Ajo që në historiografi ka hyrë si lufta kundër burokracisë, në të vërtetë ishte goditja kundër brezit të dytë të familjeve që u cilësuan kulakë.
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u tërhoqën të gjithë teknikët dhe inxhinierët e vendeve të lindjes, duke lënë të pa përfunduara shumë projekte të përbashkëta.
Me ndërmjetësinë e komiteteve ekzekutive të rretheve Vlorë e Lushnjë, kryesitë e 23 kooperativave bujqësore kontraktuan me specialistë të ndërmarrjeve të ndërtimit, kryesisht të rinj në moshë, për ndërtimin e 45 objekteve me karakter bujqësor, blegtoral e socialkulturor.
Nga viti 1963 dhe deri në shtator 1966, në rrethet Vlorë, Fier e Lushnjë u ndërtuan shumë objekte me sipërmarrje private.

Në kuadrin e rivalitet për pushtet brenda udhëheqjes së regjimit, klani i Enver Hoxhës e shfrytëzoi për të goditur pushtetin e qeverisë.
Në funksion të këtij qëllimi u vunë organet e diktaturës. Në shtator 1966, Prokurori i Përgjithshëm u drejtohej strukturave të larta të regjimit: “…praktika e ndërtimeve në sipërmarrje private me përmbajtje kapitaliste nuk cënon vetëm rendin juridik në fuqi, por vjen në kundërshtim me parimet e rendit tonë shoqëror”.
Ai informonte se: “…Nga të dhënat e organeve të prokurorisë në rrethet e sipërme rezulton se sipërmarresit privatë në përgjithësi dhe sidomos ata që kanë vepruar në rrethet Lushnjë dhe Fier, janë elementë me orgjinë, ose qëndrim të keq politik”.

• Akuza të porositura

Ndër masat e para që mori regjimi për ndalimin e sipërmarrjeve private, ishte arrestimi i disa kulakëve nën akuzën “tradhëti ndaj atdheut”. Çështja u muar në dorë nga Enver Hoxha dhe në janar 1967, u “porosit” prokuroria të ndryshonte akuzën.
Në raportin e Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Këshillit të Ministrave, lexohet: “Më porosinë e shokëve të komitetit Qëndror të Partisë, Prokuroria e Përgjithëshme në janar të këtij viti e rifilloi këtë çështje, duke zhvilluar hetime të gjëra… për të zbuluar gjithë veprimtarinë kriminale të kulakëve dhe matrapazëve në dëm të pasurisë socialiste”.
Me ndryshimin e akuzës, ishte paracaktuar edhe fati i tyre. “…armiqtë mund të na akuzojnë sektarë e terroristë, por ne syleshë nuk ishim, -theksonte Enver Hoxha, -armiqtë që na kthyen pushkën partia dhe populli i zhdukën pa nishan. Ne nuk ishim terroristë por revolucionarë dhe revolucioni proletar i udhëhequr nga partia marksiste-leniniste nuk lejon që armikun ta fusësh në vathë, nuk lejon ta mbash gjarpërin në gji, gjoja nën pretekstin dhe arësyet të cilat mund të përpiqësh t´u veshësh çdo petkë, por prapë ato nuk bien as erë marksiste- leniniste. Këto u kryen me sukses, pasi partia ishte maja e mprehtë e shpatës”.

Duke qënë se përgjegjësinë penale e kishte vendosur udhëheqja e partisë, prokurorisë i mbetej të “provonte” akuzën, me një akt ekspertimi të “porositur”.
Në raportin e Prokurorit të Përgjithshëm vihej në dijeni qeveria se, sipas vendimit të komiteti Qëndror të Partisë, “… Për politike penale, megjithëse fajtorë, nuk u dërguan në gjyq 22 kryetarë, 22 shefa llogarie dhe 3 punonjës të kooperativave bujqësore të ngarkuar me administrimin e materialeve, 3 brigadierë dhe 4 shoferë të parqeve automobilistike Elbasan dhe korçë si dhe 5 punonjës të komiteteve ekzekutive”.
Natyrisht, duke qënë “me biografi të mirë”, për ta ishte dhënë porosi nga komiteti Qëndror i Partisë të zhvilloheshin gjyqet shoqërore në mbledhjet e popullit. këto do të bëheshin mbas gjykimit të grupit të kulakëve në bashkëpunim me organet e partisë e të pushtetit në rreth.
“Qëllimi i tyre, -thuhej në raportin e prokurorisë, – është që nëpërmjet materialeve faktike të shihet si zhvillojnë armiqtë e klasës luftën kundër nesh sidomos në fushën ekonomike, format që përdorin dhe mbi këtë bazë të rritet vigjëlenca e masave punonjëse”.
Për të dhënë efekt sa më të madh terrorizues mbi administratën, propozohej që “…në gjyqin që do të zhvillohet kundër grupit të kulakëve të marrin pjesë edhe punonjësit e dikastereve, komiteteve ekzekutive, ndërmarrjeve dhe kooperativat bujqësore që në një formë apo në një formë tjetër kanë pasur të bëjnë me veprimtarinë e këtyre sipërmarrësve private”.
“…Në qoftë se shihet e arsyeshme, për eksperiencë dhe për nxjerrje konkluzione e mësime, -përfundonte prokurori,
-mund të marrin pjesë dhe punonjës nga rrethe apo dikastere të tjera”.

