Nga Xhafer Sadiku

Në librin “Selaniku, qyteti i fantazmaveˮ, Mark Mazower thekson se ‟…Problemi kryesor -i pёrbashkёt pёr historianёt por edhe pёr popullin, ka qёnё dhёnia e kuptimeve shumё kundёrshtuese, madje edhe kontradiktore pёr ngjarje tё njёjta kyç. Ata e kanё konsideruar historinё si njё ‟lojё me rezultat zeroˮ, ku mundёsitё pёr njё pjesё u krijuan nёpёrmjet vuajtjeve tё tё tjerёve dhe humbja e njёrit grup ishte fitorja e grupit tjetёrˮ. Duket sikur fjalët e tij janë thënë enkas për periudhën e sundimit komunist në Shqipëri.

Historiografia komuniste, mite dhe “demonëˮ

Me marrjen e pushtetit në nëntor 1944, komunistët i vunë detyrë Institutit të Studimeve të rikrijonte historinë e jetës morale dhe politike të popullit shqiptar “mbi baza krejt shkencoreˮ.
Në zbatim të kësaj direktive, interpretimi i ngjarjeve u bë sipas doktrinës së luftës së klasave dhe ‟kritereve shkencore marksiste leninisteˮ, duke i portretizuar personazhet historike bardhë e zi, sipas ndarjes i mirë-i keq, mik-armik, patriot-tradhëtar.
Nëpërmjet historive të letrarizuara dhe artit të realizmit socialist u krijuan mitet për të ngushëlluar mbështetësit e regjimit, ndërsa u demonizuan klasat e përmbysura dhe figurat historike nga radhët e saj, shtresa tё gjёra tё shoqёrisё shqiptare, madje krahina tё tёra.
Historiografia u bё instrument i regjimit pёr pёrçarjen e popullit. Një nga mënyrat më perfide ishte goditja e familjeve të “mëdhaˮ. Kështu, ndërsa ‟nderonte” ndonjë personazh nga këto familje, denigronte pjesëtarët e tjerë të saj; kur ndonjërin e ‟vlerësonte” si patriot, të tjerët, të të njëjtës familje, i damkoste si ‟tradhëtarë”. Tekstet e historisë u mbushën me figura letrare, të tilla si epitetet, hiperbolat etj., për të lëvduar ‟patriotët” dhe nxirë ‟tradhëtarët”.
Por vetëm disa ngjarje dhe 4-5 figura historike nuk i plotësonin dot nevojat për propagandë në fushën e historisë. Për të mbushur boshllëkun, në fillim të viteve 1970, PPSH u vuri detyrë strukturave të saj nё terren të hartonin historikët e fshatrave, krahinave dhe rretheve, qё tё tёra bashkё, do tё plotёsonin historinё e popullit.
Gjatё kёtij procesi, shtrёmbёrimi i ngjarjeve, mashtrimi, gёnjeshtrat dhe falsifikimet, morёn pёrmasa tё atilla, sa vetë Enver Hoxha shprehu shqetёsimin se: ‟me tendenca atje fryheshin meritat e disa personave, errësoheshin të disa të tjerëve”.

Formimi i njeriut të ri për përjetësimin e pushtetit

Për të siguruar pushtetin e përjetshëm, krahas eliminimit të “armikut të klasësˮ, PPSH u përqëndrua tek formimi i njeriut të ri dhe për të realizuar një projekt të tillë përdori arsenalin propagandistik dhe resurset e vendit. Një rol të dorës së parë në këtë drejtim luajtën shkrimtarët e artistët që ishin ndihmësit besnikë të Partisë. Me ndonjë përjashtim të rrallë, veprat e tyre ishin armë lufte kundër “armikut të klasësˮ. “Largo, largohu që këtej/ Largo nga sytë e mi/ Nga fjala jote kulak i ndyrë/ S̕ gënjehet më njeriˮ, -këto ishin disa nga vargjet e një skeçi të një autori të njohur, i cili vazhdonte: “Faqezi i pafytyrë/ këtu vend nuk ke/ Këtu këmbët qen i ndyrë/ Nuk të zenë dheˮ.
Ndër vite u krijuan vepra letrare e artistike të shpëlarjes së trurit nëpërmjet të cilave demaskohej “armiku i klasësˮ. “Toka jonëˮ e Kolë Jakovës, “Bereqetiˮ i Fatmir Gjatës, “Ara në malˮ e Petro Markos, “Përballimiˮ i Teodor Laços, etj, janë disa nga veprat më të famshme të realizmit socialist, për të mos përmendur një numër të pafund novelash, tregimesh, filmash etj. Sa më e madhe të ishte shtypja kundër “armikut të brendshëmˮ, aq më i madh ishte servilizmi i mbështetësve të regjimit, të cilët këndonin: “Moj Parti moj famëmadhe/ mirë ua bëre disave/ bejlerëve dhe agallarëve/ u more mantot e grave…ˮ. PPSH mburrej se krijimi i njeriut të ri ishte vepër e saj, madje ende jehojnë vargjet: “Djem e vajza si lastarë/ I ka partia ushtarëˮ.
Njeriu i ri u bë baza sociale ku u mbështetën komunistët (sot të majtët) për të përjetësuar pushtetin e tyre. Gjatë procesit të formimit të njeriut të ri u thellua përçarja e popullit dhe izolimi i “armikut të klasësˮ. Njerëz të afërt u rritën e vdiqën pa njohur njëri tjetrin.

