Nga Xhafer Sadiku

Në shtator 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi ligjin mbi krijimin e kooperativave bujqësore. Ligji u hartua sipas modelit jugosllav dhe parimit: “… anëtarësimi me vetëdashje, i punëve të përbashkëta, si dhe parimi i demokracisë”.
Qeveria synonte të ngrinte disa kooperativa bujqësore dhe kërkoi të dinte nga komitetet ekzekutive të nënprefekturave, nëse ekzistonin në juridiksionin e tyre fshatra që të kishin çfaqur dëshirën, ose që mund të dëshironin formimin e kooperativave. Pavarësisht nëse kushtet lejonin ose jo formimin e kooperativave bujqësore, duhej që, çdo komitet me anën e organeve të tij të zhvillonte midis fshatarëve një politikë të tillë bujqësore që të favorizonte dhe ndihmonte në të ardhmen, ngritjen e zhvillimin e kooperativave bujqësore.

Refuzimi i fshatareve

Me ndonjë përjashtim të rrallë, fshatarët e refuzuan kolektivizimin.
Nënprefektura e Skraparit njoftonte se: “…megjithë përpjekjet e saj në lidhje me këtë çështje, deri më sot, shumë pak është ndjerë nevoja nga ana e fshatarëve për ngritjen e kooperativave bujqësore. Në atë krahinë nuk është çfaqur asnjë rast ku fshatarët të kërkojnë ose të shprehin dëshirën për ngritjen e tyre”. Komiteti ekzekutiv i Tropojës informonte: “…nuk ka mundësi tash për tash hapja e kooperativave bujqësore”.
Një kooperativë ka mundësi të ngrihet edhe në Ballaban të kësaj nënprefekture, -raportonte nënprefektura e Këlcyrës, – atje është vend fushë dhe ka edhe elementa të mirë, por jo çfaqur mendimin”.
Në tërë vendin, vetëm disa fshatra kishin çfaqur dëshirën për formimin e kooperativës bujqësore, midis tyre fshati Xhanaj në krahinën e Dëshnicës, në Përmet.
Kutali, një fshat në nënprefekturën e Përmetit, me 36 familje, nga të cilat vetëm 18 merreshin me bujqësi, shprehte dëshirën të formonte kooperativën bujqësore.
Ngritjen e kooperativës e përkrahnin element të vecantë nga fshatarët që kishin marrë tokë nga reforma agrare.
Kështu, në qarkun e Korçës, kishte familje që kishin përfituar tokë nga reforma agrare, në fshatin Rakickë dhe 60 familje në fshatin Baban, nga 175 që kishte fshati.
Megjithë dëshirën e shprehur, kooperativat nuk u ngritën në fshatrat e tyre, por atje ku toka u ishte dhënë fshatarëve nga reforma agrare. Gjatë muajve tetor-dhjetor 1946 u ngritën kooperativat e para bujqësore në krutjen e sipërme e Saravë të rrethit të Lushnjës, në Dobraç të Shkodrës, në Kamicë të Koplikut, në Tale e Grykë-Lumë të Bregut të Matës, në Novoselë e Risili të Vlorës dhe Çiflig të rrethit të Sarandës.
Me ngritjen e kooperativave bujqësore, ishte e nevojëshme dhe e domosdoshme që familjeve kooperativiste t’u lihej një sipërfaqe e caktuar toke dhe një numër kafshësh prodhimi. Deri në vitin 1949, sipërfaqja e ngastrës së tokës, që u jepej për përdorim vetjak familjeve kooperativiste, arrinte nga 10 deri në 12 dynymë, ndërsa numri i kafshëve të prodhimit ishte i pakufizuar.
Në kongresin e parë të kooperativave bujqësore, u miratua Statuti i kooperativave bujqësore, i cili, kufizonte sipërfaqjen e ngastrës së tokës dhe numrin e kafshëve të prodhimit të oborrit kooperativist. Sipërfaqja për çdo familje do të ishte nga 3 deri në 5 dynymë, ndërsa numri i kafshëve të prodhimit do të caktohej në bazë të numrit të frymëve që kishte familja. Me kalimin e viteve, sipërfaqja e oborrit erdhi gjithnjë duke u zvogëluar.

