Sa hërë kishte festa, disa familje të fshatit ndiheshin në hall: i kishin izoluar për shkak “biografie”. Ç’biografi zeza, vetëm se disa kishin qenë me Ballin, po me të shumtët indiferentë. Më i izoluar ishte familja e “kulakut” të fshatit. Atë e kishin braktisur miqtë e vjetër, por as të rinj nuk zinte dot.
Ç’ të festonin! Festa nuk bëhet vetëm. Më shumë e ndjenin ata që ishin me biografi disi më të “mirë”, herë i afronin komunistët dhe herë i largonin! Plasën.
Secili mundohej të gjente ndonjë mik të afërt me pushtetin. Që të mos e zgjasim, një ditë u pa tek ngjitej për në fshat miku i një familje me “cen” në biografi.
-E kemi keq, – i tha i zoti i shtëpisë, – na kanë ndarë më vete, as nuk na vjen njeri as nuk na pranojnë në shtëpi të tyre.
Miku tundi kokën i menduar: -A kini kulak këtu? – i pyeti. -Po, iu përgjegj tjetri, -por me atë as nuk bëhemi se ne jemi më të mirë se ai. Kështu na thonë edhe shokët e fshatit.
-E paski të zgjidhur problemin, vazhdoi miku; goditeni kulakun, mos e lini të marrë frymë. Kështu do ta fitoni besimin e Partisë dhe të shokëve këtu.
Ashtu ndodhi. Kur erdhën festat e nëntorit në shtëpitë e tyre ziente kënga për partinë. O Parti, moj famë madhe/ Mirë ua bërë disave/ Bejlerëve dhe agallavëre/ U more mantot e grave…