Para do kohe, tek kërkoja në internet të gjeja ndonjë poezi të përkthyer në shqip nga poetët e mëdhenj, më bëri përshtypje një mbiemër i njohur për mua, por jo në fushën e poezisë, në atë të vuajtjeve. Qysh atëherë lexoj përditë poezi të përkthyera prej tij, që aq bujarisht na i poston në llogarinë e tij në fb.
Njohësit e poezisë do të ndajnë të njëjtin vlerësim me mua se, përkthyesi Maksim Rakipaj është ndër më të mirët dhe prurjet e tij nga poezia botërore ndër më cilësoret. Përveç mbi 4000 poezive të përkthyera prej tij, ai e ka pasuruar fondin e Bibliotekës Kombëtare me shume tituj librash.

Por, cili është përkthyesi Maksim Rakipaj që ne, lexuesit e vjetër të poezisë, e njohëm me kaq vonesë?!

Maksim Rakipaj ka lindur në Mokricë të Përmetit, në një nga ato familje që populli i ka vlerësuar me fjalën: të fisme. Patriotë të njohur të atyre viseve, të parët e Maksit kanë dhënë kontribut për atdhenë dhe lirinë, madje babai i tij, Xhafer Rakipaj, ishte plagosur dy herë në luftë.

Pas vendosjes së diktaturës komuniste, familjet që mbartnin idetë nacionaliste dhe vlerat tradicionale kombëtare, u goditën nga regjimi komunist. Njëra prej më të goditurave në zonën e Përmetit dhe jo vetëm, është edhe ajo e Maksim Rakipajt. Kështu, gjyshi i tij, Sabri Rakipaj u cilësua kulak dhe iu nënshtrua terrorit politik dhe shtetëror, deri sa ndërroi jetë. Xhaxhain e Maksit, Hysenin, e vranë në burg strukturat e regjimit, ndërsa xhaxhanë tjetër, Njazinë, e dënuan me mbi 15 vjet burg.

Pas dënimit të tyre, regjimi e burgosi edhe Maksin. Vite të tëra në burgje. Nga ato qeli e filloi Maksi rrugën e përkthimeve, duke sfiduar dhe duke triumfuar mbi regjimin.

Emri i përkthyesit Maksim Rakipaj, nderon ish të burgosurit dhe të persekutuarit politikë, i cili, krahas poetëve Bilal Xhaferri, Vilson Blloshmi, Genc Leka, etj., i bën të ndjehen krenarë.
______
Deri tani ka botuar këta libra:

1- Profeti i Kahlil Gibran (përkthim nga anglishtja, sht. bot.TOENA, 2003)
2- 20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi (përkthim nga spanjishtja(Toena, 2003)
3- “Gjallë pas mbytjes së anijes” (kujtime, bot ISKK, 2014)
4- Bukoëski poezi (përkthim nga anglishtja, sht. bot ENEAS, 2015)
5- Trilussa m’Tironë (përkthim nga italishtja) (sht. bot UEGEN, 2015)
6- Antologji e poezisë arabo-persiane (përkthime nga anglishtja etj. sht. bot. UEGEN, 2015)
7- Sonetet e plota të Shekspirit(154) (përkthim nga anglishtja, sht. bot ADA, 2016)
8- Kopshti i Profetit, Gibran (përkthim nga anglishtja, sht. bot TOENA)

-0-

I PAMPOSHTURI
(Poezi nga Ëilliam Ernest HENLEY)

Hiqmu, o natë që më mbështjell,
Nga poli në pol e zezë sterrë,
Ju falënderoj, o zota në qiell
Për këtë shpirtin tim rebel.

Në këtë ferr ku rashë për dreq,
S’u lebetita, qëndrova burrë,
Nga kamxhikosjet që po heq
Kokën e gjaktë s’e ula kurrë.

Tej nga ky vend zemërimi, lotësh,
Kokuth i zi ku mbyt çdo ndjenjë,
Por prapë kërcënim i kohës,
Më gjen dhe të patrembur do t’më gjejë.

N’e ngushtë porta s’më prish punë,
Sa më rëndoi tirani në dënim,
I fatit tim jam zot vet’unë,
Jam kapiten i shpirtit tim.

Përkthyer në vitin 1982, nga Maksim Rakipaj, në kampin çfarosës të Spaçit.

-0-

Gjyshja nga babai
(Nga Maksim Rakipaj)

Gjyshet… e kush nuk i do ato! Por kur nuk i kemi ne i kujtojmë me dhembje, kujtojmë sa shumë na kanë dashur, sa shumë kanë bërë për ne dhe sa pak kemi bërë ne për to. Gjyshërit nuk i mbaj mend sepse patën vdekur kur linda unë. Gjyshja nga babai ka jetuar me më të voglin e 7 fëmijëve, të ndjerin xhaxhanë tim Gani. Ajo pati 6 djem dhe një vajzë, të paharruarën hallën time, që nuk arrita ta gjej gjallë kur u lirova. Edhe sot kujtohen qyfyret e nënes, kur ngacmonte të bijtë: ” I them sime vjerre, pa shih sa të bukur i kam këta djem… e dini si m’u kthye? Për të bukurë, të bukur janë… t’i kishe çupa t’i rrëmbyenë, pa për ment, koqen e koqes se të kanë!”
Xhaxhai im i vogël, ndjesë pastë Ganiu, jetonte në Tiranë dhe pas vdekjes së gjyshit dhe burgosjes së dy vellezërve të tij, e tërhoqi nënen në shtëpinë e tij në Tiranë. Gjyshen nga babai, ne, nipërit e saj, e quanim “nëne”. Nënia ishte një zonjë e shtruar, fliste me një zë të ëmbël që nuk e ngrinte kurrë. Edhe kur qeshte, më shumë i qeshnin sytë. Tregonte bukur dhe me shumë humor histori nga bijtë e saj kur ishin të vegjël, me një lloj humori të hollë, thuajse englez, por të shkrinte gazit. Sa herë shkoja në Tiranë gëzohej shumë kur më takonte. I përvëlonte shpirti për djalin që ishte i dënuar politik me 17 vjet në burgun e Burrelit. “Ti më ngjan me korbin Njazi, që ma dogji xhanin,” më thoshte kur ishim vetëm. Për djalin e madh, Hysenin, të gjithë bënin kujdes të mos ia zinin në gojë. E kishin pushkatuar në burg Hysenin, pa gjyq në vitin 56. “Pse s’më more mua, o zot, po më more më të mirin e djemve”, thoshte si me vehte, kur ndonjë, pa kujdes, e zinte në gojë faqe saj. E quante “murgu Hysen”, si thuhet në fshatrat e Përmetit kur zihen në gojë të vdekurit. E gjeta një ditë vetëm. Ishte viti 1970 dhe unë isha me pushimet e dimrit. I rashë derës, hiç. E shtyva dhe pashë që ishte hapur. Nënia ishte vetëm. Qante pa zë. “Eja bir i nënes, eja. Sot mora vesh, korba, si ma paskan vrarë djalin. Zot marrç hak!” Më pas, kur erdhi xhaxhai, e mora vesh historinë. Ishte një lojë e kurdisur nga sigurimi i shtetit me njerëzit e tij në burgun e Tiranës. Ishte menduar që të simulohej një arratisje masive nga burgu për të legjitimuar më pas terrorin në të gjithë vendin. Kishte edhe policë që bënin pjesë në grupin e krijuar nga sigurimi i shtetit, që komplotonin për arratisje nga burgu dhe më pas arratisje jashtë kufijve. Një prej policëve, që bënte pjesë në atë grup, mendoi të merrte edhe Hysenin, sepse qe shumë i fuqishëm. I thanë dikujt që shoqërohej me të që t’i mbushte mendjen Hysenit të futej në grupin e atyre që punonin në hapjen e tunelit të nëndheshëm që do të shërbente për arratisje. Hyseni, që ndoshta dyshonte për ndonjë kurth, nuk pranoi. “Jo, nuk më duhet të arratisem, sepse edhe pak më ka mbetur për t’u liruar. Ju vaftë mbarë juve, por unë nuk dua t’ia di. Zere se nuk më the gjë. Unë nuk kam ndërmend të flas me njeri, rri i qetë.” Polici vendosi ta eliminojë. Pak para se të errej, e thirri gjoja për të biseduar dhe e çoi afër telave me gjemba. I bëri me shenjë ushtarit që ruante atë pjesë gardhi me tela, ashtu si qe marrë vesh që më parë. Një breshërì e gjatë automatiku dhe Hyseni ra i vdekur. Duke dhënë shpirt kish thënë vetem: “Përse?” Familjes në ato vite iu tha që u vra teksa donte të arratisej nga burgu. Gjyshin e kishin shpallur kulak, një vëlla e kishin në Burrel, kështu që askujt prej vëllezërve Rakipaj nuk ia mbajti të interesohej më për fatin e Hysenit të shkretë. Në fillim të viteve ’70, dikush që e dinte këtë histori, pasi u sigurua që nënia mbeti vetëm në shtëpi shkoi dhe i tregoi për çastet e fundit të Hysenit: “Nuk ma mban dot shpirti, moj nëna e Hysenit. Kam marrë vesh që kam një sëmundje të keqe. Edhe pak më ka mbetur të rroj. Thashë të pastroj shpirtin. Më shfaqet përnatë Hyseni në ëndërr…”Përse, më thotë, përse”… por nuk e vrava unë, nuk e dija që polici donte ta vriste, ja kështu…”
– O të keqen nënia ty, që m’u mërzite… Korba unë, më duket sikur ma vranë sot të ziun djalë. Ja baba Tomorr marrç hak!…
Në vitin 1974 xhaxhai tjetër imi, Njaziu, u lirua nga burgu i Burrelit, pasi plotësoi 17 vjetët. Kishte vite që vuante nga kanceri në burg Njazi Rakipaj, por e liruan vetëm mbasi mbushi dënimin. Plot 17 vjet burg. Nënia nuk arriti ta shihte dot të lirë. Kishte vdekur para dy vitesh, e përvëluar për djemtë e saj.
Ndoshta gjatë hetuesisë sime, kishte të drejtë hetuesi im kur thoshte se unë kisha arsye të forta familjare për të qënë armik i PPSH dhe i pushtetit “popullor”..

error: Content is protected !!