Sa herë takoj një shokun tim të fëmijërisë, në mënyrë të pavetëdijshme u kthehemi kujtimeve. Me sa duket Lorka ka patur të drejtë kur shkruante se nuk ka asgjë më jetëgjatë se kujtimet. Miku im e fillon bisedën nga e njëjta ngjarje, që duket se i ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë dhe nuk mund ta harrojë.

Klasa ku ishim ne kishte më shumë se 20 nxënës, ku një pjesë e tyre ishin nga familje që regjimi i cilësonte “me biografi të keqe”. Ç’është e vërteta, drejtori i shkollës, një burrë i ndershëm, na trajtonte pa bërë ndonjë dallim, madje referuar amzës së shkollës, notat më të mira i merrnin shumica e nxënësve me “biografi të keqe”.

Një ditë, trokiti dera dhe hyri sekretari i Partisë së kooperativës bujqësore. Përshëndeti nëpër dhëmbë dhe iu drejtua tre nxënësve: ti, ti dhe ti mësoni se do tu dërgojmë në shkollë të lartë, se jeni me biografi të mirë. Mësuesi heshti, ndërsa nxënësit me “biografi të keqe” u mblodhën krruspull.
Që atë ditë u ndje një ndarje shpirtërore midis nxënësve, që binte në sy, madje e vërenin edhe mësuesit.
Në mbarim të shkollës u vërtetuan fjalët e sekretarit, ndërsa ata me “biografi të keqe” u dërguan barinj ose në punë të rënda.

Më shumë se sa fëmijët, dhimbjen e ndjenin prindërit e tyre. Sa herë bëhej mbledhje e kooperativës ku zgjidhej ndonjë brigadier apo kuadër, ngrihej ndonjë me biografi të mirë dhe kundërshtonte, por sekretari i përgjigjej: Po kë të vëmë, atë birin e kulakut. Kaq duhej, mbledhja mbaronte; ata me biografi “të mirë” heshtnin, ndërsa ata me biografi të “keqe” dilnin kokëulur.
“Kulaku” i la amanet të birit: këta një ditë do të përmbysen, por mua nuk do të më tretë dheu nëse nuk mbaron shkollën e lartë…

Shumë nga ata me “biografi të keqe”, pas viteve 1990, nuk i lanë hallet të mbaronin shkollën… Kujtime të kohës së rinisë tonë të marrë peng, kujtime për miqtë e mi që nuk realizuan asnjë ëndërr.

error: Content is protected !!