Nga gjysma e parë e vitit 1943, SH.B.A filloi të interesohej për zhvillimet në Shqipëri. Në qershor, Francis Kallney, i cili bënte pjesë në Zyrën e Shërbimeve Strategjike (O.S.S) e cila varej nga Komanda e Lartë Amerikane, ftoi për një bisedë Lazar Papapostoli, i njohur si Lary Post, sekretar i shoqërisë “Shqipëria e Lirë” në SHBA, dhe drejtor i gazetës “Lirija” të shoqërisë në fjalë. Qëllimi i bisedës ishte pasi që ai donte të dinte nëse shqiptarët e Amerikës ishin të gatshëm të shkonin e të luftonin në Shqipëri kundër pushtuesve.
SHBA kishte si objektiv luftën kundër fashizmit dhe, në përfundim të luftës, të formoheshin qeveri demokatike të tipit amerikan. Për këtë qëllim ata kishin ngritur Zyrën e Shërbimeve Strategjike (O.S.S) e cila kishte dy seksione: a) Seksioni Informativ dhe b) Seksioni i Operacioneve.
Përgatitjet për misione në Shqipëri
Në fund të qershorit, Papapostoli shkoi në Uashington dhe u takua me Majorin Dr. Coon-in, një nga krerët e O.S.S. dhe profesor në Universitetin e Harvardit i cili e njihte pak Shqipërinë pasi që, më 1933, kishte qenë për të bërë studime antropologjike. Ai i tha se do të ishin një grup që do të shkonin në Shqipëri për të organizonin rezistencën kundër pushtuesit. Me punën e tyre dhe të elementëve që do të gjenin në Shqipëri, do të mblidhnin informata rreth forcave të pushtuesve, gjithashtu dhe rreth forcave të Rezistencës, mbi programin dhe qendrimin politik të tyre, si dhe informata të tjera me karakter politik.
Pas përfundimit të kurseve përkatëse në SHBA, ata u nisën për në Kajro dhe prej andej në Bari, ku funksiononte Shërbimi Strategjik i Ballkanit (S.B.S.). Kjo ishte një degë e Zyrës së Shërbimeve Strategjike O.S.S. Shef për Seksionin e Shqipërisë ishte Dr. Coon, i Seksionit të Jugosllavisë Majori Arnold-i, ndërsa për Greqinë Majori Oliver, i cili kishte qenë për një kohë të gjatë profesor në Greqi.
Nga fundi i nëntorit 1943 erdhi në Itali nga Stambolli Harry Fultzi, i cili mori përgjegjësinë e S.B.S. për Shqipërinë, pasi që Dr. Coon u sëmur e u largua për në Uashington. Fultzi i dërgoi një raport qendrës rreth bisedimit që kishte patur në Stamboll me Hasaf Xhaxhulin, Musa Jukën, Abdurrahman Krosin, Asim Jakovën, Stavri Skëndon dhe shqiptarë të tjerë. Ai i kishte këshilluar që, në marrëveshje me të gjitha kolonitë shqiptare, të formonin një qeveri në mërgim. Në qeveri të përfshiheshin edhe elementë të rinj, qoftë dhe për formë, derisa të merrnin njohjen nga Aleatët dhe të futeshin në radhët e Kombeve të Bashkuara. Fultz sugjeronte që, sapo të ngjiste kjo, në Shqipëri do të formohej pa tjetër një organizatë e gjërë dhe në përfundim do të merrnin dhe ndihma nga Aleatët. Mirëpo personat me të cilët ai bisedoi i patën shfaqur mendimin se nuk dinin si të bënin për Zogun, pasi që një pjesë e shqiptarëve të Amerikës nuk e donin. Fultzi, i kishte këshilluar që të pranonin Zogun sa për kohën e luftës dhe pastaj mund të bëhej një plebishit.
Misioni i majorit McAdoo. Refuzimi për të shkuar në Martanesh
Për të zbatuar planet operacionale, misioni amerikan në Bari, me Lary Post mblodhi 30 shqiptarë nga kampet e të internuarëve antifashistë shqiptarë në Italinë e Jugut dhe i përgatiti në disa kurse të shkurtëra për luftën në terren. Ndërkohë, më herët kishte dërguar një mision në Shqipëri.
