Raport i ambasadorit austriak, datë 17 janar 1913, për kontin Berchtold
“Z. Grej e pëlqeu që diskutimi i kufijve shqiptarë t’a fillojmë të mërkurrën tjetër. Ai ka folur gjatë e gjërë me kolegun tem rus dhe ka përshtypjen se ay në punën e Shkodrës do të ngulë këmbë e do të mos heqë dorë. Në mos u marrçim dot vesh – që do të jetë punë mjaft e keqe, – atëherë të paktën e konstatojmë se ku na has sharra në gozhdë dhe sa larg jemi njeri nga tjetri. Seç do të bëhet pastaj, është e vështirë që ta thotë dot njeriu që më parë. Në Forein Office besoj se çmohet që theza jonë është e drejtë, por kurdoherë më thonë se e ka pisk z. Sazanov, të cilin në Rusi e quajnë si fajtor që paska lëshuar pe për të gjitha. Pas çeshtjes së limanit serb, na tashti dhe në punën e Shkodrës! Dhe për zotin Benckendorff situata nuk është e lëhtë. Shtypi rus po e godet q’është katolik e që ka emër gjerman, që s’meriton të jetë përfaqësonjës rus, i bisedon të gjitha me Lichenoësky-n e mua etj. etj… Markezi Imperiali, si italian i vërtetë, kërkon kurdoherë që “mishi të piqet e helli të mos digjet”, dëshiron me gjithë shpirt që t’i jepet Rusisë ndonjë shpërblim, që të heqë dorë nga Shkodra, pa u dukur se u përul në këtë çështje. Zotit E. Grey ia kam përsëritur shumë herë argumetat t’ënë se në punën e Shkodrës nuk kanë të bëjnë aspak as interesa sllave, as orthodhokse. Me gjithë atë ay pandeh se Konti Benckendorff do të bëjë kundërshtim aq të fortë, sa mund të prishet puna. Pra shpresat nuk janë fare të mira, me gjithë të jo aq të këqija sa tre javë më parë, kur u pat thënë z. E. Grey kolegëve të mij gjerman e italjan në mënyrë fare të sertë, se në u haptë ndonjë konflikt ndërmjet nesh e Rusisë për punën e Shkodrës, ay do të merrte doemos anën e Rusisë. Këto ditët e fundit, duket se z. Grey nuk do të ketë përdorur fjalë aq të forta se do të m’i kishin thënë doemos të dy kolegët e mij. Mua ma ka pas thënë hapur Sekretari i Shtetit se çeshtja e kufijve të Shqipërisë është ajo më e rënda dhe m’e koklavitura nga të tëra të tjerat që do të bisedohen në Konferencën e Ambasadorëve. N’e zgjidhçim dot këtë çeshtje, më tha ay, atëherë s’mbeten më pika të tjera që mund t’i futin në konflikt Fuqitë e Mëdha”.
Ishte lufta heroike e Shkodrës që detyroi Fuqitë te vendosnin që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë.