Ali Këlcyra ishte, padyshim, një nga diplomatët më të shquar nga vitet 1920 deri sa vdiq. Në të gjithë veprimtarinë e tij në emigracionin politik, pas vitit 1944, ai e përdori diplomacinë për të tërhequr përkrahjen e Perëndimit dhe sidomos të Kishës katolike, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Në diskutimin e tij në emër të Komitetit “Shqipëria e Lirë” në sesionin special të Asamblesë së Kombeve të Robëruara, që u hap në Strasburg në korrik 1955, Ali Këlcyra, midis të tjerave tha:

“… Qysh në fillim të konfliktit tonë me agjentët e Moskës, ne kishim një pasqyrim të kjartë të taktikës së imperjalizmit sovjetik, lidhur me dominimin dhe përshtatjen e popullit tonë. Kjo taktikë nuk qendron në nënështrimin e atdheut tonë me anën e forcave të armatosura, por mbi një aksion metodik dhe gënjeshtrash, që kanë për qëllim shterjen e të gjitha burimeve morale dhe shpirtërore të jetës tonë kombëtare…”

“… Vetëm ruajtja e këtyre traditave ka mundur të shpëtojë thelbin tonë ethnik, me gjithë invadimet e ndryshme të pësuara prej popullit tonë gjatë ekzistencës së tij prej shumë mijëra vjetësh. Për këtë arsye agjentët e Moskës, duke filluar aktivitetin e tyre në vendin tonë, kanë atakuar me një kujdes dhe me gjithë helmin që karakterizun aksionin e tyre në fushën shoqërore, vlerat shpirtërore dhe morale, të cilat kanë në organizmin tonë kombëtar për bazë esenciale familjen…”

Pasi vuri në dukje mbylljen e shkollave katolike, që Këlcyra i quajti “vatra shekullore të traditave dhe edukimit”, ai përmendi luftën e Skënderbeut duke përfunduar se, në interesat e veta, bota e lirë duhet të ndihmonte bashkëatdhetarët e tij që të shpëtonin trashëgimet prindërore kombëtare që shpejt ose vonë, sikurse në të kaluarën do të kontribonin për të lehtësuar detyrën e rëndë, për thyerjen e prangave të robërisë që u kishte vënë dominasioni sovjetik.

error: Content is protected !!