(25 NËNTOR 1865)
Kur është fjala për gjuhën shqipe, një ndër tezat që qarkullonjë për efekte politike dhe propagandistike të ditës është sikur Perandoria Osmane e kishte ndaluar mësimin e gjuhës shqipe. Por, Jani Vreto, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, me kontribut të jashtëzakonshën për gjuhën shqipe, ka lënë dëshmi të shumta, se shkaku kryesor ishte mungesa e një alfabeti të shqipes dhe indiferenca e shqiptarëve për gjuhën e tyre.
Në një letër që mban datën 25 nëntor 1865, Jani Vreto u tërhiqte vemendjen shqiptarëve se “kemi përbuzur gjuhën tonë të nënës Shqipëri, që nuk shkruhet dhe pra barbare”. Ata që përparuan në dituri dhe pasuri, theksonte ai, “… as njeri gjer më sot, as me kulturë, as i pasur nuk duhet të jetë kujdesur për arsimin e rracës së tij dhe për çlirimin nga barbarizmi i saj…”
Vreto vinte në dukje se duhej hedhur poshtë përbuzja dhe indiferenca për gjuhën shqipe dhe të bashkoheshin sepse, “… me anën e një gjuhe që ka humbur pjesën më të madhe të sajnë dhe është katandisur përzierje shumë gjuhësh të ndryshme, që nuk mejton edhe për të folur shtëpiat, si do të mendojmë të shkojmë përpara?
Ai jepte edhe mënyrën se si duhej dalë nga gjendja në të cilën ndodhej gjuha shqipe. Del një pyetje, -theksonte Vreto. Si nuk u mejtuam të gjejmë një mënyrë për të mësuar…! Mbase disa duke dashur të ndriçojnë dhe të pasurojnë gjuhën e nënës sonë, gjë shumë e zorshme ose edhe e pamundur, dështuan; dhe të tjerë një ide të tillë e larguan. Po pse të mos bëjmë si të gjithë kombet e ndriçuara, të cilët që mësojnë një gjuhë të huaj kanë në gjuhën e nënës së tyre rregullat e saj gramatikore dhe e shpjegojnë në atë? Të themi që e jona nuk ka gërma? Mënyra e të shkruajturit është gjendur prej shekujsh që s’mbahet ment, dhe tani nuk ka asgjë të zorshme. … Të redaktohet një gramatikë dhe një fjalor i greqishtes që flitet në shqip dhe për veprimet kryesore të Arithmetikës dhe të jepet në këtë mënyrë mësimi; pasi fëmija të mësojë këndim t’u jepet shkurt Gjeografi politike dhe histori të shpjeguara nga greqishtja e folur në Shqipëri dhe me aplikimin e rregullave gramatikore, njëkohësisht dhe një arithmetikë të vogël, sa që gjatë kohës që do të fitojnë dituritë shumë të nevojshme…”
Vretua u bënte me dije se duke qenë i dëshiruar t’u jetë i dobishëm bashkëatdhetarëve kishte redaktuar një gramatikë të greqishtes që flitej në gjuhën shqipe, por duke mos patur mundësi financiare për ta shtypur, u kërkonte të jepnin ndihma.
Përsa i përkiste alfabetit që kishte përdorur, Vreto theksonte se: “shkronjat që përdor për të shkruajtur shqipen janë nga të Greqishtes dhe ato që mungojnë janë prej atyre Evropianëve në prononcim të rregullt dhe të thjeshta e të pabashkuara”.
Letra e Vretos, e shkruajtur një shekull e gjysëm më parë, është jo vetëm një dëshmi historike me vlerë të rrallë, por edhe një mesazh për të sotmen, që jo vetëm ta ruajnë gjuhën shqipe nga fjalët e huaj të panevojëshme, por edhe ta pasurojmë atë.