Mision Amerikan që u dërgua në Shqipëri komandohet nga Majori McAdoo dhe në përbërjen e tij kishte Ismail Karapicin dhe një radiotelegrafist, i cili u sëmur dhe në vend të tij u dërgua Nick Cooky.
McAdoo kishte urdhër që të shkonte për në Martanesh, ku ishte Gjenerali Devis, po ky nuk e zbatoi urdhërin dhe ndenji në qarkun e Vlorës, me bazë në Spille, ku kishte bazën një ndërlidhës anglez. Kjo bazë ishte si portë hyrje për në Shqipëri, por u diktua nga gjermanët dhe u sulmua dy herë, gjë që më pas do të zhvendosej aty afër.
Nga fundi i nëntorit 1943, kohë kur hyri ky mision në Shqipëri, McAdoo filloi të hyjë në kontakt, me anë të Ismail Karapicit që e shoqëronte që nga Bari, me elementë ballistë. Me ndihmën e Xhelil Çelës nga Dukati, një ish nxënës i shkollës teknike të Harry Fultzit, familja e të cilit ishte bërë bazë për Anglo-Amerikanët. Xhelil Çela e vuri McAdoo-n në kontakt me Skënder Muçon, përfaqësues i Lumo Skëndos, me të cilin vazhdoi bisedime të gjata rreth gjendjes së Shqipërisë. Njëkohësisht, ndihmohej edhe nga Hodo Metua, edhe ky një ish nxënës i shkollës teknike, i cili pati zgjeruar edhe më tepër kontaktet e McAdoo-it brenda në Vlorë dhe në rrethet.
McAdoo njoftoi S.B.S. se po qëndronte në Spile, pasi që aty kishte mundësi të mblidhnin informata të vlefshme rreth gjendjes së Shqipërisë dhe rreth forcave gjermane të pushtimit. Por, Majori Coon i tërhoqi vrejtjen dhe e urdhëroi për së dyti që të vepronte sipas direktivave, të nisej për në Martanesh, ku mungonte ndërlidhja amerikane. Mc Adoo iu përgjigj se ishte e pamundur për shkak të dimrit të madh që e bënte të pamundur kalimin e lumenjve dhe të maleve. Por e vërteta, sipas Papapostolit, i njohur me pseudonimin Lary Post, ishte se McAdoo ishte këshilluar nga Skënder Muço dhe shokët e këtij të fundit, që të rrinte aty. Këta kishin zënë miqësi të ngushtë ndërmjet tyre dhe merreshin vesh mirë pse që të dy kishin bërë studimet e larta në Itali.
Nga fillimi i Dhjetorit, Fultzi e urdhëroi McAdoo që të nisej për në Martanesh, por mori të njëjtën përgjigje që kishte marrë edhe majori Coon. Fultzi u qetësua kur erdhi posta e parë e McAdoo-s. Ky kishte mbledhur me ndihmën e Xhelil Çelës, Ismail Karapicit, Hodo Metos dhe të tjerëve, shumë informata të vlefshme rreth pozitave dhe forcave gjermane, gjithashtu edhe rreth gjendjes në Shqipëri, të cilën ja pat shpjeguar Skënder Muçua. Krahas tyre, kishte dërguar një plan të qytetit dhe rretheve të Vlorës, të cilën ia pat dhënë një inxhinier i Botores së Vlorës, me të gjitha pozitat ushtarake të gjermanëve, si dhe një numër traktesh dhe gazetash të ndryshme, urdhresa të komandës gjermane etj.
Misioni i Hasan Reçit.
Nga fundi i dhjetorit 1943, Fultzi vendosi të dërgonte me mision në Shqipëri Hasan Reçin, Foto Vashën dhe Niko Kovaçin, të cilët do t’a udhëhiqnin McAdoon për në Martanesh. Hasani ishte i sigurt se mund të udhëtohej në këtë drejtim, mbasi ishte marrë vesh me disa udhëheqës të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në qarkun e Vlorës.
Hasani me shokët erdhi në Shqipëri në 1 janar 1944. McAdoo e kundërshtoi Hasanin që të niseshin për në Martanesh, kështu që ky u nis vetëm me dy shokët e tij. Gjatë kohës që ndejti në qarkun e Vlorës Hasani dërgoi në Bari shumë trakte të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe dy raporte mbi gjendjen e brendshme të Shqipërisë.
