Në ditët e para të Konferencës së Paqes në Paris, Stephen Bonsal kishte menduar të bënte bashkë në tavolinën e tij, siç thoshte ai, “kampionin e Kristianizmit në Ballkan, Mbret Nikollën dhe Essadin, Saladinin e luftrave moderne”. Qëllimi kryesor ishte të vinte aty, gjoja rastësisht, koloneli House i komisionit amerikan që informonte presidentin Uillson. Takimi do të bëhej në periferi të Parisit dhe për qëllimin e takimit nuk do të ishin në dijeni as Mbreti Nikollë, as Essad Pasha. Koloneli House u shpreh se ishte e pamundur të takohej në këtë mënyrë me dy kampionët e Ballkanit, për shkak se ishte jashtë protokollit zyrtar dhe se atij kjo gjë nuk i lejohej.
Stephen Bonsal kujtonte se çfarë i kishte thënë koloneli: “Nga çka më tregon ti unë e përfytyroj Nikollën si John Sevier (ushtarak, politikan dhe një ndër themeluesit e shtetit të Tennessee) i cili bashkë më malësorët e tij i mundën keqazi “xhaketat e kuqe” (ushtrinë angleze) në Karolinë, ndërsa Essadin e përfytyroj si Wallace “këmbëmadhin” (kështu quhej Big Foot Wallace, i cili ishte një ushtarak i famshëm nga Teksasi dhe kishte marrë pjesë në shumë konflikte e luftra të armatosura në Republikën e Teksasit dhe të të gjithë Shteteve të Bashkuara të viteve 1840, përfshirë këtu edhe luftën mexikano-amerikane), i cili nuk do ta kishte problem të udhëtonte për një javë rresht mbi kalë, në mes të diellit përvëlues të tropikut, vetëm e vetëm që në fund të udhëtimit të tij të kishte mundësinë të luftonte e të bënte detyrën e tij si ushtarak. Kam kaq shumë dëshirë t’i takoj këta dy burra, por sigurisht për momentin e kam të pamundur”.
Stephen Bonsal, 1946; Suitors and Suppliants , The Little Nations at Versailles.