Jetojmë në një kohë kur politika dhe propaganda prodhojnë “heronj” të rremë. Ndërsa ata, heronjtë e vërtetë nuk u ndjenë. Ata; ose heshtën nga thjeshtësia, ose vdiqën dhe nuk u kujtua kush për ta. As shokët e tyre të vuajtjeve, as ata që i shitën për të mbijetuar vet. Me qëndresën dhe heroizmin e tyre mburren zvarranikët, qesharakët, qaramanët, interesaxhinjtë!!!
Por, ata janë aty… në dosjet e Sigurimit. Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit që kur është krijuar një farë autoriteti i dosjeve të Sigurimit, nuk kemi lexuar asnjë emër heroi, asnjë emër krimineli!!!
Njëri prej heronjve të qendresës ka qenë Pjetër Ndok Vlashi, nga katundi Gjadër i Lezhës, bir i një familje dikur të pasur dhe e cilësuar kulak.
Më 24 korrik 1976 Sigurimi e vuri në përpunim aktiv 2-A, për agjitacion e propagandë kundërevolucionare. Por, qëllimi i Sigurimit të Shtetit ishte ta rekrutonte si agjent me material shtërngues, në drejtim të disa personave që përpunonte sigurimi si, Pal Ndoc Ndoka, Gjin Lek Ndoka, Zef Gjok Koleci, Shtjefën Ded Ndoka, Lek Ndoc Ndoka, – që të gjithë nga radhët e kulakëve.
Sigurimi krijoi një legjendë dhe qendra e punës e dërgoi Pjetrin me shërbim në Tiranë. Gjatë këtij udhëtimi, Sigurimi e arrestoi në fshehtësi dhe natën e 8 shtatorit 1976 e solli në birucat e Degës së Punëve të Brendshme Lezhë, ku iu nënshtrua një hetuesie intensive. Për dhjetë ditë e netë, sektori i sigurimit nuk e theu dot. Ai nuk pranoi akuzat që i bënin dhe refuzoi bashkëpunimin me Sigurimin e shtetit.
Sigurimi deshtoi ne planin e tij nga qendrimi i vendosur i Pjetrit dhe ia kaloi çeshtjen sektorit të hetuesisë. Ai u dënua me 7 vjet burg.
Duke qenë se emrin e këtij të burgosuri hero nuk e përmend Autoriteti i Dosjeve, mbetet të na tregojë emrin e “Malësorit”.