TVSH, i vetmi televizion në vend, jepte filmin “Përballimi”, të cilit i ishte bërë jehonë e madhe nga propaganda e soc-realizmit. Filmi e merrte subjektin nga periudha e grumbullimit të detyrueshëm të bereqetit, po qëllimi i Partisë ishte të vazhdonte përçarjen e fshatarësisë sipas tezës së Leninit: “Mbështetje tek fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm, luftë kundër kulakut”.
Që t’i biem shkurt, në një familje me “biorgafi të mirë”, e vetmja që kishte televizor në fshat, u mblodhën lagjia dhe tërë sy e veshë mbërthyen sytë mbi ekran. Kureshtja ishte e madhe se në fshatin e tyre kishte kulakë dhe prisnin me padurim të shikonin a do tu ngjanin ata të filmit kulakëve të fshatit të tyre. Kulaku i filmit quhej Nazif, fshatari i mesëm Xhezo, sekretari i partisë Martin e të tjerët me radhë, ku nuk mungonin as nafijet.
– Mua më duket se Nazifi ngjan me D… , – nuk e mbante vendi njërin.
– Jo, duket sikur është S… ia priti tjetri. Tani është plakur, po kur ka qenë ca më i ri ashtu ishte.
– Po Xhezo, a kemi këtu, – pyeti një tjetër. Ky më duket sikur është H…
Folën edhe të tjerë, por nuk i la të vazhdonin nusja e shtëpisë:
-Këto personazhe nuk ngjajnë me asnjë nga fshatarët tuaj. Jo vetëm këta, po cili nga ju është si këta kulakët tuaj, si I quani ju?! Ata janë burrat me te zot në krahinë, prandaj i urreni. As në fshatin tim nuk ka burra të tillë. Djemtë e tyre janë të pashëm dhe të edukuar, vajzat e tyre të mira, ndërsa nënat e tyre janë zonja. Turp për ju!
…
Edhe pse kohët kanë ndryshuar, ata nuk e kanë harruar instiktin e urrejtjes, me të cilën i rriti partia e tyre dhe “arti” i realizmit socialist.