-Duhet të jetë ndonjë udhëtar që vjen nga larg në këtë orë të vonë, – u tha hotelxhiu të rinjve që bujtnin prej ditësh në hotel. Sa hapi derën, u përball me një burrë të mbajtur mirë, me një kapele në kokë si ato që mbanin ushtarakët, pasi u hoqën gradat. Nga veshja dhe mosha dukej sheshit që ishte oficer i dalë në pension.
– Nuk ka vende, – iu përgjegj hotelxhiu përshëndetjes së tij.
– S’ka problem, – ia ktheu tjetri, – kur kam fjetur njëzet vjet përjashta, fle edhe një natë.
Hotelxhiu u bë kureshtar dhe ngau bisedën:
-Ku ke punuar ti, që paske fjetur jashtë?
-Kam qënë oficer kufiri.
-Po, për ku kështu në këtë natë nëntori?
– Në fshatin…
Tjetrit iu shtua edhe më shumë kureshtja:
-Tek kush shkon atje?
-Tek … e kam mik…
– Ç’e do atë mik, more! – vari sytë hotelxhiu, – ai është kulak.
Tjetri ra në mendime.
– Eh, mor të mjerë… ia ktheu ish oficeri, me këto mendje u lashë kur ika nga fshati tridhjetë vjet më parë, me këto mendje po u gjej!
Ktheu shpinën dhe bëri të dilte, por ndërkaq njëri nga të rinjtë i doli përpara:
– Ju do të flini në krevatin tim, në lulishte do të fle unë.