Në mbledhjen e qeverisë më 9 nëntor 1967, u propozua që në seancën kur do të mbahej pretenca e prokurorit dhe në seancën kur të shpallej vendimi i gjykatës, duhej të merrnin pjesë “…të paktën gjithë kryetarët e kooperativave bujqësore të rrethit përkatës”.
U dha urdhër “të mos publikohet një gjë e tillë, por ky material mund të qarkullojë në të gjitha kooperativat bujqësore dhe në të gjitha ndërmarjet, për t’u vlejtur si bazë për analizën që do t’i bëjnë punës së tyre”.
Gjyqi kundër kulakëve u zhvillua më 22 nëntor 1967 në Gjykatën e Qarkut Vlorë. Me një akt ekspertimi të porositur, shtatë prej tyre u dënuan me vdekje. Më 2 dhjetor 1967, kolegji Penal i Gjykatës se Lartë me kryetar aranit Çelën, zëvëndëskryetar Llazi Stratobërdhën dhe anëtar Syrja dedej, la në fuqi dënimin me vdekje, ndrësa më 8 dhjetor 1967, Presidiumi i kuvendit Popullor për 6 prej tyre refuzoi kërkesën për faljen e jetës.

• Pjesë nga mbrojtja e të arrestuarëve përpara gjyqit.

Skënder Mustafarai: “…Ekspertimi nuk është objektiv, mbasi nuk është bërë drejt llogaritja e punimeve. Për ketë arësye kërkoj që dënimi me vdekje të ndryshohet”.

Mehmet Bregu: “…Nuk është e vërtetë që unë t’i kem marrë kooperativës para më tepër duke shënuar se gjoja kam përdorur gëlqëre e çimento më tepër. Akt-marrëveshjen e kam bërë mbi insistimin e kryesisë së kooperativës, se unë në fakt s’doja të merresha me sipërmarrje…”.

Xhemil Margaritari: “…Jam shpërblyer vetëm për punën e kryer. Me tepër s’kam marrë asnjë lek. Gjatë ekspertimit mund të jenë bërë përllogaritje jo në përputhje me realitetin…”

Sezai Çeloaliaj: “…Nuk kam kursyer asnjë material në dëm të objektit. Nuk u kam mbajtur hakun punëtorëve, unë ata i kam paguar në bazë të akordit…”.

Luan Mersini: “…kam qënë i lejuar rregullisht për ushtrimin e profesionit dhe kam paguar tatim-fitimin mbi të ardhurat….Ndonëse familja ime është cilësuar kulak, unë nuk kam ndonjë rrezikshmëri shoqërore sa të meritoj një dënim kapital…”.

Arif Azizi: “…Objektet i kam dorëzuar në bazë të situacioneve dhe kolaudimeve të bëra nga teknikët. Asnjëherë nuk jam likujduar tërësisht pa i kaluar këto objektet nga komisioni kontrollor për verifikimin e gjendjes së ndërtimeve…”
Që akti i ekspertimit mbi të cilët ndërtohej akuza përmbante të dhëna të rreme, pranohet në mbledhjen e këshillit të Ministrave disa ditë përpara gjyqit. “Unë, -theksoi Faik Ahmeti, -lejova që ndërtimet të bëheshin të rënda, të vështira që kërkonin teknikë të përgatitur dhe shumë material si çimento, hekur, tulla etj, në vend që ato të bëheshin të thjeshta me materiale vendi…” Nuk duhej të tërhiqesha përpara kuadrove të kooperativave bujqësore që mendonin se nuk kishin mundësi që ti bënin vetë ndërtimet”.
Gjashtë dënime me vdekje dhe 107,5 vjet burg. Po cilët ishin të dënuarit?

Biografia e të dënuarëve, sipas Prokurorisë së Përgjithshme:

Skënder Mustafaraj, nga Aranitasi i Mallakastrës, kulak, babai i tij Ali Aranitasi ka qënë komandant i Ballit për zonën e Mallakastrës dhe pushkatuar pas çlirimit.

