-Po vjen Sinani! Bëj gati makinën ta shpiesh në fshat, – i’u drejtua kryetari shoferit të kooperativës. – E kam një blanjë, nuk i mbaj dot të tjerat, refuzoi shoferi, të shkojë në këmbë.
-Ka vdekur, more, – ngriti zërin tjetri. – E ka lënë me gojë të varroset në fshat.
Nuk kaloi shumë kohë kur shtatë a tetë burra zbritën nga fshati, e hodhën arkivolin në krah dhe u nisën përpjetë, Bregut të Gjizës.
E gdhinë atë natë sipas zakonit, dhe të nesërmen e varrosën. C’është e vërteta kishte pak njerëz, po binin në sy Muhameti dhe Zaimi, madje ky i fundit i gdhëndi emrin mbi gurin e varrit.
Kur nuk kishin kaluar as pesë ditë, disa “të deleguar” nga byroja e Partisë në rreth, të prirë nga sekretari i byrosë së kooperativës mbërritën me urgjencë. Mbledhje e organizatës bazë të partisë.
– Keni zbutur luftën e klasave në fshat, – e mori fjalën më i “madhi” prej tyre.
Shoku Muhamet dhe shoku Zaim duhet të përgjigjeni. Muhameti paska shtruar edhe drekë për Sinanin! Duam propozime nga shokët për masë partie.
– Nuk mund ta linim pa varrosur, – u përgjigj Zaimi; jemi rritur bashkë. Pastaj, kur Sinani ka qenë me Ballin në Berat, ka shpëtuar shumë partizanë. Fshatarët tanë i ndihmonte duke u gjetur bereqet.
– Ma ka bërë nderin, – i erdhi radha Muhametit, duhet të ktheja nderin me nder.
U diskutua nga shokët e partisë për luftën kundër armikut të klasës, u bënë edhe vrejtje Muhametit e Zaimit, por nuk u mbyll me kaq. I thirrën në komitet.
Përpara tyre nxinte fytyra e Simonit, kreut të regjimit në rreth.
-Ti, iu drejtua Muhametit, – përjashtohesh nga partia, sepse je pajtuar me armikun. Zaimi ia hodhi me një vrejtje. Aq duhej; ta merrnin vesh të gjithë se lufta e klasës nuk mund të zbutej, aq më pak në atë krahinë, që i kishin vënë etiketën, “reaksionare”.

error: Content is protected !!