Pas dy muajsh, McAdoo u kthye në Bari për konsultim. Ai i shpjegoi Fultzit dhe autoriteteve më të larta, arsyen që e kishte shtyrë të qendronte në Spile. Megjithëse komanda amerikane, në fillim i hoqi vrejtje për shkeljen e urdhërit, pastaj Fultzi me superiorët e tij u bindën se McAdoo u kish sjellë shërbime të mëdha informative dhe ndërlidhjeje. Për këtë arsye, ata vendosën që ai të kthehej prapë në Spile për të filluar nga aktiviteti i tij, ndërsa në Martanesh do të dërgohej një një mision tjetër, me të gjetur personelin e përshtatshëm.
McAdoo u nis përsëri për në Shqipëri por u sëmur dhe u kthye. Në vend të tij u dërgua kapiteni Hudson, i cili bënte udhëtime të shpeshta midis Spilesë dhe Barit, bashkë me Xhelil Çelën.
Pikpamjet e Majorit McAdoo për Ballin Kombëtar
Sipas Lary Post-it, kur shkoi McAdoo në Bari, i dorëzoi eprorëve edhe një letër nga Skënder Muçua që i drejtohej Komandës Amerikane në Bari. Skënder Muçua kërkonte njohje zyrtare për Ballin, të cilën e quante një organizatë të moderuar dhe që përfshinte shumicën e popullit shqiptar, një organizatë që ishte gati të hynte në marrëdhënie të ngushta me Anglo-Amerikanët dhe të vepronte si të këshillohej nga këta. Kërkonte ndihma ushtarake dhe të lejohej një delegacion ballist që të dilte në Bari për një marrëveshje me Anglo-Ameriaknët. Ai thoshte se ata po luftonin kundër okupastorit, porse po pengoheshin nga forcat komuniste, të cilat po përpiqeshin të siguronin më tepër fuqinë politike për të ardhmen.
Në Bari McAdoo filloi të fliste kundër Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe në favor të Ballit Kombëtar, duke shfaqur një simpati të madhe për Skënder Muçon. McAdoo thoshte se, Amerikanët duhej të përkrahnin Ballin, me qënë se këta ishin me të vërtetë pro-Amerikanë dhe gati të lidhnin një miqësi zyrtare, e cila do të vazhdonte edhe në të ardhmen. Ai ish i mendimit që të mos i jepej asnjë ndihmë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare meqë ishte një front krejt komunist, në favor të Bashkimit Sovjetik dhe aspak pro-amerikan dhe se ata po manovronin vetëm për të pushtuar fuqinë politike në të ardhmen.
Për Ballin Kombëtar, McAdoo theksonte se ata janë kundra gjermanëve, i luftonin me çdo mënyrë kur gjenin rast, por njëkohësisht dinin të qendronin midis tyre. Këtë ai e quante një zotësi dhe sukses politik për Ballin. Me këtë mënyrë, – thoshte ai, – ne jemi në pozita të informohemi fare mirë rreth gjermanëve me anë të miqve ballista…ne jemi midis armikut, i dimë të gjitha lëvizjet e tij dhe njëhohësisht kemi dhe miq për të ardhmen. Këtë opinion ai e paraqiti edhe në Uashington me anë të zyrave përkatëse.
Në fillim të shkurtit 1944, shkoi në Napoli Dr. Rifat Tirana, i cili ishte antar i Këshillit të Kontrollit Aleat në Mesdhe. Ai ishte dërguar enkas prej Departamentit të Shtetit të SHBA, për të studiuar çeshtjen shqiptare me Anglo-Amerikanët që ishin atje.
Misioni i dështuar i Sinan Gjonit
Nga fundi i marsit 1944 kursi i shqiptarëve antifashistë mbaroi dhe ata kërkuan të niseshin për në Shqipëri. Komandanti kurseve, Majori Eduard Green tha se nuk kishte asnjë kundërshtim për nisjen e tyre, por nuk mund t’i dërgonin të gjithë përnjëherë, vetëm në grupe. Këtë gjë e pranoi edhe Fultzi. Majori Green tha se djemtë mund të merrnin nga plaçkat që kishin ç’të donin, gjithashtu edhe armët, bile mund t’u jepnin edhe para po të donin.
