Në procesverbalin e mbajtur në datën 1 gusht 1943, lexojmë se në katundin Mukje u mbajt mbledhja e dytë e delegacioneve të Ballit Kombëtar dhe Organizatës Nacional-Çlirimtare. Mbledhja e parë ishte zhvilluar në Tapizë, në 26 korrik 1943.
Kryesia e mbledhjes u zgjodh me vota unanime, ku kryetar u zgjodh Thoma Orollogai dhe sekretar Mustafa Gjinishi.
Bisedimet i hapi Hasan Dosti
Pika e parë u vendos në këtë mënyrë: Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundra cdo armiku tjetër eventual okupator.
Pika 2. Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta Atlantike të Vetvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.
Pika 3 u ndryshua në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.
Pika 4 ndryshohej dhe pranohej në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bje me formimin e një qeverie provizore.
Pika 5 ndryshohej dhe pranohej në këtë mënyrë: Forma e Regjimit do të caktohej prej vet popullit me anën e një mbledhje konstitucionale të zgjedhur me votim të përgjithshëm.
Në datën 3 gusht u mblodh për herë të parë Komiteti Provizor i përbërë, nga ana e Ballit: Hasan Dosti, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Vasil Andoni, Ethem Haxhiademi dhe Xhemal Herri dhe nga ana e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Clirimtar: Abaz Kupi, Musrafa Gjinishi, Inxh. Spiro koleka, Vasil Nathanaili, Malo Frashëri dhe Haki Stërmilli.
Rendi i ditës ishte: Shpallja e Proklamatës së Pavarësisë, Aksione imediate dhe Bashkërendimi i aksioneve.
Për bashkërendimin e aksioneve u zgjodh një shtab me kryetar Hasan Dostin dhe sekretar Mustafa Gjinishin.
Parrulla e përbashkët do të ishte: “Ja vdekje, Ja liri”.
U vendos që të dy organizatat të urdhëronin forcat e tyre të armatosura për të filluar aksione imediate kundër okupatorit në bashkëpunim me njëra tjetrën sipas rrethanave.
U muar në bisedim problemi i shtabit dhe u la për një studim më të imët për në mbledhjen e nesërme.
Pas kësaj Marrëveshje, dihet përfundimi. Ajo u prish nga Partia Komuniste e cila e donte e vetme pushtetin dhe për këtë qëllim mbajti një konferencë në Labinot në fillim të shtatorit 1943.