Aleksandër Thomson, doktor i teologjisë i Shoqatës Biblike bëri dy vizita në Shqipëri, në 1863 dhe 1867. Ja si e përshkruan Shkodrën:
“Të hënën bëmë vizitë tek Pashai i cili na u duk tepër i këndshëm dhe gati për të na dhënë gjithë lirinë dhe mbrojtjen që mund të dëshironim për veprimet tona. Ai foli me një krenari të ndershme, ndonëse siç menduam me ndonjë mbitheksim të pakët, për përpjekjet e tij për shtypjen e grindjeve dhe gjakderdhjes nëpër krahinën e qeverisjes së tij, jo me dhunë ose thjesht me kufizime policore, por me themelimin e shkollave dhe vendeve të kultit.
Pastaj vajtëm tek Rushdi Mekteb, ose shkolla qeveritare, të cilën e kisha gjetur më parë në një gjendje shumë efikase. Ajo mbante ende reputacionin e saj. Daond Efendi, pedagogu, ishte ende atje, po aq energjik sa më parë, dhe pjesëmarrja ishte rritur aq shumë saqë ndërtesa në të cilën ishte më parë ishte lënë për degën e ciklit të ulët, ndërkohë që Daond Efendi me nxënësit më të mëdhenj ishin zhvendosur në salla më komode në një godinë të bashkangjitur. Dr. Koelle dhe unë u kënaqëm shumë që patëm mundësi të vizitonim këtë shkollë, sepse Daond Efendi ishte një njeri i arsimuar, dhe me karakter entuziast dhe energjik, dhe dukej qartë se kishte fituar ndjenjat e dashura të nxënësve të tij, dhe i kishte frymëzuar me një pjesë jo të vogël të zellit të vet. Kjo në vetvete ishte një pamje e pëlqyeshme, dhe megjithëse ajo u dobësua deri diku nga mendimi që karakteri i cili formohej në atë shkollë do të ishte i ngarkuar me nocione dhe ndjenja islame mjaft të forta, prapë dukej në përgjithësi më mirë që popullit t’i mësoheshin elementët e diturisë, si p.sh. këndimi, shkrimi, gramatika, gjeografia etj., edhe nën një mbikëqyrje jo të favorshme, sesa të lihej fare pas dore.
Daond Efendi na priti me përzëmërsi të madhe, dhe mund t’i bënim komplimentin me se të ndershëm që ai ndodhej në krye të shkollës islame më të begatshme që kishim parë gjëkundi në Turqi.
Shkolla gjendet në pjerrësinë e thepisur të kodrës mbi të cilën është ndërtuar fortesa, dhe ngaqë Pasha me mirësjellje na kishte dërguar një oficer për të na përcjellë tek shkolla, dhe çdo vend tjetër që mund të zgjidhnim, ne vendosëm të përfitonim nga shoqëria e tij për të vizituar të famshmen qytezë të vjetër”.

error: Content is protected !!