Mungesa e një të djathte të mirëfilltë tradicionale po zgjeron përmasat e krizës që ka përfshirë shoqërisë shqiptare, e cila sintetizohet tek mungesa e mendimit politik për zgjidhjen e saj. Krizën e bën edhe më të thellë braktisja e ideve socialiste nga partitë e majta dhe vënia e resurseve kombëtare në shërbim të neoliberalizmit ndërkombëtar.
· Profili politik i konservatorëve
Po kush janë konservatorët dhe çfarë duan? Pa u zgjatur në historinë e doktrinave, duhet theksuar se: “Konservatorët janë për qeverinë kushtetuese si një mënyrë për të ruajtur autoritetin demokratik pa lejuar që ai të bjerë në duart e despotëve ose të diktatorëve; një shoqëri të rregullt, në të cilën njerëzit t’i dinë vendet që u përkasin në hierarki; për fenë e ngulitur, që të integrohen njerezit në shoqëri, dhe për familjen si burim parësor i vlerave morale dhe si vendi ku formohen qytetarët e përgjegjshëm” .
Nisur nga ky përcaktim i enciklopedisë së përgjithshme të Oksfordit, merret vesh se kush ka qenë dhe ç’mund të jetë konservatorizmi, përkatësisht e djathta në Shqipëri.
· Lufta e së majtës kundër konservatorizmit
Mosnjohja e ideve konservatore ka bërë që neoliberalët të dëmtojnë sistemin e vlerave dhe ta kthejnë atë në mall, të shtypin liritë fetare dhe ta vënë klerin në shërbim të pushtetit, të shkatërrojnë familjen dhe të degjenerojnë shoqërinë. Nën demagogjinë e reformave, goditje shumë e ashpër i është dhënë sistemit të edukimit dhe arsimit kombëtar.
Në fakt, po të hedhim një vështrim në historinë e shtetit shqiptar, lufta kundër konservatorizmit daton që me krijimin e shtetit. Regjimi totaliatar e instituacionalizoi luftën kundër konservatorizmit nëpërmjet të quajturës “Lufta e klasave”.
Konservatorizmi dhe mbartësit e kësaj filozofie u goditën sistematikisht, në planin ekonomik, politik dhe ideologjik. Ajo kulmoi në periudhën 1967-1990, me luftën kundër besimeve fetare, zakoneve dhe traditave të popullit. Në këtë mënyrë u krijua njeriu i ri, i projektuar nga e majta ekstreme.
Pas vendosjes së pluralizmit politik, lufta e së majtës kundër konservatorizmit u bë më sofistikuar. Duke e ngushtuar në mënyrë të qëllimshme të djathtën vetëm tek të persekutuarit dhe pronarët, ish komunistët dhe neoliberalët synonin të arrinin disa objektiva:
Së pari, mbanin të bashkuar të majtën duke i trembur me rrezikun se të përmbysurit do të merrnin pushtetin dhe do të hakmerreshin;
Së dyti, i mbanin ish të përsekutuarit dhe pronarët të izoluar nga pjesa tjetër e opozitës, me orgjinë të majtë.
Së treti, duke kultivuar tek të persekutuarit dhe pronarët ndjenjën se të djathtët ishin vetëm këta, të nxisnin konflikte brenda të djathtëve.
· Diferenca midis neoliberalëve dhe neokonservatorëve
Përkundër pretendimeve të neoliberalëve për intelektualizëm, ata shquhen për shterpësi idesh, imitim të të huajve, mosnjohje të realitetit dhe fodullëk në raport me “neokonservatorët”. Periudhën e soc-realizmit e vlerësojnë si të begatë në krijimtari dhe trashëgimi, duke penguar veprat e krijuesve të rrymës jokomuniste dhe krijuesve të rinj për të zenë vendin që meritojnë në sistemin e vlerave. Ata janë përgjegjësit që nuk është kryer asnjë reformim i institucioneve kulturore dhe shkencore.
Në historinë mbi një shekullore të shtetit shqiptar, të majtët, (komunistët, liberalët dhe neoliberalët) kanë lënë si trashëgimi Revolucionin e Qershorit më 1924 dhe diktaturën komuniste, ndërsa disa vlera të krijuara gjëtë viteve të diktaturës, ata i kanë shkatërruar.
Nga ana tjetër, ajo që trashëgojmë nga konservatorizmit janë sistemi i vlerave, të traditave popullore, të trashëgimisë kulturore, të arsimit më frymëzim kombëtar etj. Si “asete” historike mund të përmendim Lidhjen e Prizrenit, Shpalljen e Pavarësisë, Luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga coptimi, shtetin modern shqiptar në kohën e Mbretërisë etj.
Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, neoliberalët kanë shkelur pavarësinë e vendit dhe sovranitetin e shtetit. Ata e kanë kthyer vendin një koloni dhe resurset kombëtare ua kanë dhënë me koncesion të huajve.
Ndryshe nga neoliberalët, neokonsrervatorët janë për pavarësinë dhe ruajtjen e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Kufizimi i sovranitetit është i pranueshëm deri në përmasat që e përcaktojnë taraktatet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.
· Përfundime
Të provuar në pushtet për vite me radhë, neoliberalët nuk frymëzojnë asgjë : as vlerë, as ndershmëri, as krijimtari. Ata i ofrojnë popullit shqiptar pabarazi, grabitjen e pasurive të vendit në bashkëpunim me të huajt, plaçkitjen e buxhetit, shkatërrimin e mjedisit, varfëri totale.
Ndryshe nga ata, neokonservatorët i ofrojnë vendit dhe shoqërisë ruajtjen e vlerave të trashëguara, të resurseve kombetare, konsolidimin e familjes dhe arsimin kombëtar, barazinë e të drejtave dhe ushtrimin e lirë të tyre.