Nga Kujtim Mateli
Kemi ndër duar librin më të ri të studiuesit Xhafer Sadiku, “Shqipëria 1978-1928” një përpjekje serioze për të depërtuar në një periudhë të rëndësishme të historisë së popullit tonë siç ishte shekulli i XIX dhe fillimet e shekullit të kaluar ( XX). Për këtë periudhë historike janë shkruar dhjetra e qindra libra të autorëve të ndryshëm, tekste shkollore apo tekste zyrtare të institucioneve tona shkencore të cilat sjellin kronologjinë e kësaj periudhe me të cilën ne jemi njohur qysh në bangat e shkollës. Këndvështrimi me të cilën është parë kjo periudhë historike prej autorëve të deritanishëm ka qenë ai i historianit politikan apo i politikanit historian. Në këtë mënyrë historia është shkruar deri tani për t`i shërbyer njërës apo tjetrës forcë politike që vinte në pushtet duke e deformuar realitetin sipas interesave të caktuara. Kjo lloj historie me të cilën ne u mësuam, na bënte që t`i shihnin aktorët politikë që kanë vepruar në periudha të ndryshme historike bardhë e zi: ose atdhetarë, ose armiq e tradhëtarë. Kjo ka bërë që aktorët politikë që kanë vepruar në Shqipëri të kenë tek brezat e shqiptarëve dy qasje të kundërta emocionale: Ose të adhurohen e të hymnizohen, ose të urrehen.
Këndvështrimi i studiuesit Xhaferr Sadiku është i ndryshëm. Profesioni i tij është ai i juristit. Si jurist ai e ka parë individin në optikën e profesionit të tij: ishte veprimtaria e një aktori politik në përputhje me interesat e atdheut apo nuk ishte? Në këtë këndvështrim studiuesi Xhafer Sadiku i shikon aktorët e politikës shqiptare si alternativa të ndryshme që individë apo dhe grupime njerëzish kanë përfaqësuar shtresat e shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme historike. Madje këto alternativa kanë qënë të dobëta dhe të pafuqishme përballë njëra-tjetrës në planin kombëtar. Ashtu të kundërta, nëse do të ishin përplasur fort me njëra-tjetrën, produkti politik do të kishte qënë më i madh dhe çështja jonë kombëtare, e shtruar për zgjidhje qysh në shekullin e XIX, do të kishte marrë një rrugë më të drejtë. Ky këndvështrim i studiuesit Xhafer Sadiku është një risi në historiografinë shqiptare. Kjo risi është dhe vlera reale që e bën këtë libër të çmuar dhe të vlerësuar. Mbase ka ardhur koha që fakulteti i Histori- Filologjisë dhe veçanërisht dega e historisë t`i shohë dhe t`i vlerësojë aktorët e politikës shqiptare të këtyre tre shekujve të fundit edhe në planin juridik, nëse veprimtaria e tyre ishte ose jo në përputhje me interesat e atdheut dhe, nisur ka ky rezultat, të bëhet vlerësimi i njërës apo tjetrës figurë politike.
Studiuesi Xhafer Sadiku i ka parë me vëmendje të gjitha trevat shqiptare dhe ka sjellë për lexuesin të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, të elitës së saj politike, që kanë punuar dhe luftuar për të ruajtur tërësinë tokësore ku banonin shqiptarët, e cila në disa kongrese dhe konferenca famëkeqe iu dha fqinjëve lakmitarë. Autori e ka përcjellë me detaje konkrete gjithë këtë luftë të pabarabartë midis copëtuesve të tokave të shqiptarëve siç ishin malazestë, serbët apo grekët dhe mbështetësve të tyre që grupoheshin nën emërtimin “Fuqitë e Mëdha”. Ajo që e bën këtë libër të besueshëm është se autori ka shfletuar disa qindra libra e dosje dhe ka marrë prej tyre 1932 citate, të cilat japin një tablo të plotë të asaj që ka ngjarë në ata dy shekujt e fundit (XIX-XX). Ato janë në radhë të parë dokumente arkivore, por është përdorur dhe shtypi i atyre viteve dhe autori për të arritur në një konkluzion sa më të drejtë ka përdoruar sa më shumë burime. Të një rëndësie të veçantë janë dhe burimet në gjuhën italiane të cilat i ka përzgjedhur me kujdes dhe i ka sjellë për lexuesin për ta parë më mirë jo vetëm qëndrimin e qeverive italiane, por edhe të atyre shteteve evropiane që kishin interesa në Ballkan dhe një plan konkret për trojet shqiptare.