Ndryshimet politike dhe ruajtja e trashëgimisë

Megjithë ndryshimet politike pas vitit 1990, PPSH (PS) ruajti ‟hipotekёnˮ mbi historinë jo vetёm si metodologji por edhe si strukturё e trashёgimi. Kështu, personazhet e të majtës mbeten përsëri pozitivë dhe patriotë, ndërsa të djathtët negativë dhe për rrjedhojë “tradhëtarë”. Historia e të majtës u imponua si histori e Shqipërisë, madje si histori e kombit.
Shumë ngjarje të rëndësishme dhe personazhe historike lihen ende në harresë duke mohuar rolin e elitës shqiptare në procesin e gjatë të shtetformimit dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare nga coptimi.
Edhe kur ndonjë autor arrin të sjellë ndonjë notë të re optimizmi, mbrojtësit e historiografisë së regjimit komunist dhe pasardhёsit e tyre vënë alarmin se gjoja po cënohen figurat historike të mitizuara prej tyre. Heronjve të pranuar nga historiografia komuniste u duhet falur çdo mëkat, në të kundërt, kush prek mitet e saj, përballet me pyetjen e tyre se ‟…kush dreqin e bëri këtë vend?!” Natyrisht, përgjigja jonë në këtë rast do të ishte: Jo vetëm ata.

