Profesor Stanislav Rudolf Zuber

Profesor Stanislav Rudolf Zuber u lind në 1893, në Elvuf të Polonisë. Në 1911 mbaroi gjimnazin Lvov dhe vazhdoi studimet universitare në Krakovit – Livëf, dhe pas përfundimit atje, vazhdoi edhe në Baku ku qëndroi deri në 1923. Atë vit u kthye në Poloni ku u antarësua në Komitetin Gjeologjik Azneft, ku botoi shumë studime në organet zyrtare sovjetike.

Intelektual me kulturë të gjerë, ai zotëronte nëntë gjuhë: polonisht, rusisht, gjermanisht, frengjisht, anglisht, italisht, shqip, serbisht, greqisht, e disa gjuhë të tjera si arabisht, persisht, armenisht të cilat i shkruante mirë.

Në fund të vitit 1926 u thirr nga shoqëria italiane A.G.I.P. në Mal të Zi dhe një vit më vonë iu ngarkua të bënte studimin gjeologjik të zonave të Shqipërisë (Vlorë-Berat-Elbasan). Në nëntor 1928 u thirr përsëri nga AGIP dhe u dërgua në Kuçovë, ku gjeti shtresa naftëmbajtëse.

Në shtator 1929 mori pjesë në kongresin ndërkombëtar të gjeologjisë dhe teknikës vajgurore të mbajtur në Paris. Që nga ai vit ishte pjesëmarrës i përhershëm i kongreseve ndërkombëtare në fushën e kërkimeve gjeologjike. Në mars 1929 mbaroi një studim për disertacionin që e mbrojti në universitetin e Krakovit. Në fillim të vitit 1930 shkoi përsëri në Romë për të kompletuar studimet shkencore, ku qendroi deri në maj të atij viti.

Gjatë viteve 1926-1936 u dërgua disa herë në Shqipëri për të bërë studime për naftë dhe gaz, ndërsa në shtator 1933 bëri studimin themelor për ujësjellësin e Selitë së madhe, në Tiranë. Në tetor 1934 studioi zonat midis Elbasanit- Korçës-Vithkuqit dhe Përmetit, për nevoja të A.I.P.A. s, në kërkime vajgurore dhe bakër. Në 1936 u vendos përfundimisht në Shqipëri, ku qëndroi në Kuçovë deri në 1947, kur edhe e arrestuan.

 

Profesor Zuber u arrestua “për veprimtari kundër pushtetit popullor”, si antar i të ashtuquajturës “organizata tekniko-intelektuale”.

Sigurimi e akuzonte se pas çlirimit mbante lidhje me elementë të dyshimtë, se kishte folur kundër Pushtetit dhe reformave, se kishte lëvizur shumë herë dhe mbante lidhje me elementë të dyshimtë dhe kundërshtarë të Pushtetit si, Ing. Andrea Xega, Ing. Sulo Klosi, Ing. Petrazi, Dr. Lozzi; se kishte takuar në Shkodër Preng Kaçinarin, Rexhep Mborjen, Mark Gurashin e Alfred Ashikun. Po kështu, në Tiranë ishte takuar shumë herë me Sabiha Kasimatin dhe Eqrem Çabejn, njihej me Ali Kacelin dhe kishte miqësi me Vesim Kokalarin.

Kundër Prof. Zuber bëri një deklaratë edhe fshatari Zeqo, i cili banonte në afërsi të shtëpisë së profesorit, në Kuçovë. Zequa kishte “vuajtur shumë” nga profesori i cili i blinte produktet bujqësore dhe blegtorale.

Sipas Sigurimit, Profesor Zuber ishte “prototipi i një reaksionari”, kishte “kulturë të gjanë rreaksionare, i pajisur me pik-pamje të forta demokratike”.

Prof. Zuber vdiq në birucat e burgut të “armiqve të popullit” dhe sipas raportit mjeksor, ai kishte ngrirë, natën midis datave 17 e 18 tetor 1947.

Sipas raportit në fjalë, ai kishte ndenjur shumë ditë pa ushqim, në të ftohtë dhe pa mbulesa. Sipas mjekut, në rast se 3-4 orë para vdekjes të kishin ndërhyrë me një kurë dhe me nxemje të trupit dhe me mbulesa, do të kishte shpëtuar patjetër.

 

Profesor Zuber ishte i vlerësuar nga Mbreti Zog, por, edhe pse e njihte Enver Hoxhën, ai pati fund tragjik nga regjimi i tij.

Vdiq kështu një nga shkencëtarët më të mirë në fushën e kërkimeve të naftës dhe gjeologjike në përgjithësi, ai që Shqipëria duhej ti ngrinte një monument.

 

Kur regjimi komunist eliminoi edhe inxhinierët e fundit të Naftës, në 1975, udhëheqja komuniste kërkoi të gjendte studimet që kishte bërë Prof. Stanislav Zuber, për ti përdorur.

Nga raporti i Feçor Shehut, që mban datën 8 janar 1976, dërguar Adil Çarcanit dhe Pali Miskës, rezultonte se në dosjen hetimore të Stanislav Zuber më 1947 dhe Andrea Xegës më 1948, nuk u gjet asnjë dokument ose material tjetër për probleme të shfrytëzimit të naftës si dhe për asnjë mineral tjetër.

Në dosjen e Stanislav Zuber-it ndodhej një shënim i datës 3 qershor 1961 i bërë nga një kuadër i ministrisë së Brendshme, në të cilën thuhej se sipas kërkesës së ministrisë së Industrisë dhe Minerave, blloku i vogël i Stanislav Zuberit me shënime gjeologjike në gjuhën polake, i ishte dërguar ministrit Adil Carcani.

Interesante ishte sqarimi që bëri ish hetuesi i profesor Zuberit, Paskal Andoni, i cili tha: “Mbaj mend se në kohën e arrestimit të Andrea Xegës këtij i janë marrë arka me dokumenta mbi studimin e gjeologjisë minerale. Gjithashtu Stanislav Zuberi (sipas thënieve të tij) i janë marrë disa harta të punuara në zgavra druri në formën që i kuptonte vetëm profesor Zuberi. Këto materiale e dokumente të Andrea Xegës dhe të Stanislav Zuberit ju dorëzuan në atë kohë , 1948, komisionit ekonomik shqiptaro-jugosllav për naftën”.

error: Content is protected !!