PARATHËNIE

Megjithë se regjimi komunist, si organizim shtetëror dhe shoqëror, ra qysh në fund të vitit 1990, sundimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, (PKSH), që më vonë ndryshoi emrin në Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH) dhe pasojat që la pas, nuk njihen në tërë përmasat e tyre. Historiografia zyrtare, edhe pasi kanë kaluar tre dekada nga rënia e regjimit komunist, ende nuk

ka një studim të plotë për politikat e sundimit të komunistëve mbi shoqërinë shqiptare në përgjithësi, dhe fshatarësinë në veçanti.

     Kur komunistët morën pushtetin, në nëntor 1944, popullsia e Shqipërisë ishte pak më shumë se një milion e njëqind mijë banorë, ndërsa tetëdhjetë për qind të saj e përbënte fshatarësia. Pasi bëri reformën agrare dhe shtetëzimet e tufave të bagëtive, fshatarësia u vu në pozita të barabarta prone dhe të ardhurash. Por, për të siguruar pushtetin afatgjatë, Partia Komuniste zbatoi modelin

stalinist, dhe që nga Kongresi i Parë i saj (1948) ndërroi emrin në Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH). Ajo e ndau artificialisht fshatarësinë në tre klasa: e varfër, e mesme dhe e pasur, sipas

tezës së Leninit, ndërsa për të realizuar kolektivizimin e bujqësisë, përdori parrullën leniniste: mbështetje tek fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm, luftë kundër kulakut. Dhe, meqë as fjala kulak nuk ishte në fondin e gjuhës shqipe, e huazoi nga përvoja e Bashkimit Sovjetik, e përdorur gjatë periudhës së kolkozeve.

     Mbi familjet fshatare të cilësuara kulak, u zbatuan politika shtypëse, madje ato kishin karakter terrori dhe genocidi. Mbase, në konceptin juridik, termi genocid nuk është shumë i saktë, por,

si mund të përcaktohen ndryshe politikat e regjimit kundër tyre?!

     Fshatarë, që nuk ishin fajtorë për asgjë, u izoluan për gati gjysmë shekulli nga shoqëria, iu nënshtruan shtypjes politike, luftës ekonomike, dhunës së ushtruar nga policia politike, dënimeve pa faj nga gjykatat! Çfarë e kanë emrin të gjitha këto?! Për çfarë ishin fajtorë fëmijët, gratë dhe pleqtë?! Çfarë ishin platformat politike për izolimin e familjeve të cilësuar si kulak, po platformat politike për përjashtimet nga puna dhe ndalimi i studimeve të larta?! Po platformat politike për grabitjen ekonomike dhe detyrimin të paguanin tre herë më shumë tatime se fshatarët e tjerë, për të ardhura të njëjta?! Dhe në fund, nëse nuk ishte genocid, çfarë ishte ndalimi i martesave dhe i krijimit të familjeve për ata që ishin cilësuar kulak?!

     Mungesa e vëmendjes nga historiografia zyrtare, politika dhe media, për këtë pjesë të fshatarësisë që ishte mbartëse e traditave më të mira atdhetare dhe që aq shumë vuajti nën sundimin komunist, ka qënë motivi që më shtyti t’i futem një studimi të tillë që më kushtoi vite të tëra nëpër arkiva.

     Objekt i këtij studimi është hedhja dritë mbi platformat politike që shteti dhe regjimi komunist përdorën mbi atë pjesë të fshatarësisë që i veçoi, izoloi, i shtypi, dhe i quajti kulak.

Shpronësime, shtetëzime, tatime të jashtëzakonshme, shpifje, demaskime, izolime, burgosje, ekzekutime, – ishin mjete për likuidimin ekonomik, izolimin politik dhe eliminimin fizik. Ata

që do të mbijetonin, të mos mund të kishin influencë në popull dhe të denigroheshin. Kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare, shteti u mori pasurinë, të drejtat dhe lirinë.