Raporti i së djathtës me vlerat dhe historinë

Ajo që shpresonin mbështetësit e shumtë të PD pas fitores më 22 mars 1992 ishte dekriminalizimi i Shqipërisë dhe vendosja e një raporti të drejtë me historinë. Natyrisht, nuk ndodhi as njera as tjetra.
Ndonëse partitë politike përfaqësojnë flukse që kanë bazën sociale në shtresa të ndryshme të shoqërisë, të djathtët paraqesin paradoksin më të madh. Kështu, ndërsa PD vetidentifikohet me “Lëvizjen studentore”, numrin më të madh të anëtarësisë dhe mbështetjen më të madhe elektorale e ka tek klasat e përmbysura dhe të persekutuarit, pa mbështetjen e të cilëve do të ishte zhdukur prej kohësh nga skena politike. Është fakt që në këto zgjedhje, shumica e “studentëve të dhjetorit” dhe të vetëquajturit liberalë, u kthyen në orgjinën e tyre klasore, tek partitë e majta. Nën të njëjtën çati u strehuan edhe partitë me karakter fetar dhe krahinor. Atëherë çfarë do të humbasë më tepër PD?
Në raport me historinë, PD nuk shkon më larg se dhjetori 1990, duke mos mbrojtur vlerat e mëdha që i përkasin si trashëgimi bazës së saj sociale. Ende vazhdojnë të mos kenë vëmendjen e duhur ngjarje të mëdha ku shkëlqyen vlerat e një populli të vogël që derdhi shumë gjak e shumë lot për atdheun e tij. Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, bie fjala, është njëra prej tyre.
Në harresë janë lënë edhe figura madhore që kanë themeluar shtetin shqiptar dhe mbrojtur Shqipërinë. Madje, sikur të mos mjaftonin këto, duhet vënë në dukje se vazhdon mitizimi i figurave të historiografisë komuniste. Gjatë qeverisjes së PD janë nderuar kriminelë të komunizmit që vetë e majta nuk do t’i rehabilitonte kurrë.
Paradoksi qëndron edhe në fushën e letërsisë dhe arteve, ku njihen pak ose aspak me shkrimtarë e poetë të shekullit XIX e XX. Ende mitizohen shkrimtarët dhe artistët, që me artin e tyre i shërbyen regjimit komunist në luftë kundër “armikut”, ndërsa nuk u kushtohet vëmendja e duhur dhe as nuk u jepet mbështetja që meritojnë krijuesve të talentuar brenda e jashtë vendit. Pa përmendur emra, duhet theksuar se numri i tyre është i konsiderueshëm.
Po kështu, ndërsa janë promovuar vepra pa vlerë, censurohet një kryevepër si “Vdekja e kalit” e Saimir Kumbaros. Kjo vlen edhe në fushën intelektuale, ku lidershipi i së djathtës ka mbështetur kryesisht intelektualë me bindje të ekstremit të majtë.
Duke mos u harmonizuar intersat e lidershipit me bazën sociale edhe në këtë fushë, PD vazhdon të rrudhet gjithnjë e më shumë.
Gjendja nuk është më e mirë as tek partitë tradicionale të së djathtës “konservatore”, si “Legaliteti” dhe “Balli Kombëtar”. Po të krahasosh, fjala vjen, “Ballin Kombëtar” në dy kohë, rezulton se gjatë luftës, megjithëse kishte për kryetar një figurë të kalibrit të Mit’hat Frashërit, ai drejtonte në mënyrë kolegjiale pasi rreth tij ishin mbledhur figura me profil të lartë politik e intelektual.
Ndryshe ndodh sot, kur “Balli Kombëtar” është ndarë në dy parti dhe nuk janë në gjendje të nxjerrin një antar të këshillit bashkiak. Edhe studjues të afërt me partitë e Ballit kanë qasje të njëanëshme ndaj historisë, madje u mungon vlerësimi real e qëndrimi kritik dhe nuk shtyhen përpara viteve të luftës.
Partia e Legalitetit mund të ishte një parti e konsoliduar për shkak të një trashëgimie mjaft të pasur në ndërtimin e shtetit, por pas vitit 1992, ajo ka shkatërruar veten. Kështu, p.sh, më 1997, kur iu dha rasti të përfaqësohej në pushtetin ekzekutiv, propozoi për ministër njërin nga pinjollët e familjeve të nomenklaturës komuniste. Kështu mund të thuhet edhe për Oborrin mbretëror ku u atashuan oficerë të epokës enveriste dhe nuk u afruan pasardhësit e bajraktarëve dhe ish zyrtarëve të kohës së mbretërisë që kanë qenë tradicionalisht shtyllat e Legalitetit dhe mbështetësit e Oborrit.

Mbushja e hendekut që krijoi e majta

Këto zgjedhje treguan më qartë se kurrë më parë se përçarja që e majta i ka bërë popullit nëpërmjet mekanizmit politik të luftës së klasave është shumë e thellë dhe qeveria aktuale, përkundër demagogjisë, po e zgjeron edhe më shumë. Njëlloj si nën regjimin komunist, për ta bërë më të ashpër goditjen kundër të djathtëve, e majta po përdor disa “ish të përndjekur” nga armata e “heronjve të heshtur” dhe disa familje mafioze nga radhët e tyre.
Përballë detashmenteve ideologjike dhe kriminale, e djathta duhet të identifikojë vlerat e saj historike dhe aktuale duke nderuar figurat madhore të lëna në harresë dhe të demonizuar nga e majta, pa u merakosur për kundërshtimet e kalemxhinjve falsifikatorë të historisë apo të ndonjë historiani të “djathtë”. Nuk duhet të hezitojë më se mos i ikin “demokratët liberalë” apo “studentët e dhjetorit”. Tashmë ata kanë ikur.
Vetëm duke njohur dhe promovuar vlerat e trashëguara dhe duke mbështetur ata që krijojnë vlera të reja të kohezionit social, e djathta do ta nxjerrë shoqërinë shqiptare nga kriza morale ku e ka fundosur e majta me trashëgiminë e saj.
E djathta politike nuk duhet të merret me analiza boshe duke mbështetur shpresat tek “elektorati gri” që shitet për një thes miell, por të punojë për të ngushtuar hendekun e krijuar në shoqërinë shqiptare nga e majta, atë që për më shumë se dy dekada “elita” postkomuniste nuk e mbushi dot.

error: Content is protected !!