

Në pjesën e dytë i sjellim lexuesit pikëpamjet e kundërta të dy blloqeve të Fuqive të Mëdha dhe pretendimet e katër shteteve ballkanike për territorin shqiptar.

Në kreun e parë dhe të dytë të kësaj pjese përshkruhen pikëpam jet e Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës. Lexuesi do të njohë me hollësi personazhet historikë nëpërmjet deklaratave të tyre për Shqipërinë. Në mënyrë të veçantë, ministrat e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Konti Berchtold dhe i Italisë Markezi i San Giulianos, me veprimtarinë e tyre, treguar nga ata vetë, kanë portretizuar profilet e tyre.

Në kreun e tretë, lexuesi njihet me pikëpamjet dhe vendimet e Fuqive për statutin, sovrantetin, autoritetin dhe karakterin e drejtësisë në shtetin e ri që po formohej. Duhet të shkojmë në atë peri- udhë për të parë dukurinë e kantonizimit dhe kapitulacioneve dhe sidomos të sovranitetit, pa të cilin nuk mund të ketë shtet. Një vend i rëndësishëm i kushtohet koncepteve dhe vizioneve që kishin për shtetin e tyre që po formohej, elita politike, paria lokale dhe intelektualët shqiptarë të kohës.

Kreu i katërt sjell informacion për shkaqet dhe pasojat që solli për Shqipërinë prishja e aleancës italo-austriake që kishte rol ven- dimtar për shqiptarët. Zhvillimet politike në Itali gjatë vitit 1914, kur u ushtrua presion i madh mbi qeverinë italiane, për ta detyru- ar të hynte në luftë kundër aleates së saj, Austro-Hungarisë, ishin përcaktuese. Gjithashtu, hidhet një vështrim mbi rolin e Italisë në jug të Shqipërisë, gjatë periudhës 1916-1920 dhe mbi debatet mes Fuqive të Antantës për proklamatën e Gjirokastrës. Interes përbë jnë për lexuesin zhvillimi i arsimit publik në zonat në jug të vendit, të pushtuara nga Italia dhe në zonat nën sundimin austriak më parë e francez më pas, në Shkodër.

Pjesa e tretë sjell në vëmendje të lexuesit anën e papublikuar të zhvillimeve në hapësirën shqiptare, pas konfigurimit të botës së re. Marrëveshja italo-jugosllave e formalizuar me Traktatin e Rampallos më 12 nëntor 1920, zgjidhi çështjen e Adriatikut dhe rrëzoi memorandumin e 9 dhjetorit 1919, i cili copëtonte Shqipërinë në jug të saj.

Në atë fazë, faktori shqiptar, me ndihmën e Italisë, do të luante rol vendimtar për unifikimin e shtetit dhe eliminimin përfundimtar të rrezikut të kantonizimit, i cili shpinte në federalizim e në copëtimin e vendit.

Parimet e barazisë para ligjit, sanksionuar në Statutin e Republikës Shqiptare, aprovuar më 4 mars 1925, hoqën përfundimisht regjimin e kapitulacioneve. Ishte epilogu i një procesi të gjatë që ngriti shtetin shqiptar dhe e bëri atë funksional, të pavarur dhe autoritet sovran.

Në përfundimin të këtij punimi, falënderoj Dr. Ardian Muhaj dhe Dr. Mentor Beqa për bisedat e zhvilluara mbi lëndën e trajtuar në këtë studim dhe qartësimin e ideve që rrjedh nga kjo lëndë.

Për lehtësirat që më kanë krijuar gjatë konsultimeve me dokumentacionin arkivor e bibliografinë, falënderoj punonjësit e Arkivit Qendror të Shtetit, Znj. Dorina Hasimja, Znj. Rudina Turkeshi, Z. Altin Kokoli, Znj. Fitnete Biti, punonjëse e Bibliotekës Kombëtare, si dhe Z. Arben Bejko.

Falënderoj në mënyrë të veçantë Z. Alaudin Bunjaku Albani, për ndihmën e dhënë për botimin e këtij libri.

 

Autori

error: Content is protected !!