Ato ditë u nis për në Shqipëri një mision, me qëllim që të kalonte në zonat e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Misioni, me në krye Sinan Gjonin dhe antarë Haki Harvati, Haxhi Brahja, Shate Dulla dhe Nikolla Bruka, zbarkoi në Spile, por u ndalua nga ballistët që të kalonte në zonat e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, me gjithë ndërhyrjen e Misionit Amerikan duke i paraqitur këta si shqiptarë në shërbimin amerikan. Atje mbetën edhe një sasi materiali radiosh dhe teshat që kishin marrë me vehte. Shkaku, që si lejuan të kalonin në zonat e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, sipas Lary Poter, ishte se një hoxhë nga Tragjasi e njohu Sinan Gjonin dhe dha alarmin se komunisti Sinan Gjoni ishte kthyer me disa shokë të tij. Ata u kthyen përsëri në Bari dhe po studioheshin mënyra të tjera për të hyrë në Shqipëri.
Misioni Ushtarak Amerikan i Kapiten Thoma Stefanit
Në shkurt 1944 arriti në Bari Kapiten Thoma Stefani. Më parë ai kishte qenë në Inteligjencën e Ushtrisë Amerikane dhe pastaj u muar në shërbim nga O.S.S. për në Shqipëri. Ai do të dërgohej në Shqipëri si ndërlidhës pranë Shtabit të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Sipas Lary Post, Thoma Stefani erdhi në Shqipëri vetëm si ndërlidhës, për të mbledhur informata rreth forcave gjermane dhe për të studjuar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Ndihma materiale mund ti jepnin vetëm Anglezët, kur të kishin vendosur ata, në konsultim edhe me amerikanët.
Thoma Stefani, përveç mesazheve që dërgonte me anë të radios, dërgonte shpesh trakte, gazeta, broshura rreth të gjitha rrymave politike në Shqipëri. Ai mori pjesë në Kongresin e Përmetit dhe doli në Bari disa herë për konsultim me Fultzin dhe autoritetet e tjera.
Se çfarë raportonin këto misione, kuptohet nga dy raportet e Fultzit, të cilat drejtoheshin në Uashington. Lary Post tregonte se në shkurt 1944 kishte parë një raport konkluzion mbi gjendjen në Shqipëri, të hartuar nga Fultz, sipas informatave të Thoma Stefanit. Ai e përshkruante gjendjen në Shqipëri tepër kaotike, duke thënë se Lëvizja Nacional-Çlirimtare përpiqej më shumë për të siguruar të ardhmen se sa të luftonte okupatorin, duke i vënë nacionalistët në një pozitë midis dy zjarresh, të cilët për të mos u likujduar shpesh herë shtërngoheshin të bashkoheshin me gjermanët. Lëvizja Nacional-Çlirimtare, theksonte Fultz, ishte një front komunist me pasonjës të dehur nga premtime të shumta dhe të frymëzuar me shpirtin internacionalist, që na shikojnë neve si miq, vetëm për interesin e luftës e të tyren. Ai raportonte se të gjitha energjitë këtu po shkojnë kot, për shkak të komunistëve dhe do të jetë tepër vonë sikur të mos merret një vendim që, ose të pajtojë të gjitha rrymat politike dhe t’i mbajmë në vijë, ose të përkrahim kundërshtarët e komunistëve. Kjo e fundit ka për të ndarë Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në komunista të thjeshtë dhe në ata që janë bashkuar si të dehur. Pjesa e dytë do të lidhet këtej duke parë se kanë përkrahjen tonë.
Në raportin për zhvillimet e punimeve të Kongresit të Përmetit, Fultzi shkruante : Vonesa e jonë në vendime të prera i nxori me sukses komunistët. Këta formuan një lloj Komiteti anti-fashist, që mund të quhet si qeveri, me elementa komunistë në përgjithësi. Këta, sigurisht, dirigjohen nga Titua, duke parë se ç’simpati tregojnë për këtë njeri. U konstatua nga misioni jonë në Kongres se fryma e vërtetë dirigjonjëse ishte prapa perdes, ku fshihen organizatorët jugosllavë të Internacionales. Këta, tani, sigurisht, do të fillojnë të kërkojnë njohjen tonë, duke na quajtur miq dhe Aleatë, por e vërteta është se, ata, janë armiqtë tanë dhe në rast se nxitohemi t’i njohim, atëhere do t’i sjellim dobi vetëm Stalinit. Ne duhet të tregohemi si miq dhe tu shtyjmë njohjen sa të jetë e mundur, gjersa të sqarohet mirë çeshtja në Shqipëri.
