Ka një vlerësim të përgjithshëm që letërsia e viteve 1930 ka qenë mjaft cilësore. Por, harrojmë të themi se për të pasur një letërsi të mirë duhet edhe një kritikë letrare cilësore.
Një ndër kritikët më të mirë të kohës ka qenë Sotir Kolea. Ja çfarë i shkruante një të riu, për poezinë që ky i fundit i kishte dërguar:
“…Që ditën e parë këndova dhe vjershën që më pate cuarë; s’më pëlqeu asfare. E lashë të flerë me shpresë se ndofta në një këndim të dytë dot’ qe ndryshuar syri, po kot, se gjykimi dhe sot ësht po ay në mos më i rëndë.
Qëllimi i gjithëmbarët i vjershës? S’i a zura dot fillin që t’i gjenja lëmshin.
Mejtimiet? Të ndrydhur e të shtrydhura mezi sa hiqen zvarrë; nuk kanë as hije krahash për të fluturuar dhe vargëzim i tyre, i shqepur fund e krye, nuk lenë as ur’ as vik për të kapërxyer nga njeri te jatëri.
Gjuha? E mbërthyer për flokësh.
Këmba? Lodhet e këputet për të mbajtur masën.
Fundi? Dhetë faqe plotë me fjalë si përrua I turbullt që sdërmon në një rrëpëtirë të ngusht e të thellë, pa parë një rreze dielli, pa parë një shosh qiell, pa një kutellë frymë.
Në fund, Kolea i jepte udhë: “E ndjej si detyrë të të shtonj një gjë, që do e kesh ditur po e ke harruar: s’fluturnë për qielli gjithë shpezët që kanë pendë, janë dhe shumë syresh që enden për tokë, po dijnë të hedhin çapën me hije e bukuri… Ngado që të kthehesh shtigjet janë zënë; s’ka më vënd të lirë për të shitur mendje; andaj këmbe rrugë; shif në mund të blejish mendje nga të huajtë, që shitet për së liri në trek të përkthimeve…”