Kur bisedohet një pikë historie, – shkruante Konica, – duhet më parë të marrim librat më të vjetra dhe me të shëndosha që e ngasin atë pikë. Në kushtet e pamundësisë për kërkime arkivore, kjo ishte mundësia e vetme që bashkëkohësit e tij kishin.
Fjala ishte për debatin që kishte nisur më 1909, për atë se çfarë flamuri do të kishin shqiptarët në shtetin e ri që pritej të formohej në vitet që do të vinin.
Me marrëveshjen italo-austriake të vitit 1897, të njohur si “akordi shqiptar”, ishte paraparë formimi i një Shqipërie autonome dhe nëse presioni sllav në Ballkan nuk do të përballohej dot nga Perandoria Osmane, do të krijohej Shqipëria e pavarur.
Po ti referohemi një letre të Naim e Sami Frashërit dërguar Murat Toptanit, Porta e Lartë ishte në dijeni të këtij plani, madje lihej të kuptohej se kishte qenë dakort.
Elita intelektuale shqiptare intensifikoi përpjekjet për të përgatitur terrenin. Kështu, më 1898 Naim Frashëri botoi “Histori e Skënderbeut” në vargje, që u bë libri më i lexuar i shqiptarëve.
Dhjetë vjet më vonë u hartua përsëri alfabeti i gjuhës shqipe, këtë herë tërësisht me shkronja latine, i cili zëvendësoi gradualisht alfabetin e shoqërisë së Stambollit, me të cilin ishin shtypur librat dhe kishin funksionuar shkollat shqipe për tridhjetë vjet.
Për alfabetin kishte patur debate që kur ishin gjallë Naim e Sami Frashëri, të cilët mbronin alfabetin e shoqërisë së Stambollit, ndërsa Faik Konica ishte kundër tyre.
Debati për flamurin, midis Faik Konicës, Kristaq Floqit etj. dhe gazetës Lirija, që botohej në Selanik nga Mid’hat Frashëri, u intensifikua në verë 1909.
Konica mbronte variantin sipas Barletit dhe të një botimi tjetër, po në latinisht, shtypur me 1480, në Venedik. Libri për të cilën bënte fjalë Konica nuk kishte asnjë ekzemplar, por sipas tij, ai e njihte nga një libër i priftit Biernmi, botuar në italisht më 1742, në Breshia.
Mirëpo, bazuar tek këto burime, intelektualë të ndryshëm e paraqisnin shqiponjën me dykrerë në variante të ndryshme.
Mungesa e dokumentacionit arkivor mbi të cilën ishin shkruar këto vepra, i bënin skeptikë studiuesit skrupulozë të kohës dhe ngiste debatin, aq sa Lirija, sipas gazetës Dielli, e paskësh quajtur lëvere. Megjithatë, debati edhe për këtë çeshtje u zbeh gradiualisht dhe do të shuhej viteve që do të vinin.
_______________
) Titulli në latinisht: “Historia Scanderbegi edita per quondam Albanensem. Venetis impressa industria, atque impensa Erhanli Radolt de Augusta airno Domini 1480, die 2, mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco inclyto Duce.
Do të thotë: “ Historia e Skënderbeut, e botuar prej një shqiptari. U shtyp në Venedik me mundim dhe me të holla të Erhard-it Radolt, në vit të përlartë të Zotit 1480, ditën e 2- të të mojit të Prillit kur ish në fron (të Venedikut) Joanni Mocenigo, duka i çkëlqyer”.
Deri atëherë botimet për Skënderbeun, në gjuhë të ndryshme, ishin të shumta, por burimi ishte një, botimi i Marin Barletit, “Historia e jetës dhe të bërave të Skënderbeut etj.”, botuar më 1504, latinisht.