Edhe në një raport të togerit Madison bëhej fjalë për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare si një Front Komunist në Shqipëri, por që luftonte më shumë se të tjerët dhe e lidhte me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Ballkanit, rreth Titos, për një Front Ballkanik në lidhje tepër miqësore me Bashkimin Sovjetik. Sipas raportit në fjalë, Balli Kombëtar kishte pasur forca të mëdha, por po perëndonin që kurse kishte filluar vëlla-vrasja.
Ai nxirrte si konkluzion se: Si kudo gjetkë edhe në Shqipëri, po harxhoheshin energjitë më të mëdha në vëlla-vrasje dhe se kjo vëlla-vrasje mund të rezultonte në masakra në mbarim të luftës, për të fituar fuqinë politike. Vetëm një ndërhyrje nga ana e Aleatëve që në atë kohë, për t’i pajtuar këto mund të zhdukte rezikun e masakrave.
Pas Kongresit të Përmetit, amerikanët menduan të sillnin në Bari nga një delegacion prej të tre grupeve, Ballit, Legalitetit dhe Nacional-Çlirimtare që të ishin në një vend neutral dhe të arrihej ndonjë bashkim në mes tyre. Por pa sukses.
Kur Divizioni i Parë, nën komandën e Mehmet Shehut, kaloi Shkumbinin në drejtim të Veriut, një oficer amerikan, Ëatrous, i thoshte Fultzit se në Veri nuk kishte gjermanë, dhe për këtë t’i hiqnin vrejtjen Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe të bënin një deklaratë zyrtare që t’i prisnin ndihmat.
Grupi i “Shqiponjave”, misioni në Shqipëri
Në qershor 1944, amerikanët dërguan në Shqipëri grupin e dytë të “Shqiponjës” me në krye komisarin e grupit Sinan Gjoni, i përbërë prej 22 djem. Grupi ishte organzuar si një çetë partizane që mbante yllin e kuq dhe të veshur si partizanë.
Amerikanët ishin në dijeni se Lëvizja Nacional-Çlirimtare ishte përhapur në krejt Shqipërinë e Jugut, ndërsa në atë të Veriut, deri në atë periudhë, nuk kishte mundur të hidhte baza. Për këtë arsye, Fultzi mendoi që djemtë të shkonin në Veri dhe të niseshin nga ana e Jugosllavisë. Këta do të niseshin si partizanë shqiptarë dhe, si të hynin në Shqipëri, do të vendosnin kontakte me misionet amerikane, të cilat ishin në Shqipërinë e Jugut. Prej tyre do të furnizoheshin me radio dhe me materialin që u nevojitej dhe pasi të merrnin pëlqimin e Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, do të fillonin nga puna që u ishte ngarkuar dhe do të mbanin në korrent qendrën në Bari, për zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri.
Fultzi e kishte biseduar çeshtje më parë me eprorët e tij në Shërbimin Strategjik të Ballkanit (S.B.S.) dhe kishte marrë pëlqimin e tyre. Kur vullnetarët u nisën për në Shqipëri Fultzi u mbajti një fjalim përcjellës, duke u thënë që ky udhëtim ishte krejt me vetdashje dhe ata që s’donin të niseshin tani, do të çoheshin prapë në kampin e refugjatëve. Pastaj shtoi se, Amerikanët ishin miqtë e Shqipërisë dhe shpresonin që miqësia të bëhej edhe më e fortë. Kjo do të varej në punën që ata do të bënin në Shqipëri. Shqipëria, tha ai, do të çlirohet dhe do të lihet e lirë të vetvendosë fatin e saj, në bazë të Kartës së Atlantikut. Por, theksoi Fultzi, stabilizimi i paqes nuk është fort i thjeshtë dhe mua më duket se Shqipëria ka për të patur nevojë për miqtë në Konferencën e Paqes.