Ngjarjet në Shqipëri ky autor i ka parë në një plan sa më të gjerë. Aty do të gjesh marrëveshjet midis shteteve ballkanike dhe atyre evropiane, lidhjet e një shteti ballkanik me ato të kontinentit e më gjerë.
E kemi patur deri më sot të paqartë se si Anglia, Franca dhe Rusia, tre shtete që kanë patur interesa të kundërta me njëra-tjetrën të bashkoheshin në një qëllim të vetëm përsa u përket interesave shoviniste të grekëve për t`u shkëputur trojeve shqiptare Shqipërinë e Poshtme. Po tek ky libër e gjen mjaft të qartë përgjigjen e cila nuk vjen nëpërmjet konkluzionit të autorit, por nëpërmjet një dokumentacioni të plotë që gjendet në arshivat e vendeve evropiane dhe që pasqyrohet dhe në këtë libër.
E kemi patur të paqartë se si midis krahinës së Sulit në Çamëri dhe Ali Pashë Tepelenës që sundonte vilajetin e Janinës pati një luftë për jetë a vdekje, kur të dy kampet i përkisnin së njënjtës popullsie që ishte ajo shqiptare. Lexojeni këtë libër dhe aty do të gjeni mjaft mistere që deri tani kanë mbetur të pazbardhura dhe që ky libër hedh mjaftueshëm dritë për të zbardhur historinë e Shqipërisë dhe të parëve tanë.
E kemi patur të vështirë të kuptojmë se si arsimi në gjuhën shqipe mbeti në nivele të ulta deri në Shpalljen e Pavarësisë, kur në krye të Perandorisë Osmane ka patur disa kryeministra shqiptarë, qoftë dhe ky i fundit, Ferit Pashë Vlora, i cili i shërbeu Perandorisë në vitet 1903-1908. Lexojeni këtë libër dhe do të gjeni aty përgjigjet për mjaft nga pikëpyetjet që na kanë shoqëruar deri më sot.
Ky libër është një enciklopedi e aktorëve politikë shqiptarë përgjatë dy shekujve të kaluar. Ata janë parë në plane të ndryshme në të gjithë veprimtarinë e tyre. Ajo çfarë i bashkon është ngjarja historike dhe aty shohim qëndrimin e njërit e të tjetrit. Në planin kombëtar janë qëndrime të një patrioti e atdhedashësi që kërkonte lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, pavarësisht se mendimet e tyre nuk përkojnë me njëri-tjetrin apo dhe vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo ndodhte se në territorin e Shqipërisë vepronte e gjithë struktura diplomatike evropiane. Në këtë kuadër nuk ka se si të mos ketë ndodhur që individë të caktuar të jenë joshur nga njëra apo tjetra fuqi evropiane dhe të jenë mbështetur prej tyre. Sot, pas një shekulli, e kemi të qartë se çfarë synonte njëra apo tjetra fuqi evropiane. Sot, pas një shekulli, mund të mos gënjehet dhe një njeri që ka minimumin e njohurive politike. Por kur në territorin e Shqipërisë vepronin shtete të fuqishme evropiane si Anglia dhe Franca, Austro-Hungaria dhe Italia, Gjermania dhe Rusia, cilido aktor i politikës shqiptare do ta kishte të vështirë të besonte se cili midis tyre ishte miku dhe cili armiku. Sot ne mund të rendisim si përkrahëse të Shqipërisë Italinë dhe Austrinë dhe deri diku Gjermaninë. Sot mund të rendisim si shkatërruese të trojeve shqiptare pjesën e mbetur, por në kushtet e pushtimit, kur qëllimi fshihet pas fjalëve të bukura, zbardhja e së vërtetës është e vështirë.
Një vend të rëndësishëm zënë në këtë studim krijimi i shoqatave dhe komiteteve shqiptare jashtë territorit të Shqipërisë si: ” Komiteti Qëndror për mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë Shqiptare” në Stamboll që kryesohej nga Abdyl Frashëri, e cila u kanalizua në dy lëvizje të mëdha: njëra përfaqësohej nga “Lidhja e Prizrenit” dhe tjetra “Shoqëria Letrare e Stambollit”.
Ideja e bashkimit të Shqipërisë në një konfederatë me Greqinë ka qënë një kurth nga ana e qeverisë së Athinës dhe i atyre shteteve evropiane që e mbështesnin dhe ushqenin këtë ide fatale për Shqipërinë, e cila pati dhe mbështetës që mendonin: më mirë të lirë dhe në një konfederatë me Greqinë se sa nën perandorinë osmane. Po shqiptarët kërkonin që brenda territorit shqiptar të përfshihej gjithë Camëria deri në Prevezë, ndërsa pala greke ngulte këmbë që kufirin midis dy shteteve ta përbënte një vijë që nisej në jug të Vlorës dhe duhej t`i linte Greqisë gjithë krahinën e Gjirokastrës, të Delvinës e të Përmetit. Në këtë mënyrë konfederata greke ishte copëtimi i trojeve shqiptare me vetë dëshirën e shqiptarëve. Kundër këtij bashkimi greko-shqiptar u shprehën figurat më në zë të kohës dhe kontributi i tyre vlen të përmendet.
