Me ndryshimin e aksit gjeostrategjik të Shqipërisë, politika e shtetit u zhvendos me kahje nga Perëndimi dhe studimet e reja të historiografisë zyrtare, duket se u fokusuan në funksion të orientimit të ri politik. Mirëpo historia ka ndodhur, dhe historianët vetëm e shkruajnë. Ata nuk mund ta bëjnë historinë sa herë ndryshon gjeopolitika. Këto kanë krijuar boshllëqe në formimin e brezave me të vërtetën historike, ndërsa vetë e vërteta është tjetërsuar.

Popujt e Ballkanit kanë qenë për periudha të gjata pjesë e perandorive, të perëndimit e të lindjes, dhe ndikimi i tyre mbi këta popuj ka qenë i madh. Perandoritë kanë pasur rolin e tyre në përhapjen dhe mbrojtjen e religjioneve përgjatë sundimit të tyre.

Më shumë se nëntëmbëshjetë shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë e tre perandorive, të cilat bazoheshin, jo tek kombi por tek politika dhe feja. Ndikimi i politikës dhe religjioneve kanë qenë thelbësore në jetën e tyre.

Në botimet e historiografisë gjatë regjimit komunist (1945-1990), madje edhe postkomunist, kur trajtohet çështja e politikës dhe religjioneve, teza bazë e shkollës marksiste ishte se Islami në territoret shqiptare është përhapur me dhunë nga Perandoria Osmane. Mirëpo osmanët pushtuan edhe popuj të tjerë të gadishullit të Ballkanit dhe natyrshëm lind pyetja: Pse këta popuj nuk i konvertoi me dhunë në fenë Islame?! A mos vallë këta ishin më trima se shqiptarët?! Po pakica e shqiptarëve që nuk u konvertua në Islam, mos ishte edhe ajo më trime se shumica e të njëjtit komb?! Nëse Perandoria Osmane ka vepruar kësisoj, si janë sjellë Perandoria Bizantine dhe ajo Romake përpara saj, që kanë sunduar katërmbëdhjetë shekuj?! Duket se studimet historike nuk i kanë shërbyer të vërtetës, për të ndriçuar mendjet e njerëzve, por politikës së ditës, në funksion të sunduesve të radhës.

Qëllimi i botimit të këtij studimi është t’i parashtrojë lexuesit ngjarje, të bazuara mbi dokumente dhe bibliografi të zgjedhur e serioze, mbi ndikimin e politikës dhe religjioneve dhe rolin e madh që kanë ushtruar mbi kombet në gadishullin e Ballkanit dhe në territoret shqiptare, ku janë bashkuar dhe ndarë perandori, qytetërime dhe religjione.

Natyrshëm që, për politikën dhe religjionet bëhen shumë pyetje dhe të tjera lindin, ndërsa përgjigjet ndryshojnë sipas pikëpamjes së autorëve të ndryshëm, nga kombe apo religjione të ndryshme dhe jo sipas fakteve të marra në analizë.

Nuk janë të pakët as ata që e kanë të vështirë ta përballojnë trajtimin e argumenteve kur është fjala për panoramën ballkanike ku feja, kombi dhe politika përziehen e ngarkohen emocionalisht. Në botimet e autorëve të ndryshëm në perëndim dhe vendet fqinje, kur është fjala për shqiptarët myslimanë, përdoret rëndom termi “turk”. Nuk merret parasysh se janë dy popuj të ndryshëm, pavarësisht se kanë jetuar bashkë në një perandori, përgjatë afro pesë shekujve.

Duke mos pasqyruar të vërtetat historike në tekstet e shkollave dhe universiteteve, fshihen humbjet e shqiptarëve gjatë kryqëzatës së shteteve ballkanike, kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre myslimanë në veçanti.

Studimi i kësaj lënde dhe njohja e politikës dhe religjioneve e tre perandorive, pjesë e të cilave kanë qenë shqiptarët, do të ishin të dobishme për lexuesin sepse duke iu afruar së vërtetës, orientohemi më mirë drejt së ardhmes dhe shmangim gabimet e bëra nga paraardhësit tanë.

Duke hedhur vështrimin mbi perandoritë Romake, Bizantine dhe Osmane, mund të përfytyrojmë rrugën që kanë bërë shqiptarët përgjatë historisë, ku rol shumë të rëndësishëm kanë luajtur politikat e perandorive që përcaktuan fatet e tyre dhe religjionet që u bënë pjesë shpirtërore e popullit.

Jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur faktorët e përhapjes së religjioneve në këto hapësira, raportet midis Islamit dhe Krishterimit, si dhe marrëdhëniet brenda secilit religjion. Interesante kanë qenë raportet midis Kishë Katolike me Kishës Orthodhoke dhe secilës prej tyre me Protestantizmin, të cilat kanë pasur dhe kanë ndikim të madh në jetën e popujve. Në libër ceket edhe inkuizicioni në territoret shqiptare dhe kryqëzatat e mesjetës mbi këto territore.

Materialet arkivore të konsultuara janë nga fondet e Arqipeshkvisë së Shkodrës e Durrësit, fondet e Urdhrit Jezuit e Françeskan, të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të Komunitetit Mysliman e Komunitetit Bektashi. Përveç tyre, janë shfrytëzuar materialet e fondeve të tjera të Arkivit Qendror të Shtetit, që kanë objekt religjionet dhe marrëdhëniet e strukturave të shtetit me to.

Lënda e përpunuar nuk është mbledhur thjesht dhe vetëm për të formuar një koleksion. Kërkimi, bashkimi dhe klasifikimi i gjithë elementeve nuk janë bërë në mënyrë selektive dhe përjashtuese, por tërësore. Mënyra e përdorur është grumbullimi dhe sistemimi i dokumenteve dhe fakteve rreth temës që trajtohet, nga historianë me mentalitete të ndryshme, por që ekspozojnë në mënyrë organike dhe shkencore të njëjtin fakt, ngjarje apo elementë esencialë.

Bibliografia e konsultuar është nga autorë të ndryshëm që trajtojnë të njëjtën temë, por nga aspekte të veçanta dhe kritere po ashtu. Periudha e gjatë e marrë në studim dhe gjerësia në hapësirë konvergon rreth temës dhe lidhet midis kronologjisë dhe gjeografisë, të cilat, në një farë mënyre, janë syri i historisë.

Hapësira etnike shqiptare është zvogëluar dhe është copëtuar përgjatë historisë, por në këtë studim e marrim Shqipërinë të hapur në “kufijtë” e saj etnografikë, përgjatë kohërave. Faktet dhe dokumentet e konsultuara për këtë punim, janë dhënë në funksion të këtij objekti dhe të kësaj hapësire.

error: Content is protected !!