Ne do të qëndrojmë miqtë e Shqipërisë, po të na konsideroni miq dhe po të keni relacione të mira me ne. Juve, përfundoi ai, që po nisi tani, mund të bëni shumë për të përforcuar miqësinë midis ameriaknëve dhe vendit tuaj.
Përgjigjen, në emër të grupit, i’a dha Sinan Gjoni, duke e siguruar Fultzin se, ata do të bënin ç’ishte e mundur për të përforcuar miqësinë midis Shqipërisë dhe Amerikës dhe mësimet që kishin marrë në atë kurs nuk do të shkonin kot.
Mbërritjen e grupit në Shqipëri e njoftoi Thoma Stefani, kryetar i Misionit Amerikan në Shqipëri. Ai lajmëroi se kishin arritur një grup prej 16 persona. Pas dy javësh Thoma Stefani informoi përsëri se kishte takuar në Odrican Sinan Gjonin dhe Galip Hatibin, të cilët i kishin raportuar mbi peripecitë e udhëtimit. Në një përpjekje me gjermanët, rrugës për në Shqipëri, katër prej tyre u vranë, ndërsa dy u kthyen përsëri në Bari.
Me të ardhur në Shqipëri, ashtu si grupi i Hasan Reçit edhe grupi i Sinan Gjonit, u shpërndanë nëpër njësitet partizane. Shumë prej tyre treguan trimëri dhe u graduan e morën përgjegjësi të rëndësishme në organet e pushtetit që doli pas lufte. Kështu, Hasan Reçi u gradua kapiten dhe në Kongresin e Përmetit u zgjodhe antar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional Çlirimtar.
Misioni shqiptar në Bari
Me krijimin e Komitetit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Kongresin e Përmetit, u dërgua në Shtabin Aleat të Mesdheut, me qëndër në Bari, një mision ushtarak, i kryesuar nga Bedri Spahiu dhe antarë Ramadan Citakun e Frederik Nosin. Delegacioni shqiptar shkoi në Bari për të bërë një marrëveshje ushtarake me Komandën e Mesdheut.
Bedriu, Baca dhe Frederiku shkuan në zyrën e Fultzit dhe i kërkuan veshmbathje. Fultzi u interesua shumë për t’ua plotësuar kërkesat dhe mori një autorizim special të lëshuar nga Komandanti Green. Ata i shpunë në dyqanin e oficerëve amerikanë ku morën tesha gratis. Antarët e misionit shqiptar u takuan edhe me Komandantin JOYG, i cili ishte shefi i inteligjencës.
Gjatë ditëve të qendrimit të misionit shqiptar në Bari, si amerikanët ashtu dhe anglezët, treguan simpati për ta dhe këshillonin të gjithë zyrtarët e tyre të shfaqnin simpati për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare.
Tw njëjtën pritje i rezervoi Fultzi edhe Misionit Ushtarak të përhershëm, të kryesuar nga Kadri Hoxha, madje i plotësoi çdo kërkesë të tij. Kadri Hoxha e takonte Fultzin shpesh dhe para se të stabilizonte kontaktet me Shtabin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare me anë të radios së tij, komunikonte me radion e S.B.S. me ndërmjetësinë e Fultzit. Kur kishte nevojë për mjete transporti, Kadriu i kërkonte Fultzit dhe ai i jepte. Edhe oficerët e misionit shqiptar Fultzi i furnizoi me vesh-mbathje oficerësh dhe me sende të tjera personale, gjithnjë gratis.
Misioni i Lary Post
Pas disa takimeve me Kadri Hoxhën e Miladin Popovic, në misionin shqiptar pranë shtabit aleat në Bari, Lazar Papapostoli (Lari Post), do të kthehej në Shqipëri. Për kthimin e tij në Shqipëri, Lary Poster ndërhyri edhe Kadri Hoxha tek Fultzi. Në marrëveshje me Fultzin ai paraqiti dorëheqjen nga S.B.S., e cila iu pranua. Fultzi e këshilloi të shkonte në Shqipëri dhe me kulturën demokratike që kishte të ndihmonte në ngritjen e demokracisë së re në Shqipëri. Në këtë kohë kishte ardhur në Bari edhe Ali Halimi, me të cilin ai ishte takuar disa herë, madje kishin darkuar bashkë. Pas këtij pseudonimi fshihej Miladin Popoviç, për të cilin amerikanët e dinin se kishte influencë të madhe në Shqipëri. Në takimin e fundit, ai i tha Lari Post-it se po i dërgonte një letër personale Enver Hoxhës, ku i shkruante se cili ishte letërprurësi dhe çfarë ishte në gjendje të bënte.
