PARATHËNIE

 

Viti 1946 shënoi për fshatarësinë dy ngjarje të rëndësishme: mbarimin e Reformës Agrare dhe fillimin e kolektivizimit të bujqësisë. Ato ndryshuan tërësisht rendin ekonomiko-shoqëror në fshatin shqiptar, ndërsa Partia Komunsite e Shqipërisë i konsideronte si fitoret më të mëdha të saj. Në të vërtetë gjendja në fshatin shqiptar u bë edhe më e vështirë, por mbulohej me propagandën e Partisë, sipas të cilës në Shqipëri “ç’donte populli bënte partia dhe ç’thoshte partia bënte populli”.

     Objekti i këtij studimi është politika e regjimit komunist për vendosjen e socializmit në fshat, kolektivizimi i bujqësisë, tufëzimi i blegtorisë, rezistenca e fshatarësisë dhe pasojat që solli në fshatin shqiptar. Megjithë masat e ashpra të regjimit, fshatarësia shqiptare tregoi pakënaqësi dhe disidencë të hapur. Disidencë kundër kolektivizimit të bujqësisë, kundër sistemit të grumbullimeve të detyrueshme, kundër tufëzimit të bagëtive. Për të thyer kundërshtimin e fshatarësisë, regjimi përdori masa të ashpra dhe propagandën masive.

     Ngritja e kooperativave bujqësore që Partia e propagandonte sikur bëheshin me kërkesën e fshatarësisë, në të ëvrtetë ishin me detyrim nga struktuarat e pushtetit. Pothuajse në të gjitha fshatrat e vendit vetëm një pakicë e fshatarëve mbështesnin regjimin.

Fakti që u deshin 21 vite nga ngritja e kooperativës së parë deri në përfundimin e kolektivizimit të plotë të bujqësisë, flet për rezistencën e fshatarëve. Rezistenca e fshatarëve për të mos u futur në kooperativën bujqësore ishte pothuajse në tërë vendin dhe në forma të ndryshme.

     Në kreun e parë, lexuesi njihet me elementë të disidencës gjatë zbatimit të Reformës Agrare dhe në fillimet e kolektivizimit. Kështu, vetëm një pakicë e vogël fshatarësh në ultësirën perëndimore kërkonin të zbatohej reforma agrare. Shumë prej fshatarëve nuk pranonin të merrnin pronën e tjetrit, për më tepër të enteve fetare.

     Ngjarje me rëndësi ishte kongresi i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë (nëntor 1948) që ndryshoi politikën e deriatëheshme për fshatin që ndikohej tërësisht nga Jugosllavia. Në atë kongres u aprovua politika staliniste për kolektivizimin e bujqësisë dhe zbatimi i direktivave të Stalinit dhe përvojës sovjetike në fshatin shqiptar. Në kongresin e parë të kooperativave bujqësore, mbajtur në shkurt 1949, Partia Komuniste e Shqipërisë që ndryshoi emrin në Partia e Punës së Shqipërisë, detajoi programin stalinist për ngritjen e kooperativave bujqësore, sipas tezës leniniste: “Mbështetje tek fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm, luftë kundër kulakut”. 

     Në kreun e dytë trajtohet politika e tatimeve dhe çmimeve në drejtim të fshatarësisë, triskëtimi dhe grumbullimi i detyruar i drithërave dhe sistemi i diferencuar i tregjeve në dëm të fshatarësisë.  Ishte regjimi që vendoste çmimin e produkteve bujqësore dhe industriale në tregun reciprok, në dëm të fshatarësisë. Regjmi vendosi racionimin e bukës dhe triskëtimin dhe pas kongresit të Parë të PKSH hoqi triskëtimin për fshatarësinë. Format e disidencës ishin të shumta: fshehja e bereqetit, braktisja e tokës, largimi nga fshati etj. 

     Kreu i tretë i kushtohet disidencës së fshatarëve kundër politikës së tatimeve, kundër grumbullimit të detyruar dhe marrjes së tepëricave, madje edhe të farës dhe bukës.  Në këtë kre hidhet dritë mbi vizitën e Enver Hoxhës në Bashkimin Sovjetik dhe direktivat e Stalinit për pezullimin e kolektivizimit të bujqësisë.  Në zbatim të direktivave të tij, Enver Hoxha mbajti plenumin e KQPPSH, më 14 maj 1951, i cili vendosi pezullimin e ngritjes së kooperativave.

Gjatë asaj vizite, Stalini i sugjeroi Enver Hoxhës që fshatarët të hanin vetëm bukë misri, ndërsa banorët e qytetit bukë gruri. Partia e Punës së Shqipërisë e zbatoi direktivën e Stalinit dhe deri në vdekjen e Enver Hoxhës, fshatarësia që e prodhonte grurin hante bukë misri, ndërsa banorët e qytetit bukë gruri.

     Kreu i katërt merret me kolektivizimin masiv të bujqësisë, format e organizimit të kooperativave dhe funksionimin e tyre. Vend të rëndësishëm i kushtohet rezistencës së fshatarëve, për shtypjen e të cilëve regjimi ngriti rrjetin e Sigurimit të Shtetit në kooperativat bujqësore. Për të mposhtur fshatarët , Sigurimi mori masa të ashpra duke arrestuar dhe demaskuar fshatarët që kundërshtonin ngritjen e kooperativave.

     Kreu i pestë trajton të drejtat e fshatarëve në statutet e kooperativave dhe nëpërkëmbja e tyre nga kuadri i kooperativave. Në fshatin shqiptar ishte krijuar burokracia që sundonte fshatarët dhe abuzonte me të ardhurat e kooperativës duke përfituar shpërblime të majme, në të njëjtën kohë kur të ardhurat për fshatarët ishin në nivelet më të ulëta.

Gjatë viteve të kooperativave bujqësore shteti mori çdo vit nga kooperativat shuma të mëdha në fondin e pandashëm dhe me shpërbërjen e tyre nuk u ktheu kooperativistëve asnjë lekë. Ishin miliara lek çdo vit, që nuk dihet ku përfunduan.

     Në kreun e gjashtë jepen të dhëna për tufëzimin e bagëtive dhe lopëve të fshatarëve që do të sillte varfëri ekstreme në fshat e qytet. Reformat në fshatin shqiptar thelluan pabarazinë midis fshatit dhe qytetit, në të njëjtën kohë kur propaganda e regjimit fliste për ngushtimin e dallimeve midis tyre. Në këtë kre lexuesi do të njihet me pasojat e sundimit të PPSH në fshat, që do të kishin efekt edhe pas rënies së regjimit komunist. Kështu, vdekshmëria në përgjithësi dhe ajo foshnjore në veçanti ishin shumë më të larta në fshat se në qytet. Fshatarëve nuk u lejohej të largoheshin nga fshati drejt qyteteve, ndërsa investime shtetërore nuk bëheshin në fshat e gjithçka përballohej me fondet e pakta të kooperativës bujqësore. Nuk është rastësi që në vitin 1992, kur u shemb regjimi komunist dhe u shpërbënë kooperativat bujqësore, në fshatin shqiptar, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk kishte rrugë automobilistike të shtruara me zhavor.

     Në përfundim të sundimit komunist, kur u shpërbënë kooperativat bujqësore, fshatari shqiptar ishte më i varfër se kur hyri në kooperativën bujqësore. Ai e braktisi masivisht tokën dhe fshatin dhe u largua jashtë atdheut dhe në periferi të qyteteve.

 

Autori

error: Content is protected !!