Jaho Mullaj nga fshati Bubës II në Përmet, burrë i moshuar, i shpallur kulak, një ditë vendosi të “thyente” izolimin dhe doli nga qendra e fshatit, për të këmbyer ndonjë bisedë me një kushëririn e tij, samarxhi i kooperativës.
Sa hyri brenda, pa kryetarin e Frontit, edhe ky një kushëri i tyre, por “i fisëm”. Përshëndetjes së tij, i’u përgjegj kryetari i Frontit: -E di ti për kë i bëjmë këta samarë? – E di, u përgjegj plaku, -për mushkat e kooperativës. -Jo, vazhdoi tjetri, -ne i bëjmë për kulakët, si ty. -Mua vërtet më keni cilësuar kulak, -ngau bisedën plaku, por jam njeri, ndërsa ty edhe pse të kanë bërë kryetar fronti, je një gomar.
Kaq u desh. Pas dy tre ditësh, në Bubësin II zbarkuan të dërguarit e pushtetit: një kuadër i komitetit të partisë së rrethit Përmet, punëtori operativ i Sigurimit të shtetit për zonën dhe kuadrot e kooperativës bujqësore. Mblodhën popullin për të demaskuar Jaho Mullajin. Mbledhjen e drejtonte Llazua, sekretar i organizatës bazë të partisë dhe mësues në atë fshat.
-Ky armik klase, tha Llazua, ka ofenduar kryetarin e frontit…

-Shoku sekretar, iu drejtua Jahua… por nuk e lanë të vazhdonte.

-Nuk jam shoku tënd, e ndërpreu Llazua.

-E po zoti sekretar..

-Mbylle, kulak, se nuk jam zotëri…

-Po si të të drejtohem… mender m…
I dërguari i regjimit i bëri me shenjë operativit të sigurimit ta largonin plakun se u fëlliqën.
Seksioni i sigurimit të shtetit të rrethit Përmet, për demaskimin e Jaho Mullajt, i raporonte Drejtorisë së Sigurimit : “Efekti ishte mjaft i madh dhe bëri që kjo lloj veprimtarie të ndërpritet deri diku jo vetëm në katundet e tyre, por edhe në katundet fqinj me to, nga ana tjetër bëri që të rritet vigjëlenca e popullit ndaj elementit armik, sidomos ndaj kontigjenteve të hapura”.

ASHS, fondi 79, viti 1973, dosja 306, f. 6

error: Content is protected !!