Në tetor 1944, nga Bari u nis për në Shqipëri grupi tjetër i përbërë nga Lary Post, Adem Dërhemi, Ali Alija, Vait Maçi, Niazi Bimi, Koço Gjika etj. Ata mbërritën në Kakome dhe u shpërndanë në repartet e ndryshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndërsa Lary Post do të kontaktonte krerët e qeverisë.
Me të mbrritur në Gjirokastër Lari Post mori kontakt me krerët e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, si Islam Radovicka etj. Në Berat u takua me një numër të madh funksionarësh të lartë dhe antarët e qeverisë, duke përfshirë edhe Enver Hoxhën.
Nga takimet me ta, më i vrazhdë iu duk Mehmet Shehu, të cilin e takoi ditën kur u çlirua Tirana. Lary Post kujtonte kritikën e tij që i kishte thënë pse nuk kishte ardhur më parë në Shqipëri, apo do të shuhej Amerika po të mos kishte një person shqiptar, kurse vendi yt kishte nevojë për ty. Post iu përgjegj se nuk iku nga Shqipëria për t’i shpëtuar luftës, por për studime dhe se fundi i fundit e kishte ndihmuar Luftën Nacional-Çlirimtare. Ne e dimë që e ke ndihmuar, përfundoi Shehu, se përndryshe nuk të linim të hyje në Shqipëri.
Pushteti i terrorit
Ashtu siç e kishte parashikuar në raportin e tij toger Madison, ende pa u çliruar Tirana, komunistët filluan nga masakrat mbi kundërshtarët politikë. U ekzekutuan shumë intelektualë, ndërsa gjyqet speciale dënuan pothuajse të gjithë zyrtarët e qeverive të mëparshme. Një pjesë e tyre u ekzekutaun ndërsa të tjerët me afate të gjatë burgimi. Në tërë vendin u vendos regjimi i kontrollit të policisë politike, që përfshiu përfaqësuesit edhe misionet e SHBA dhe qytetarët shqiptaro-amerikanë që kishin ardhur dhe punonin në Shqipëri.
Në atë periudhë, SHBA dërgoi si Kryetar të Misionit Civil Amerikan në Shqipëri Jakobs dhe zëvendës të tij Harry Fultz. Jakobs ishte me përvojë në shërbimin e Jashtëm të Departamentit të Shtetit të SH.B.A, diplomat i vjetër dhe njihte shumë mirë politikën ndërkombëtare, sidomos atë të Lindjes së Largme.
Qeveria shqiptare ishte e interesuar për njohjen e saj nga SHBA dhe vendet e tjera të Perëndimit, por këto të fundit rezeervoheshin deri sa të zhvilloheshin zgjedhjet dhe të dilte një qeveri e ligjshme.
Për këtë qëllim, PKSH që fshihej pas Frontit dhe vepronte në emër të tij, organizoi zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, por duke qenë një proces farsë, SHBA dhe Britania e Madhe u rezervuan në njohjen e qeverisë. Pas zgjedhjeve, regjimi e vazhdoi shtypjen dhe terrorin, madje nga 34 antarë të grupit antifashist “Shqiponja”, 30 u arrestuan dhe u dënuan me afate të gjata në burgje, ku Hasan Reçi u ekzekutua. Galip Hatibin do ta ekzekutonin fshehtas. Po kështu vepruan edhe me të tjerët.
Misionet Civile të SHBA dhe Britanisë së Madhe, që i kishin ndihmuar komunistët të vinin në pushtet, u larguan nga Shqipëria, për tu kthyer pas afro 45 vitesh. Gjetën të njëjtin popull, mik të tyre, dhe të njëjtën Parti, armike të tyre. Çuditërsiht, ata mbështetën po atë parti që i përzuri 45 vite më parë!
________________
Burimet:
AMPB (AIDSSH), Misioni Anglo-Amerikan në Shqipëri.
Procesverbalet e dëshmive të Lazar Papapostolit (Lary Post) në hetuesi.
Historiku i Sigurimit të Shtetit, V. 1.