Jeta në fshat ka qenë gjithnjë e vështirë, por më e vështirë bëhej kur familjeve u binin halle, sidomos në raste vdekje. Më keq e kishin ato me “blanjë” në biografi.
-A do të vinte fshati në varrim? -A do t’i lejonin komunistët? -Kush mund të fliste dy fjalë për të ndjerin? – këto ishin pyetjet që i mundonin familjarët. Përjashtim këtu bënin ata që ishin cilësuar kulakë të kategorisë së parë, tek të cilët nuk hynte njeri, as për dasma as për varrime.
Për të mos e zgjatur, në një fshat të vogël, vdiq një burrë i nderuar, por që, ç’është e vërteta, nuk shikohej me sy të mirë nga regjimi.
U mobilizuan ata pak të rinj që kishte fshati për të njoftuar miqtë e familjes, nëpër fshatrat e largët.
Aty nga mbremja vonë filluan të ktheheshin të rinjtë dhe tek – tuk ndonjë mik i afërt. Natyrisht, bashkëfshatarët ishin aty, madje edhe dy-tre komunistët e lagjes, që bënin ligjin në fshat. I zoti i shtëpisë mori frymë i lehtësuar.
Por, pa mbaruar fjalët e ngushëllimit, tek dera u dha një mik i familjes, edhe ai me “blanjë” në biografi. Komunistët ulën kokën dhe me zor i kthyen përshëndetjen.
Pasi pinë kafen, komunistët u ngritën. Pa kaluar ndonjë orë, e thirrën të zotin e shtëpisë.
– E ke njoftuar…? – i thanë për mikun më të afërt të familjes, që kishte patur të atin në burg.
Kur morën përgjigjen se i kishte njoftuar të tërë miqtë, u nxinë në fytyrë.
– Po erdhën ata, nuk vijmë ne dhe po nuk erdhëm ne, nuk vjen fshati. Mendohu mirë se si do ta varrosësh babanë, dhe u larguan për në shtëpitë e tyre.
Po vinte mesnata… Ia qau hallin një miku.
-Mos ki merak, – i dha garanci miku, – e zgjidh unë këtë hall.
Erdhi ora e varrimit… Komunistët i mbanin sytë nga dera, por edhe miku “me blanjë” nuk po dukej.
Të rinjtë ngritën arkivolin dhe të shoqëruar nga kortezhi, mbrritën në varreza, mbi fshat, por, as atje miku nuk ishte. Ndërsa të pranishmit merrnin me radhë lopatën duke hedhur “një dorë dhe” mbi të vdekurin me të cilin kishin jetuar një jetë, komunistët rrinin larg, në cep të varrezave…