     Ribotimi i këtij studimi bëhet pas kërkesave të shumta të lexuesve që duan të njohin periudhën e sundimit komunist në Shqipëri dhe shtypjen ndaj fshatarësisë në veçanti, si dhe pasojat që solli dhe la pas. Ky ribotim është plotësuar me dokumentacion shtesë dhe është ristrukturuar më mirë.

     Në kreun e parë lexuesi njihet me marrjen e pushtetit nga komunistët, përmbysjen e rendit shoqëror, reformën agrare, politikën e tatimeve dhe sistemin e furnizim – grumbullimeve.

Duhet theksuar se, në vitet 1944-1948 Shqipëria ishte nën ndikimin e Jugosllavisë dhe zbatonte politikën e saj edhe në drejtim të fshatit.

     Në kreun e dytë trajtohet fillimi i zbatimit të stalinizmit në Shqipëri dhe sidomos në fshatin shqiptar. Zbatimi i tezave të Leninit dhe ndarja e fshatarësisë në tre klasa, caktimi i kulakëve

dhe platformat e spastrimit të aparatit shtetëror.

     Në kreun e tretë jepet procesi i kolektivizimit të bujqësisë, rezistenca e fshatarëve dhe pasojat e reformave, sidomos në vdekshmërinë në përgjithësi e atë foshnjore në veçanti. Pasojë e reformave ishte edhe kriminalizimi i shoqërisë për shkak të varfërisë.

     Kreu i katërt trajton politikën e goditjes dhe karakterin e drejtësisë, luftën ekonomike kundër fshatarëve të cilësuar kulakë, abuzimet e organeve të shtetit nëpërmjet tatimeve të dyfishta dhe

të jashtëzakonshme kundër tyre, etj.

     Kreu i pestë i kushtohet izolimit dhe luftës politike kundër kulakëve, roli i shtypit, i letërisë dhe artëve në luftën kundër tyre dhe në mënyrë të veçantë luftës së organizatave të masave si

ndihmëse dhe leva të Partisë.

     Në kreun e gjashtë analizohet roli i sigurimit të shtetit dhe platfomat e tij, goditja e “grupeve” të kulakëve në zona të ndryshme të vendit dhe dënimet e ashpra kundër tyre.

     Kreu i shtatë pasqyron kalimin e politikës së PPSH nga stalinizmi tek maoizmi. Ishte periudha kur regjimi komunist prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe u afrua me Kinën, duke zbatuar në Shqipëri revolucionin kulturor proletar. Gjatë kësaj periudhe u zhvillua faza e dytë e luftës kundër kulakëve, madje lufta u përqendrua tek brezi i dytë i tyre. Në këtë fazë u bë  skedimi nga Sigurimi i Shtetit i të gjithë familjarëve të kulakëve, ku nuk munguan as emrat e fëmijve.

     Në këtë studim jepen me hollësi platformat e ndryshme për luftën kundër kulakëve, spastrimin e qyteteve dhe shpërbërjen e familjeve të mëdha. Duke qenë se familjet konservatore, të cilësuara kulak, ishin të lidhura me religjionet, hidhet një vështrim i shkurtër edhe mbi ndalimin e fesë, prishjen e objekteve të kultit dhe edukimin ateist të masave.

     Në kreun e fundit jepet mbijetesa nën terrorin komunist dhe ashpërsimi i luftës kundër brezit të dytë të familjeve të cilësuara kulak. Lufta në këtë periudhë bëhej në kushtet kur PPSH e kishte izoluar tërësisht vendin. Në të gjithë kapitujt ka informacion të gjërë jo vetëm për kulakët, por edhe për fshatarësinë në tërësi dhe sidomos për dënimet e ashpra “grupet” që sajonte Sigurimi i

shtetit.

     Baza burimore për këtë studim është dokumentacioni i Arkivit të Partisë së Punës të Shqipërisë (Udhëheqja dhe Strukturat), i Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht të Sigurimit të Shtetit. Është përdorur edhe literatura historike, kryesisht dokumentet e PPSH dhe veprat e kreut të regjimit, të botuara gjatë sundimit të tyre. Gjithashtu, është konsultuar bibliografia e botuar për këtë temë dhe shtypi shqiptar i kohës.

 

Autori

error: Content is protected !!