(Projekti i Fuqitë e Mëdha dhe rezistenca e Portës së Lartë)
Pas dështimit për dorëzimin e Plavë- Gucisë dhe Hot – Grudës Malit të Zi, konsujt e Anglisë dhe Austro-Hungarisë në Shkodër, përkatësisht Green dhe Lippich, ditët e para të majit 1880, morën inisiativën për të përgatitur një projekt tjetër. Këtë herë u bë kujdes që të dukej sikur projektin e kishte paraqitur vetëm Anglia, si fuqi më e painteresuar.
Rusia kërkoi që Malit të Zi të mos i imponohej një zgjidhje kundër dëshirës së tij. Kërkesa e saj u pranua, madje ajo u njoftua për propozimin anglez që zhdëmtimi i Malit të Zi të bëhej me territorin në perëndim të liqenit të Shkodrës deri në derdhjen e Bunës në det.
Edhe Franca me Gjermaninë e pranuan projektin, ndërsa Mali i Zi dhe Porta e Lartë nuk ishin informuar.
Më 11 qershor u njoftuan Fuqitë e Mëdha për projektin i cili përfshinte dorëzimin e Ulqinit me rrethina dhe bregdetin e tij, Malit të Zi.
Për të bërë më të lehtë realizimin e projektit, Green dhe Lippich kishin bërë pjesë të tij një autonomi për zonën në Veri të lumit Mat.
Në fakt, si bazë për projektin e dorëzimit të Ulqinit, Geen dhe Lippich përdorën përkatësinë religjoze të popullsisë së zonës që do t’i dorëzohej Malit të Zi. I njëjti kriter u ndoq edhe për zonën që do t’i njihej autonomia. Kështu, në projektin e autonomisë nuk u përfshi tërë vilajeti i Shkodrës, por zona në veri të lumit Mat.
• Qendrimi i Portës së Lartë
Që në fillim Porta e Lartë u ndodh përpara presionit të Fuqive të Mëdha, të cilat kërkonin zbatimin e vendimeve të tyre. Dega e Shkodrës e Lidhjes së Prizrenit, e përbërë prej 14 antarësh myslimanë dhe 6 katolikë, ishte në kordinim me përfaqësuesit e Portës, në vilajetin e Shkodrës.
Në një letër dërguar kavalierit Thoemmel, më 5-17 maj 1880, Radonich i Malit të Zi theksonte se Porta kërkonte të fitonte kohë, “për të organizuar më mirë shqiptarët dhe për të na bërë ne të humbasim durimin”.
Në të vërtetë, Porta kishte kërkuar disa herë zgjatjen e afatit, duke shpresuar në një çarje të Fuqive të Mëdha.
Më 11 qershor 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll i dërguan një notë ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dinos, shqiptar nga një familje e famëshme e Çamërisë , notë e cila përmbante disa dispozita të Traktatit të Berlinit. Ata kërcënuan se do ti zbatonin me forcë vendimet dhe për këtë qëllim dërguan flotën përballë Ulqinit.
Abedin Pasha ngarkoi Izet Pashën të shkonte në Shkodër për të shmanur ndonjë konflikt midis shqiptarëve dhe malazezëve sepse një gjë e tillë do të bënte që zonat shqiptare të pushtoheshin nga Fuqitë dhe territoret do t’i kalonin Malit të Zi.
Abedin Pashë Dino dërgoi në Shkodër edhe dy komisionerë, njëri prej të cilëve, Mustafa Pashë Vlora, më 1879, kishte mbrojtur territoret shqiptare në Shqipërinë e Poshtme.
Më 6 korrik 1880 Ministria e Jashtme e Malit të Zi i lajmëroi Fuqitë e mëdha se Qeveria Osmane në njërën anë u bën lajka shteteve të Evropës në anën tjetër armatos shqiptarët dhe i nis në anën e Bojanës për në Ulqin.
I ndodhur nën presionin e Fuqive të Mëdha, Abedin Pasha u propozoi, më 15 korrik, se Porta ishte e gatshme t’i lëshonte Malit të Zi gjysmën e Cemit dhe të rrethit të Ulqinit, me përjashtim të qytetit dhe të bregdetit.
Por Fuqitë nuk e pranuan në asnjë mënyrë propozimin e tij, madje, nëpërmjet disa notave kolektive i tërhoqën vemendjen se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të lëshonte qytetin e Ulqinit me gjithë bregdetin.
Presioni i madh i Fuqive të Mëdha bëri që qeveria në Stamboll, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit 1880, të jepte dorëheqjen dhe bashkë më të u largua edhe Abedin Pashë Dino. Në postin e ministrit të Jashtëm u emërua Asim Pasha.
• Dorëzimi i Ulqinit
Më 18 shtator Sulltani i propozoi ambasadorit anglez për ruajtjen e statuquo- së së vijës së kufirit shqiptaro-malazes, por ambasadori nuk pranoi.
Më 28 shtator 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll i dorëzuan një Notë kolektive ministrit të Jashtëm të Perandorisë, Asim Pashës, ku kërkonin dorëzimin e Ulqinit.
Dy ditë më vonë, ambasadori i Austro-Hungarisë i kërkoi Sulltanit të mos e zgjaste çeshtjen kaq shumë.
Më 2 tetor 1880, Ambasadori i Rusisë deklaroi se e shikonte gjendjen shumë serioze. Sipas pikpamjes së tij, fuqitë ose duhej të hiqnin dorë nga problem i Malit të Zi, ose të hynin në luftë kundër Turqisë. Anglia dhe ndoshta ndonjë fuqi tjetër do të dëshironin luftën. Rusia do të vihej në një situatë të vështirë.
Sipas një raporti që mban datën 23 tetor 1880, qeveria gjermane ngulte këmbë që Turqia të dorëzonte Ulqinin. Sulltani ndodhej në pozitë të vështirë, pasi i kishte siguruar shqiptarët se nuk kishte për të dorëzuar asnjë copë të territorit të tyre.
Duke përfituar nga presioni i Fuqive të Mëdha mbi Portën e Lartë Mali i Zi shtoi dhunën mbi shqiptarët. Sulltani kërkoi nga Fuqitë të ndërhynin pranë Malit të Zi, për të ndërprerë dhunën.
Ambasadori francez i përcolli princit të Malit të Zi qendrimin e qeverisë franceze e cila kërkonte që Mali i Zi të tërhiqte masat kundër shqiptarëve.
Më 2 nëntor Graf Hatzfeld, përfaqësuesi gjerman në Stamboll, u takua me Sulltanin dhe i kërkoi të dorëzonte Ulqinin, sa më parë të ishte e mundur.
Pas një zgjatje, Porta e Lartë dërgoi Riza Pashën në vilajetin e Shkodrës, por ambasadorët e Fuqive të Mëdha dyshonin se ai nuk kishte vajtur për ta dorëzuar Ulqinin.
Betejave diplomatike dyvjecare të Portës së Lartë me Fuqitë e Mëdha, dhe në mënyrë të vecantë të Abedin Pashë Dinos,po u vinte fundi dhe Ulqini iu dorëzua Malit të Zi.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, vetëm konsullata italiane në Shkodër ka qënë në anën e shqiptarëve, madje duke i ndihmuar me armë dhe para.