Visar Dodona: grekët dhe shqiptarët janë dy këmbë të vecanta qëkur është krijuar bota.
Andon Zako Cajupi: S`kemi asgjë të përbashkët me fqinjët tanë: turqit dhe grekërit.
Asdreni: ” C`fituan shqiptarët e Greqisë, që ishin gjer në një milion, të cilët luftuan për lirinë greke? Asgjë. Përkundrazi kërcënohen të humbasin edhe komb dhe gjuhë, megjithëse atëhere u ishte premtuar për mbretëri shqiptaro-greke!…. Mos doni vallë që dhe ne të tjerët ta pësojmë njëlloj si ata »?
Ideja e bashkimit me Greqinë u kritikua ashpër nga gazeta “Kombi” më 5 tetor 1907 dhe nga shoqëritë e shqiptarëve të Amerikës, Rumanisë, Misirit, Bullgarisë etj.
Atë që grekët nuk e arritën dot me kurthin e marrëveshjes, e arritën me forcën e armëve dhe e pushtuan Shqipërinë e Jugut pas Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa serbët dhe malazestë luftonin për copëtimin e trojeve veriore të Shqipërisë. Mënyra se si studiuesi Xhaferr Sadiku i ka trajtuar ngjarjet në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë gjer në vitin 1928, është një ndihmesë për historiografinë shqiptare. Disa figura politike, sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë, që janë përbaltur deri më sot apo u janë faturuar faje, më shumë se sa ata mund të kenë kryer në realitet, ky autor i sheh në optikën e tij dhe këtyre faturimeve u zbret ato që u kanë ngarkuar aktorët politikë të kohës. Nuk mundet,-nënvizon autori në të gjithë veprën e tij,- që të marrësh për bazë akuzat e ndërsjella të aktorëve politikë, kur dihet që ata e akuzonin njëri-tjetrin se kishin si synim marrjen e pushtetit. Për vlerësimin e një figure, autori ka patur si mbështetetje dokumentet arkivore, ndaj mund të themi se ky libër është një prurje me vlerë që duhet të zërë vend jo vetëm në bibliotekën e lexuesit, por mund t`i shërbejë dhe studiuesit e historianit për një vlerësim sa më real për ngjarjet dhe aktorët që kanë vepruar në politikën shqiptare.
Do të veçoja si vlerë të veçantë dhe mënyrën se si i ka përcjellë aktorët e politikës evropiane që kanë vepruar në Shqipëri dhe sidomos Konferencën e Londrës të vitit 1913.
Ky studim depërton më thellë se ajo çfarë është arritur deri tani. Mbi këto kongrese dhe konferenca evropiane që copëtuan trojet e Shqipërisë vëzhgon jo vetëm syri i historianit, por edhe ai i juristit. Vendi, i cili kërkon që Kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londrës 1913 duhet të rishihen, është Shqipëria. Deri tani e kanë kërkuar politikanët dhe historianët. Madje në këto 100 vitet e fundit vendimet famëkeqe të tyre janë denoncuar si nga historianët dhe politikanët, por pa sukses. Studiuesi Xhafer Sadiku ka futur me këtë libër një përmasë të re në rishikimin e këtyre ngjarjeve. Kjo është përmasa që vjen nga fusha juridike. Ishin apo nuk ishin të ligjshëm këto kongrese dhe konferenca në vendimet e tyre ?
Mbase me këtë libër ka lindur një degë e re në fushën e historisë : historia-juridike. Mundet që të jetë një term i ri në fushën e historiografisë, por nevojën për të lindur një fakultet historiko-juridik e ka vetëm Shqipëria dhe asnjë nga vendet e tjera ballkanike të cilat i zgjeruan territoret e tyre në shekullin e kaluar me trojet shqiptare. Vetëm një fakultet historiko-juridik mund të përgatisë kuadrin e nevojshëm ligjor që këto kongrese e konferenca evropiane të përballen juridikisht me shtetin shqiptar. Pra, Evropa duhet ta njohë dëmin që i ka sjellë Shqipërisë me copëtimin e trojeve shqiptare jo vetëm nga politika dhe historia. Ajo duhet të përballet me legjislacionin ndërkombëtar, në shkelje të të cilave ajo ka qënë gjatë dy shekujve të fundit.