Për kryengritjen e marsit 1922, gazeta “Dit’ e Re”, në numrin e 29 marsit 1922, shkruante midis të tjerash se Bajram Curri duke propaganduar për të shpëtuar Kosovën, “mundi të mbledhë nga Krasniqja e nga rrethinat e Kosovës një fuqi 3-400 vetash e erdhi gjer në Pukë, por duke parë forcën qeveritare dhe kundërshtimin e rreptë të popullit e të qytetit e të rretheve të Shkodrës, fuqija iu shpërnda dhe ju arratis dhe asi vet u shtërngua e u tërhoq në bajrak të Krasniqes”. Qeveria dërgoi batalionin shëtitës të xhandarmërisë, të komanduar nga kapiten Prenk Jaku dhe një batalion nga të Regjimentit të Shkodrës. Ata hynë në Pukë dhe njerzit që kishte mbledhur Bajram Curri u shpërndanë.
Bajram Curri i kishte dërguar letër popullit të Shkodrës për të ngritur krye, por populli i Shkodrës refuzoi.
Arsyet e refuzimit i shkruanin në një letër dërguar Bajram Currit që e citonte gazeta “Dit’ e Re”. Midis të tjerave, theksohej:
“… tue marë parasysh përmbajtjen e letrave na po diftojmë se nuk pëlqejmë në kurëfarë mënyret mbledhjen në këtë kohë e në kët mënyrë në të cilën në Shqipni gjendet një komision i dërguem prej Lidhjes së Kombeve. Si anë tjetër jemi tuj pritë dita me ditën ardhjen e komisionit për caktimin e kufijve e prandaj është nevoja e domosdoshme që në Shqipni të mbretërojë një qetësi e rregullim i plotë më tepër se në asnjë kohë tjetër. Me gjithë këtë e dimë se në program të qeverisë asht ansambleja e përgjithshme por edhe kjo ka për me pasë kohën e vet për me iu përgjigjë Bajram Currit se kësaj heret nuk bashkohemi kategorikisht në veprimin, mendimin e qëllimin e tij, po nënshkruajmë në kët vendim…”
Bajram Curri, ndonëse pa shkollë, qeveria e kishte graduar kolonel dhe i jepte një rrogë mujore prej 40 napolona. Kjo kishte bërë të pakënaqur oficerët e rinj të dalë nga akademitë ushtarake, të cilët nuk pranonin t’i komandonte një i pashkollë.
Pas këtyre ngjarjeve, qeveria e degradoi Bajram Currin, vendim të cilin e la në fuqi edhe Këshilli i Naltë i Shtetit.