Në një letër të Hysni Kapos dhe Shefqet Peçit, komisar dhe kamandant i Brigadës V Partizane, dërguar Komandës së Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë- Gjirokastër, në 3 maj 1944, bëhej fjalë për mobilizimin në formë arrestimi në Bolenë dhe sekuestrimin e bagëtive të kundërshtarëve politikë.
Po në atë letër theksohej se lista ka qenë e përpiluar nga vetë këshilli Nacional Clirimtar i Bolenës e pikërisht nga këshilltarët Asim Aliko dhe Razo Zeneli.
Gjithashtu, për sekuestrimin e bagëtive të Muslli Arifit dhe të Ajaz Hysenit nga Bolena, ishte marrë aprovimi i dy këshilltarëve në fjalë dhe komandantit të qarkut, Izet Mediri.
Muslli Arifit i morën 138 kokë dhi shterpa dhe 10 lopë të cilat iu dhanë këshillit të Bolenës, për t’ia dorëzuar Brigadës VI, duke i lënë familjes së tij 18 dhi pëlla, 5 shterpa, 2 qe dhe 1 lopë me vic. Shumica e bagëtive i shpëtoi se i kishte në zonën e Ballit.
Ajet Hysenit i morën vetëm një të pestën e dhive shterpa (56 kokë) dhe një mushkë, pasi një djalë e kishte me Ballin.