(Programi i “Vatrës” e Partisë Politike dhe mendimet e Luigj Bumçit)

Në shtator 1919, Federata “Vatra”, Partia Politike dhe Zyra Shqiptare në Uashington, nëpërmjet Parashqevi Qirjazit, i përcollën Dërgatës së qeverisë së Durrësit pranë Konferencës së Paqes në Paris kopjen e një programi mbi të cilën të dy shoqëritë kishin rënë dakord për veprim të përbashkët.

Në pikën e tretë të programit thuhej: “Të punojmë për emërimin e një Komisioni Qeveritar nga ana e Ligës së Kombeve, i cili të përbëhet kështu: dy shqiptarë, tre amerikanë dhe dy italianë … për të qeverisur vendin deri sa të punojë indipendentarisht një Qeveri Shqiptare”.

Kryetari i delegacionit qeveritar pranë Konferencës së Paqes në Paris, Luigj Bumçi, u tërhiqte vëmendjen sidomos për këtë pikë, pasi që, sipas tij, kjo binte në kundërshtim me vendimet e mbledhjes kombëtare dhe nuk i përgjigjej më nevojave të vendit.

Mbledhja kombëtare (e Durrësit, – shënimi im) nga e cila kishte rrjedhur Qeveria e Përkohshme, sipas Bumçit, kishte për themel politik tre parime: tërësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Nëse qeverisja e Shqipërisë, – theksonte Bumçi, – lëshohet në dorë të një komisioni, që nuk rrjedh prej vullnetit të kombit shqiptar e në të cilën shumica do të ishte e përbërë prej njerëzve të huaj merret vesh vetiut, se për një kohë të pacaktueme pavarësia e siprania e Shqypnisë vihet në rrezik.

Bumçi theksonte se “do të ishte punë e dobishme fort, që në zhvillimin e programit si “Vatra” si “Partia” Politike” të vihen në një pikëpamje me qeverinë e me Dërgatën zyrtare, domethënë të mbrojmë independencën e plotë dhe sypraninë e Shtetit shqiptar”.

Shokët tanë, – tërhiqte vëmendjen Bumçi, -nuk duan ta kuptojnë këtë të vërtetë të thartë e nuk duan me lënë të tjerët që të mendojnë ndryshe. Ai kritikonte ata që mendonin se çështja shqiptare ishte “kujdesi ma i madh qi trazon sot mendjet e diplomatëve të botës, e në këtë besim nuk pranojnë kundërshtim”. Në të vërtetë, ishte e kundërta.

Dërgata amerikane nuk u kishte dhënë kurrë shpresë të këtillë. Me gjithë këtë, theksonte Bumçi, “ata prej nesh që kanë guxue të kenë dyshim për këtë punë, kanë qenë gjykuem prej shokëve si armiq të kombit. Po sot po shihet kjarisht se ata qenkan përpjekun me të drejtë e mendje të hollë për të mirën e atdheut, tue u mbajtun gjithnjë në kërkimin e tanësisë, të pavarësisë e të syprianisë së Shqipnisë…”

Bumçi i udhëzonte se si të vepronin në mes të shqiptarëve dhe pranë qarqeve politike dhe qeverisë amerikane:

· Tu jepni shqiptarëve të kuptojnë të vërtetën mbi gjendjen e çështjes sonë, e të mos ushqeni shpresa të tepërme, pasi, përndryshe, do të bijnë në dëshpërim të madh kur të gjitha ato shpresa të dalin të pavërtetueshme.

· Të përpiqeni me anë të shtypit e me të tjera mënyra propaganda që të njihen Shqipëria e populli shqiptar prej popullit amerikan e që të tërhiqet vërejtja e simpathija e tij për çështjen tonë.

· Të kërkoni ndihmën e Qeverisë Amerikane përsa i përket caktimit të kufijve të Shqipërisë ndë një mënyrë të drejtë e mbas pikëpamjeve dhe parimeve të kombësive, e ti luteni sidomos për shpëtimin e Gjirokastrës, e cila ndodhet në rrezik më të madh se asnjë tjetër pjesë e Shqipënisë e që sot për sot vetëm Amerika mund të na e shpëtojë.

· Të qëndroni gjithnjë në respektimin e vendimeve të Konferencës së Londrës përsa i përket pavarësisë (independencës) e sypranisë së Shqipërisë, e të mos kërkoni komision të përbërë prej amerikajsh, italianësh e shqiptarësh për qeverimin e vendit tonë, pse atëherë do të rridhte një konditë e plotë e cila do të sillte vdekjen e shpejtë e të sigurtë të atdheut.

_________________

Shkrimi është mbështetur në dokumentet e fondit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, viti 1919.

error: Content is protected !!