Megjithë se kishin marrë pushtetin me dhunë, komunistët nuk po e ushtronin dot në zonat e Veriut të Shqipërisë. Masat represive të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit për çarmatimin e popullit ishin mjaft të ashpra.
Në operacionin për çarmatimin në zonën e Dibrës (1946) regjimi përfshiu të besuarit dhe miqtë e Sigurimit, “si dhe komunistët dhe shokët e organizatave të masave”. Ata evidentuan në çdo fshat e zonë personat që dispononin armë dhe elementët “armiq”.
Sigurimi skedoi Dalip Zunën nga Sodoholli, Xhafer e Xhemal Kaloshin nga Kandri, Murat Didën nga Vakufi etj, që sipas sigurimit “dispononin armë”, dhe ishin të lidhur me të arratisurit Muharrem Bajraktari, Dan Kaloshi e Cen Elezi. Sigurimi vendosi që ata të pushkatoheshin pa gjyq.
Krahas ekzekutimit të tyre, në disa fshatra u evidentuan njerëzit me influencë, dhe u vendos “Për tu pushkatuar”.
Brenda një nate u arrestuan 96 burra dhe u ekzekutuan pa gjyq 14 prej tyre, si Osman Haraçiu, Islam Baftjari e Hashim Tafa Sodoholl, Murat Datja, Shemsi Aga, Hajredin Trushilla, Muharrem Gjurra etj. Të tjerët, 82 gjithsej, i dërguan në Degën e Punëve të Brendshme Peshkopi, nga të cilët 30 u internuan me gjithë familje, 36 ju dhanë gjyqit dhe 16 të tjerët u tërhoqën në shërbim të organeve të sigurimit e u lanë të lirë.
Gjykimi i atyre që iu dhanë gjyqit u bë i shpejtë dhe disa prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, si Mexhit Asllani, Tefik Balla, Shefqet Balla, Hamit Hoxha etj.
Pas ekzekutimit të tyre, regjimi ia doli që brenda një kohe të shkurtër të grumbullonte disa qindra armë.
Me gjithë terrorin e egër, do të duheshin vite që regjimi të konsolidohej edhe në zonën e Dibrës.
Gjatë këtij procesi, megjithëse “krahas elementëve armiq” implikoheshin edhe njerëz “me përbërje të mire”, Sigurimi zbatoi platformën e Partisë duke bërë diferencimin për të mos u goditur “njerzit tanë”.