-Nesër të na dorëzosh kasollen e bagëtive, – e urdhëroi kryetari. Në kasollen tënde do të mbyllim derrat e kooperativës. Kasollet t’i kemi konfiskuar. Po nuk i dorëzove vet, akuzohesh si sabotator dhe, për kulakët ne nuk kemi mëshirë. Vëllanë e ke në burg, atje do të të kalbim edhe ty. Dil përjashta.

Tjetri u zverdh. Vite më parë i kishin shtetëzuar pa shpërblim dy tufa të mëdha bagëti, madje edhe qentë. Tani po i merrnin edhe kasollet. Ku t’i shpinte ato pak bagëti që i kishin lënë! Dëbora dhe akulli kishte mbuluar dhenë. Të kërkonte ndihmën e bashkëfshatarëve ishte e kotë. Disave u kishte hyrë frika në palcë, të tjerët gëzoheshin kur i shikonin të vuanin.

Të nesërmen mbërritën njerëzit e regjimit. Pa i thënë as mirëmëngjez, i nxorën bagëtitë jashtë dhe i vunë drynin derës.

Atë mbremje të ftohtë janari, strehë për bagëtitë u bë një dhomë e shtëpisë. Deri sa u ngroh moti, fëmijët dhe kecat u miqësuan. Ishin të vetmit miq të fëmijve në atë fshat të largët.

error: Content is protected !!