PARATHËNIE

 

Udhëtarët që shkonin fshatrave të Dëshnicës në vapën e nxehtë të korrikut, ndaleshin në një burim ujëshumë e të ftohtë, me shtatë sylynjarë. Nën hijen e rrapeve aty pranë i ledhatonte ajri i freskët dhe nga qershitë, tek arat poshtë burimit, i përshëndeste kënga e qukapikut që godiste me sqep trungun e qershisë.

Ishte burimi i famshëm i fshatit të vogël Shelq që e bënte udhëtarin të mendonte se si kishte mundësi që banorët e një fshati të vogël kishin këtë burim ujëshumë, kur fshatrat aty pranë, vuanin për ujë. Më të diturit e gjenin aty për aty enigmën: uji është jetë dhe banorët e këtij fshati duhet të jenë më të hershëm se të fshatrave të tjerë.

Në hyrje të fshatit ishte një kodër e vogël me lisa të mëdhenj, e poshtë tyre varre të lashtë. Aty pranë edhe një çezmë tjetër, uji i së cilës vinte nga disa qindra metra larg. Përgjatë bregut ishin të varrosura kockat e të parëve tanë, ndërsa poshtë fshatit rrëketë e freskëta vadisnin arat. Pylli fillonte disa dhjetëra metra mbi shtëpitë dhe nga degët e tyre na zgjonte çdo mëngjes kënga e zogjve.

Këtu fillonte atdheu për fëmijërinë tonë: tek gurra, tek lisat e mëdhenj, tek arat pjellore e tek kënga e zogjve. Tek varret e stërgjyshërve e tek ëndrrat tona.

Vendlindja jonë! Fshat i vogël, me natyrë të bukur, me toka pjellore e pemë frutore të shumta, me pyje e kullota, por mbi të gjitha, me njerëz të dashur, mikpritës e bujarë. Zakonet e mira dhe tradita e përcjellë në breza ishin vlera që i mbanin të 10 XHAFER SADIKU RAMIZ KAMANI

 

bashkuar përgjatë kohërave, që përballonin vuajtjet dhe fatkeqësitë, që ndanin gëzimet dhe hidhërimet, që siguronin mbijetesën kur shteti ishte larg apo nuk ekzistonte fare.

Por, me regjimin komunist, kohët ndryshuan. Ndryshoi edhe jeta e banorëve. Me kohë, fshati që dikur ishte më i pasuri në krahinë u katandis në varfëri.

Vendlindja jonë shërbente si fushë e eksperimenteve të regjimit, megjithëse ishte një ndër dy fshatrat që përbënin kooperativën bujqësore.

Goditja që iu dha natyrës së bukur të fshatit ishte edhe më e rëndë. Lisat që mbanin pjergullat e famshme u prenë, mollët që skuqnin vendin u thanë, koria me lisa gjethe gjerë u zhduk për tu kthyer në tokë bujqësore, që në fakt prodhoi vetëm gjemba. Tokat e pasura në mal u “kafshuan” nga ekskavatorët dhe dheu i tyre ngriti digën e ujëmbledhësit që ujiste tokat e Skraparit.

Në këtë fshat, si në pak fshatra të Shqipërisë, regjimi komunist do të realizonte shtypjen më të egër dhe përçarjen më të madhe. Në këtë fshat do të bënte eksperimetet në fushën e ekonomisë dhe të ashpërsimit të luftës së klasës, përmbysjen e vlerave dhe vjedhjen e kontributeve të atdhetarëve.

Familjet që kishin dhënë më shumë për atdhenë, u persekutuan e izoluan dhe iu mohuan të drejtat për dyzetë e pesë vjet.

Po cilët ishin në të vërtetë banorët e këtij fshati që regjimi i shtypi dhe nuk i theu dot?! Cila ishte historia e tyre?!

Ky është motivi që na nxiti të shkruajmë këtë libër për vendlindjen tonë. Qëllimi jonë është që të sjellim për lexuesin një panoramë të plotë të jetës së banorëve të fshatit që brezat e rinj të njohin historinë e vërtetë të tyre. 

 

Për këtë punim jemi konsultuar me dokumentacionin arkivor dhe me përfaqësues të famijeve të fshatit që me dëshmitë e tyre “u kanë dhënë jetë” banorëve të larguar nga jeta.

Dashuria për vendlindjen na frymëzoi të hedhim edhe këto rreshta në këtë libër, për tu bërë homazh atyre që nuk janë më, dhe një kujtesë për brezat që do të vijnë.

Natyrisht, në një libër nuk mund të përfshihen dot të gjitha jetët e njerezve, vuajtjet dhe sakrificat. Por, le të jetë ky punim modest për të kujtuar vuajtjet e padrejtësitë, vlerat, traditat dhe zakonet e mira, në mënyrë që historia e dhimshme të mos përsëritet më.

 

Autorët

error: Content is protected !!