Në 18 shkurt 1916, një komision i përbërë prej: Ahmet Bej Zogut, Qemal Bej Elbasanit, Ahmet Efendi Haxhisinani, Ymer Efendi Stringa, Shefqet Daiu, Sava Papajani, Simon Shuteriqi, Thanas Floqi dhe Lef Nosi vendosën që më 2 prill allafrënga të mblidhej në Elbsan një kongres kombëtar për të biseduar për gjendjen në të cilën ndodhej vendi dhe masat që duheshin marrë për forcimin e shtetit shqiptar.
Komisioni do ti propozonte ministrit të Brendshëm, Aqif Pashës, që të merrte masat e nevojshme për të filluar përsëri punën ku e kishin lënë kur u shpërnda qeveria e Princ Vidit. Për ministritë që nuk kishin ministra, komisioni i propozoi Aqif Pashës të zgjidhte tre veta nga një lishtë prej 16 personalitetesh, të cilat ishin votuar nga komisioni në fjalë. Nga lista në fjalë, Ahmet Zogu dhe Lef Nosi nuk pranuan të zgjidheshin ministra edhe pse ishin i treti dhe i katërti në numrin e votave të marra nga komisioni në fjalë.
Kryetari i Komisionit ishte Ahmet Zogu, i cili njoftoi personalitetet në tërë Shqipërinë. Por Kongresi Kombëtar nuk u mbajt për arsye se komanda ushtarake Austro-Hungareze nuk e lejoi, pasiqë ishte kohë lufte.