Raport dite mbi një fjalim me ambasadorin Italian, 12 prill 1913 Nr. 1664. Koncept (Berchtold)

“Duka i Avernës më komunikoi sot me porosi të qeverisë së vet një proponim të zotit Titoni mbi kufirin jugor të Shqipërisë. Atij i’a marrka mendja se kufija do të mund të vihet në Kallama. Që të vihet kufija në Kallama, duhet ta pëlqejnë të gjashtë Fuqitë e Mëdha. Pa një pëlqim të tillë është frikë se do të na duhet, neve dhe Italisë që të veprojmë me kokë tonë, mirëpo një gjë e tillë mund të ketë për konsekuencë një luftë evropjane. Prandaj, duhet patjetër të bëjmë ndonjë farë kompromisi në këtë çështje. Trilidhja dëshiron që kufija të vihet në Kallama, kurse qeveritë e Trikuptimit po kërkojnë të gjendet një rrugë e mesme dhe mbi këtë pikë z. Cambon paska thënë në Londër se kufija të nisi në breg të detit që në kepin Kefali. Në dashtë Italija të heqi dorë nga kufija e Kallamas, që t’ua përfilli dëshirat Fuqive të Mëdha të tjera, atëherë duhet të pyesë më parë Shtabin madhor italjan, në mund të bëhet kjo punë pa na hyrë ferrë në këmbë. Puna është që mishi të piqet dhe helli të mos digjet, veçse kuptohet vetiu që mund të lëshojmë aq pe, sa ta gjejë me vend Shtabi madhor e sidomos që të mos cënohen sigurimet për neutralitetin e Grykës së Korfuzit, që janë parashikuar në protokollet më 14 nëntor 1863 dhe më 24 nëntor 1864. Kur më pyeti Duka i Avernës se ç’mejtoj për këtë punë, i’u përgjegja se mua më duhet të këshillohem më parë me Shtabin madhor austro-hungarez”.

error: Content is protected !!