(Bilal Xhaferi)

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumire,

u zhduk matanë largësive,

mbi kreshtat e flakëve,

nëpër shi.

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria

dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.

Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,

mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.

Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.

Dhe kudo toka çame,

mbuluar nga retë, rënkon e mbytur në gjak e lot,

e mbetur shkretë,

pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat,

na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë

përpirë.

Pas shpinave tona përplas tufani dyert e

shkallmuara të shtëpive.

Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri.

Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…

Lamtumirë, Çamëri!

Please follow and like us:
error: Content is protected !!