Mjedisin politik të kohës, në të cilin veproi qeveria e Princ Vidit, e kemi njohur sipas versionit te historiografisë zyrtare. Mirëpo, nga kujtimet e aktivistit të njohur, Leonidha Naçit, mësojmë të dhëna më të plota.
Sipas Naçit, disa “nacionalistë” të ardhur nga Amerika propagandonin se do t’i kthenin kishat në thiatro dhe xhamitë në qinematografi.
Më 19 maj 1914, “nacionalistët” goditën shtëpinë e ministrit të Brendshëm dhe të Luftës, Esad Toptanit. Ishte rastësi që ai shpëtoi. Njëri nga ata që do të ekzekutohej ato ditë ishte edhe Leonidha Naçi, por i njoftuar nga koloneli Thomson, ai u largua nga Durrësi.
Ja çfarë shkruante Leonidha Naçi, në kujtimet e tij:
“Para se të vritesh Thomsoni, me anë të Varatasit më lajmëroj se kishte frikë mos më vrisnin nacionalistët!! e tërbuar dhe më këshilloj të largohesha nga Durrësi, gjë që u shtërngova ta bënja… Frika të më vrisnin ishte e vërtetë: ditën që u dëbua Essati prej Durrësit unë vajta në shtëpi të tij, të e shikonja pa u nisur, dhe ta ngushëllonja për vërsuljen e padrejtë që iu bë natën, prej pallatit dhe prej nacionalistëve, që e akuzonin se ishte në aleancë me Haxhi Qamilin!! Kur po delnja prej shtëpisë të Essatit m’ u afrua Sabri Qyteza shefi i nacionalistëve që rrethonin shtëpinë e tij dhe më tha miqësisht të mos vete kundra. Ju përgjigja se s’vete kundra njeriu dhe se bënja pas mendjes time dhe pas politikës që unë kam ndjekur, pasi as kërkush nuk mund të më provojë se isha i gabuar…”