Xhemil Margaritari, nga Margëlliçi i Patosit, kulak. Në vitin 1950 është dënuar për tradhëti. I ati u dënua me 1945 si armik i popullit, më 1956 dënohet përsëri për tradhëti. Po për këtë krim është dënuar edhe vëllai i tij, Myrto Margaritari si dhe kushëriri i tij Arshi Margaritari. Një kushëri të afërt e ka patur aktivist në rreshtat e Ballit.

Mehmet Bregu, nga Siqesa e Mallakstrës, kulak. Eshtë dënuar në 1947 për tradhëti ndaj atdheut.

Luan Mersini, nga Çeprati i Vlorës, kulak, i ati i tij pas çlirimit është dënuar si armik i popullit.

Sezai Çela (ose Çeloaliaj), nga Dukati i Vlorës, kulak. Babai i tij pas çlirimit është dënuar për veprimtari armiqësore.

Kujtim Mustafarai, nga Aranitasi i Mallakastrës, kulak, nipi i ish-komandantit të Ballit për zonën e Mallakastrës Ali Aranitasit, kushëri i parë i të dënuarit për tradhëti Skënder Mustafarai.

Farudin Kurti, nga Ngurëza e Lushnjës, kulak, babai i tij ka vdekur në burg duke qënë i dënuar, një vëlla e ka të dënuar për krime kundër shtetit.

Enver Mustafarai, nga Aranitasi i Mallakastrës, kulak, biri i ish-komandantit të Ballit (Ali Aranitasit) për zonën e Mallakastrës, armikut të pushkatuar Ali Aranitasit, vëlla i të pandehurit në këtë çështje Skënder Mustafarait dhe kushëri i të pandehurit tjetër Kujtim Mustafarait.

Skënder Ibrahimi, nga Greshica e Mallakastrës, armik, pa triskë fronti, babai i tij është pushkatuar për veprimtari armiqësore gjatë luftës Nacionalçlirimtare

Hysen Hoxha, nga Kalenja e Mallakastrës, kulak, biri i ish-komandantit të një batalioni të Ballit në Mallakastër, kulakut Islam Hoxhës i cili ka qënë i dënuar për krime kundër shtetit.

Dënimet e dhëna nga Gjykata e Qarkut Vlorë:

Skënder Ali Mustafaraj; dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë…

Mehmet Qani Bregu, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë…

Xhemil Faik Margaritari, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë…

Sezai Axhem Çela, (Çeloaliaj,-shënimi im,-Xh.S) dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë…

Enver Ali Mustafaraj, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë…

Luan Tefik Mersini, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Arif Ibrahim Hazizi, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Kujtim Riza Mustafaraj, me 25 vjetheqje lirije, konfiskim
pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Skënder Sefedin Ibrahimi, me 25 vjet heqje lirije, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Faredin Vesel Kurti, me 20 vjet heqje lirije, konfiskim
pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Hysen Islam Hoxha, me 15 vjet heqje lirije, konfiskim
pasurie…”. etj.

Më 2 dhjetor 1967, kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela i dërgonte Presidiumit të kuvendit Popullor vendimin nr. 45, datë 25.11.1967 të Gjykatës së Qarkut Vlorë mbi dënimin me vdekje të të pandehurve: Skënder Mustafaraj, Mehmet Bregu, Xhemil Margaritari, Sezai Çela, Enver Mustafaraj, Luan Mersini, dhe Arif Azizi, të lenë në fuqi nga këshilli Gjyqësor penal i Gjykatës se Lartë me vendimin Nr. 207, datë 2.12.1967, kërkesat e të dënuarve për falje si dhe një relacion përmbledhës mbi veprimtarinë e të dënuarve me vdekje. “Jemi të mendimit, -shkruante ai, -që kërkesat për falje të refuzohen”.
Më 8 dhjetor 1967, Presidiumi i Kuvendit Popullor, vendosi: “të refuzohet falja e jetës së të dënuarëve me vdekje Skënder Ali Mustafaraj, Mehmet Qani Bregu, Xhemil Faik Margaritari, Sezai Axhem Çela, Luan Tefik Mersini, Arif Ibrahim Hazizi… Vendimi nr. 45, datë 25.11.1967 i Gjykatës se Qarkut Vlorë të zbatohet duke u bërë ekzekutimi i tyre me pushkatim.742
Ndërkohë ishte përgatitur një listë e kulakëve që kishin marrë pjesë në punimet e kryera nga sipërmarrësit dhe së bashku me organet lokale, do të merreshin masat e nevojshme, “…për largimin e tyre nga qyteti duke i vendosur në fshat nga kanë ardhur”.
_________________
Marre nga libri “Genocidi mbi kulaket 1948-1990”, Tirane 2011.

error: Content is protected !!