Percarja e fshataresise dhe kolektivizimi i dhunshem

Në kongresin e saj të parë, Partia Komuniste të Shqipërisë braktisi politikën e titizmit të zbatuar deria atëherë dhe përqafoi stalinizmin. Kështu, ajo ndryshoi edhe politikën e kolektivizimit të bujqësisë.
Ndonëse vazhdonte të predikonte parimin e vullnetarizmit, në të vërtetë u zbatua praktika e kolektivizimit të dhunshëm. Në formimin e kooperativave bujqësore do të zbatohej politika e diferencimit klasor, duke zbatuar tezën leniniste: “mbështëetje te fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm, luftë kundër kulakut”. Në zbatim të kësaj teze, fshatarësia do të ndahej në tre grupe. Megjithëse reforma agrare dhe shtetëzimi i tufave të bagëtive i kishte vendosur fshatarët në të njëjtën gjëndje ekonomike, regjimi përdori kritere të tjera për ndarjen e fshatarësisë, ku kryesori ishte influenca dhe personaliteti që kishin familjet në fshat. Ata që do të cilësoheshin kulakë, nuk do të pranoheshin në kooperativat bujqësore.
Në promemorjen për formimin dhe zgjerimin e kooperativave bujqësore, në shkurt 1949 theksohej që: “… me përjashtim të ndonjë familje kulaku që gjatë luftës ka qënë me ne, që ka pritur mirë dhe ka zbatuar detyrimet ndaj shtetit, gjithë familjet e tjera kulake nuk duhet të pranohen në asnjë mënyrë në kooperativë. Këta edhe sikur të jenë futur kontrabandë për mungesë vigjëlence, duhet të nxirren jashtë kooperativës. Eshtë e kjartë se, nuk mund të lejohet të hyjë në kooperativë kulaku. Nuk mundet pse ai është një armik i betuar i lëvizjes kolkoziane”.
Për shkak të rezistencës së fshatarësisë, regjimi e pezulloi kolektivizimin masiv te bujqesise per disa vjet, për rifilluar më 1956. Brënda një pesëvjecari mbetën pa kolektivizuar vetëm zonat malore, ku procesi përfundoi në vitin 1967.
Pas krijimit të kooperativave bujqësore në tërë vendin, regjimi nuk e zbuti luftën e klasës dhe pas përfundimit të kolektivizimit të bujqësisë e ashpersoi ate. Lufta kundër kulakëve u zhvillua në të njëjtën kohë në tre drejtime; në frontin politik, ekonomik dhe ideologjik.
Vendosjen edhe në fshat të marrëdhënieve socialiste në prodhim, Enver Hoxha e cilësonte një fitore të madhe historike. Por rrezikun ai e shikonte tek psikologjia mikroborgjeze e fshatarit, duke e përqëndruar luftën në atë front. Regjimi theksonte se ndaj mbartësve të këtyre koncepteve, si deri atëherë, duhej mbajtur qëndrim i diferencuar, që nga metoda e bindjes dhe edukimit që përdorej kryesisht ndaj fshatarëve të varfër, deri tek demaskimi dhe masat administrative-gjyqësore kundër kulakëve dhe ish-kulakëve.Në fakt, masat e ashpra kundër fshatarësisë , nuk kursyen as fshatërat e mesëm, madje edhe të varfërit.
Burgosje, tatime te dy e trefishta, sekuestrme, izolime politike, ndalime te martesave me grupe te tjera të shoqërisë, do të ishte rituali i përhershëm për familjet e cilësuara kulak, deri në rënien e regjimit komunist.


(Marre nga libri “Genocidi mbi kulaket ne Shqiperine komuniste, 1948-1990

error: Content is protected !!