Për vrasjen e Hasan Riza Pashës, Gino Berri, gazetari italian në Shkodrën e rrethuar, shkruante:
“… Riza beu mbremë ishte për darkë tek Esat Pasha. Të dy banesat e tyre nuk ishin shumë larg njera-tjetrës. Rreth ores 20 valiu u çua duke refuzuar pesë apo gjashtë njerëz që Esat Pasha donte t’i jepte për ta shoqëruar.
-Ateherë, – tha pashai, – do t’u jap për të shoqëruar oficerin tim të ordinancës.
Shkodra ishte zhytur në errësirë të thellë…. Arritën në rrugicën ku ishte selia e komandës. Riza beu falënderoi oficerin: kthehuni, tashmë arrita në shtëpi. I mbetur vetëm bëri akoma disa hapa. Nga një cep dolën përpara tre burra, si tre hije. Ai nuk i njohu dhe i pyeti: Kush jeni? Ku shkoni? Të tre burrat nuk u përgjigjën, gjë që nuk i tërhoqi vëmendjen valiut; mendoi se mund të ishin grekë, shqiptarë, arabë që nuk njihnin gjuhën turke. Eci akoma, por të panjohurit ishin afruar dhe zbrazën tre pushkë. Riza beu nxori disa fjalë që nuk i dëgjoi askush dhe ra. E gjeten dhe e shpunë në shtëpi…”.
Pas pak erdhi Esat Pasha me sy të përlotur, – shkruante Hamdi Ertuna. – Kur e pa Esat Pashën e ftoi brenda dhe urdhëroi t’i bënin një kafe.
Për situatën e atyre çasteve, Gino Berri shkruante: “Kur ndjeu se po i vinte vdekja, u drejtoi një buzeqeshje të trishtuar oficerëve të mbledhur rreth shtratit të tij, ngriti me vështirësi dorën për t’ i falënderuar për atë që kishin bërë bashkë.
Pastaj iu drejtua Esat Pashës: Ju besoj familjen time. Mos m’i harro. Ju besoj tim bir. Mos i thoni që më kanë vrarë, por që jam vrarë në luftë…”
Hortense von Zambaur, bashkëshortja e konsullit austriak në Shkodër, do të shkruante: “Kjo vrasje në një qytet të rrethuar, e kryer nga një prej banorëve të këtij qyteti të cilën ai po e mbron, është diçka që të prek thellë në shpirt”.
Sipas Gino Berrit, nuk ishte hera e parë që qëllohej mbi gjeneralin. Një mbrëmje, ndërsa kthehej nga Shiroka, pranë pazanit dëgjoi të shtëna pushke mbi rrugë.
Një prift katolik, për vrasjen e Hasan Riza Pashës shkruante: “Duket pra se ata dy të panjoftun kan kenë t’shtym proje Malit t’Zi për me e vra”.