Pasi kontrolluan edhe shtëpinë e të arrestuarit, në prani të mbështetësve të regjimit në fshat, operativi i sigurimit urdhëroi policët të niseshin. Nëna plakë zgjati duart të përqafonte të birin, por një e shtyrë e policit e përplasi pas murit.
– U kthefsh mirë, – bir!
– Vajtja dihet, por ardhja s’dihet, -iu hakërryen policët.
Kur dolën mbi fshat, i arrestuari ktheu kokën. E ndjente se po ndahej përgjithmonë nga nëna, që e ndiqte me sy. Bashkëfshatarët shikonin nga dritaret, ndërsa “paria” e fshatit shoqëronte operativin e sigurimit, i cili i falënderoi kur u ndanë. Ishin të kënaqur nga puna e bërë: një “armik” më pak, më i lehtë sundimi i tyre.
Pas dy orë udhë nëpër vapën e korrikut, mbërritën tek çezma e fshatit nga kalonte rruga automobilistike, ku i priste “Gazi” i Degës.
-Largohuni, urdhëroi operativi tre plakat që mbushnin ujë.
-Çfarë paska bërë ky burrë që e paskeni lidhur me duar mbrapa, nuk kemi dëgjuar të jetë vrarë njeri në atë fshat?!
Teksa policët po freskoheshin, njëra prej tyre u drejtua për tek burri me pranga ne duar, me bucelën me ujë, por polici që ruante të arrestuarin ia mori nga dora dhe ia hodhi disa metra tutje.
– Ky është armik, nuk e do Partinë tonë. Ti i jep edhe ujë!
Plakat u shushatën.
-Por edhe ai që të vret, të lë sa të pish ujë! Ju qenkeni… O Zot!